Burimi: Sherhu Rijadi Salihin, vëll. 4, fq. 63-64
Transmetohet nga Ebu Seid el-Khudrij, radijAllahu anhu, se ka thënë:
مَا مِنْ عَبْدٍ يَصُومُ يَوْمًا فِي سَبِيلِ اَللَّهِ إِلَّا بَاعَدَ اَللَّهُ بِذَلِكَ اَلْيَوْمِ عَنْ وَجْهِهِ اَلنَّارَ سَبْعِينَ خَرِيفًا
“Çdo rob që agjëron një ditë në rrugë të Allahut, për shkak të kësaj dite, Allahu ia largon fytyrën nga Zjarri shtatëdhjetë pranvera (vite)”. Muttefekun alejhi (Buhariu 2849, Muslimi, 1153)
__________________
Ky është agjërimi, një adhurim i madh që i fshin gjynahet. Prandaj edhe hadithi i Ebu Seidit thotë: “Çdo rob që agjëron një ditë në rrugë të Allahut, për shkak të kësaj dite, Allahu ia largon fytyrën nga Zjarri shtatëdhjetë pranvera (vite)”.
(Në rrugë të Allahut) do të thotë: në bindje ndaj Allahut, ose do të thotë: ai që i përkushtohet sinqerisht Allahut dhe me dashuri, e nuk është për qëllim agjërimi në xhihad, sepse gjatë xhihadit njeriu nuk duhet të agjërojë, në mënyrë që të jetë i fortë kundër armikut.
Por nëse agjëron në xhihad dhe nuk dëmtohet, atëherë s’ka problem. Nëse supozojmë se është kohë armëpushimi apo kohë që s’ka nevojë të prishet agjërimi, atëherë s’ka problem që të agjërohet.
Qëllimi i këtij hadithi është që njeriu t’i bindet Allahut dhe të synojë të arrijë kënaqësinë e Tij. Pra, të jetë i sinqertë me Allahun.
Përktheu: Jeton Shasivari