Autor: Sulejman bin Selimullah er-Ruhejli
Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit
(Dhjetëditëshi i fundit)
Lavdia dhe falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë, salavatet dhe selamet më të plota, më të përsosura qofshin mbi atë që është dërguar si mëshirë për njerëzimin, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij, më pas:
Të nderuar vëllezër dhe motra ju them: Esselamu alejkum ue rahmetull-Llahi ue berekatuHu!
S'ka dyshim se ditët dhe netët më të mira të muajit të Ramazanit janë dhjetë ditët e fundit. Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - i shtonte veprat e mira në dhjetëditëshin e fundit, kurse atij i janë falur gjynahet e mëparshme dhe të mëvonshme. Megjithëkëtë ai - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - ishte rob falënderues, mëshira dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të! Nëna jonë, Aisheja - radijAllahu anha - na ka treguar se "Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - kur hynte dhjetë ditëshi i fundit i Ramazanit e shtrëngonte izarin (rrobën) e tij, e ngjallte natën me adhurime dhe e zgjonte familjen e tij."
Pra, Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - i shtonte përpjekjet duke bërë vepra të mira në dhjetëditëshin e fundit, kështu që ai e shtrëngonte izarin e tij. Thuhet se fjala "e shtrëngonte izarin e tij" d.m.th. e lidhte atë; kjo është metaforë për të treguar se nuk kryente marrëdhënie seksuale me gratë e tij për shkak të angazhimit me adhurim.
Ndërsa disa dijetarë të tjerë kanë thënë se fjala "e shtrëngonte izarin e tij" d.m.th. e ngrinte atë. Kjo është metaforë për të treguar angazhim, sepse kur njeriu angazhohet me diçka, e ngre rrobën e tij në mënyrë që të tregohet i zellshëm në punë. Prandaj, të dyja kuptimet mund të hyjnë këtu.
Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - angazhohej në këtë dhjetëditësh duke i braktisur marrëdhëniet seksuale, në mënyrë që të përkushtohej në adhurimin e Allahut 'Azze ue Xhel.
Ai - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - e zgjonte familjen e tij; pra, i zgjonte gratë e tij dhe familjen e tij, në mënyrë që t'i ngjallte netët e dhjetëditëshit të fundit. Kështu pra, ai -sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - kishte kujdes të madh për t'i zgjuar familjarët e tij. Ai - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - gjatë dhjetëditëshit të fundit e ngjallte të gjithë natën; e ngjallte duke bërë dhikër, duke lexuar Kur'an dhe duke falur namaz.
Ai - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - nuk falej prej fillimit të natës deri në fund të saj, por ai e zgjaste namazin në dhjetëditëshin e fundit më shumë se në netët e tjera. Kështu që, ai -sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - në natën e njëzet e tre, falej deri në një të tretën e natës, në natën e njëzet e pesë falej deri në gjysmën e natës, dhe në natën e njëzet e shtatë falej deri afër daljes së agimit, mëshira dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!
Kështu që, ne e kemi për detyrë që ta marrim si shembull të dashurin tonë, imamin tonë -sal-lAllahu alejhi ue sel-lem-, dhe t'i shtojmë përpjekjet tona në këto dhjetë ditë.
E lus Allahun - 'Azze ue Xhel - që të na bëjë neve prej atyre që adhurimin më të mirë të tyre e bëjnë në fund të Ramazanit, dhe të na bëjë neve prej atyre që ua ka pranuar atë dhe i ka falur!
Allahu i Lartësuar është më i Larti dhe më i Dituri. Salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin tonë!
Përktheu: Servet Mata
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org