Bismilah...

 

Devijimet e Ebu Is’hak el-Huvejnit 

 

Hakmija -  problemi i gjykimit me ligjet që nuk i ka shpallur Allahu

 

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit.

 

(1) Ebu Is'hak el-Huvejni thotë se Teuhidi Hakimije është nga karakteristikat më të veçanta të Teuhidit Uluhije.

Fjala e Huvejnit: "Teuhidi i adhurimit, siç është Fjala e tij, të Madhëruarit dhe të Lartësuarit:

إِنِ الْحُكْمُ إِلاَّ لِلّهِ يَقُصُّ الْحَقَّ وَهُوَ خَيْرُ الْفَاصِلِينَ

“Vërtet gjykimi i takon vetëm Allahut. Ai e shpall të vërtetën dhe Ai është Gjykatësi më i mirë.” El-En’am, 57

Fjala “E shpall të vërtetën” do të thotë: gjykon me të.

Në një transmetimin tjetër muteuatir (të mënyrave të leximit të Kuranit), sipas leximit të Hamzas, ‘Amër bin el-Ala-it, el-Kesai-it dhe Khalef-it:

يَقْضِي الْحَقَّ وَهُوَ خَيْرُ الْفَاصِلِينَ

“Ai gjykon me të vërtetën dhe Ai është Gjykatësi më i mirë.” El-En’am, 57

إِنِ الْحُكْمُ إِلاَّ لِلّهِ أَمَرَ أَلاَّ تَعْبُدُواْ إِلاَّ إِيَّاهُ

“Gjykimi i përket vetëm Allahut. Ai ka urdhëruar që të adhuroni vetëm Atë.” Jusuf, 40

وَهُوَ اللَّهُ لَا إِلَهَ إِلَّا هُوَ لَهُ الْحَمْدُ فِي الْأُولَى وَالْآخِرَةِ وَلَهُ الْحُكْمُ وَإِلَيْهِ تُرْجَعُونَ

“Dhe Ai është Allahu! S’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij. Atij i takojnë falënderimet dhe lavdërimet në këtë jetë dhe në tjetrën! Vetëm Atij i përket gjykimi dhe tek Ai do të ktheheni.” El-Kasas, 70

كُلُّ شَيْءٍ هَالِكٌ إِلَّا وَجْهَهُ لَهُ الْحُكْمُ وَإِلَيْهِ تُرْجَعُونَ

“Çdo gjë do të shkatërrohet, përveç Fytyrës së Tij! Atij i përket gjykimi dhe të gjithë do të ktheheni tek Ai!” el-Kasas, 88

وَاللّهُ يَحْكُمُ لاَ مُعَقِّبَ لِحُكْمِهِ وَهُوَ سَرِيعُ الْحِسَابِ

“Allahu gjykon dhe askush nuk mund ta thyejë gjykimin e Tij; Ai është i shpejtë në llogari.” Er-Rad, 41

Dhe ka thënë i Lartësuari:

وَرَبُّكَ يَخْلُقُ مَا يَشَاءُ وَيَخْتَارُ مَا كَانَ لَهُمُ الْخِيَرَةُ سُبْحَانَ اللَّهِ وَتَعَالَى عَمَّا يُشْرِكُونَ

“Zoti yt krijon ç’të dojë dhe zgjedh lirisht, ndërsa ata (idhujt) nuk mund të zgjedhin. Allahu është i pastër nga çdo mangësi dhe është i Lartësuar mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!” el-Kasas, 68

Pra, ky është Teuhidi i Adhurimit:

إِنِ الْحُكْمُ إِلاَّ لِلّهِ

“Vërtet gjykimi i përket vetëm Allahut.” Jusuf, 40

Teuhidi Hakimijeh i cili është nga karakteristikat më të veçanta të Teuhidit Uluhijeh.

Burimi: Kaseta “Medh’hebu Shejtan,” min. 12:30

 

(2) Ebu Is'hak el-Huvejni përsëri thotë: Teuhidi Hakimije është nga karakteristikat më të veçanta të Teuhidit Ilahije (Uluhije).

“Sa mund shihen këshilltarë nga njerëzit e dijes tek tregtarët?! Tregtarët e mëdhenj kanë këshilltarë, juristë dhe llogaritarë dhe këta tregtarë u japin atyre rroga të larta dhe të vazhdueshme; këta tregtarë u japin atyre poste, kurse këshillat e njerëzve të dijes janë falas, pa të holla. Vallë, te çdo tregtar i madh, a mund të shihni këshilltar i cili i thotë atij se kjo është hallall dhe kjo është haram dhe të punojë me fetvanë e tij? Kjo është prej argumenteve më të forta se ne nuk e veçojmë Allahun, të Plotëfuqishmin dhe të Madhëruarin, me Teuhidin Hakimije, i cili është nga karakteristikat më të veçanta të Teuhidit Uluhije.”

Burimi: Kaseta “Medh’hebuShejtan,” min. 22:45

 

(3) Ebu Is'hak el-Huvejni pretendon se Arabët në Xhahilijet luftuan që mos të zbatohet Teuhidi Hakimije:

“Arabët (mushrikët) luftuan (kundër Muslimanëve) që gjykimi të mos i takojë Allahut. Ata (mushrikët) gjykonin sipas ëndjeve e tyre dhe vendosnin ligje sipas ëndjeve të tyre.”

Burimi: Kaseta “Medh’hebu Shejtan,” min.15:59

 

Refuzimet e dijetarëve të Sunnetit për fjalët e Huvejnit

 

1. Shejkh Bin Baz, Allahu e mëshiroftë.

Pyetësi: Allahu ju dhëntë të mira, o Shejkh, disa njerëz në këtë kohë, thonë: Hakimija është nga karakteristikat më të veçanta të Teuhidit Uluhije, o Shejkh?

Shejkh Bin Baz: Jo! Më e veçanta e tij (Teuhidit Uluhije) është braktisja e shirkut. Hakimija është nga degëzimet e dispozitave (sheriatike); prijësi e ka obligim të gjykojë me Sheriat. (Gjykimi me diçka tjetër pos Sheriatit) kjo ka shtjellim. Nëse gjykon qëllimisht dhe duke e konsideruar të lejuar (istihlal), atëherë ka bërë kufër. E nëse gjykon me epsh apo për shkak të ryshfetit, atëherë kjo është mëkat, vepër e urryer dhe kufër i vogël dhe këto janë prej çështjeve të Sheriatit që vijnë pas Teuhidit të adhurimit (‘Ibadeh).

Pyetësi: O Shejkh, a hyn (Teuhidi Hakimije) te Rububija apo Uluhija?

Shejkh Bin Baz: Ka dallim, ka dallim. Ndonjëherë hyn te kufri dhe ndonëjherë hyn te mëkatet dhe te kufri i vogël, siç janë çështja e zinasë dhe pirja e alkoolit. Nëse ai e konsideron këto hallall, atëherë është kufër, e nëse nuk e konsideron atë hallall, atëherë ajo është mëkat.

Pyetësi: Allahu ju shpërbleftë me të mira o Shejkh, gjykimi me atë që nuk e ka zbritur Allahu, a është kusht besimi në këtë?

Shejkh Bin Baz: Po! Në qoftë se gjykon me atë që nuk e ka zbritur Allahu për shkak të ëndjeve të tij, kjo është kufër i vogël (kufr dune kufr), përderisa ai nuk e konsideron atë hallall, (dhe e bën këtë) në mënyrë që të mbetet në sundim, apo e bën për filanin e filanin dhe ai e di se po gabon dhe është i padrejtë, atëherë kjo është mëkat dhe është kufër i vogël.

Pyetësi: Kurse ai që vendos ligje?

Shejkh Bin Baz: Edhe sikur të vendos ligje, përderisa ai nuk e konsideron atë hallall, atëherë kjo është kufër i vogël.

Pyetësi: Edhe nëse i kundërshton dispozitat (sheriatike)?

Shejkh bin Baz: Nëse ai nuk e konsideron hallall. Kështu është edhe zinaja, në qoftë se bën zina me njëqind gra, nuk bën kufër derisa ta konsiderojë zinanë hallall. Në qoftë se do të vriste njëqind njerëz dhe nuk e konsideron hallall vrasjen, ai nuk bën kufër, siç është ngjarja e atij që vrau 99 veta, pastaj e vrau edhe një dhe i bëri njëqind të vrarë.

 

Burimi: “Sherhu Keshfi Shubuhat,” kaseta e dytë, min. 43:04

Burimi: “Sherhu Keshfi Shubuhat,” fq. 75

 

2. Shejkh Albani, Allahu e mëshiroftë.

Pyetje: Shejkhu jonë, Allahu ju begatoftë, dijetarët e Selefëve – Allahu pastë mëshirë për ta - kanë thënë se llojet e Teuhidit janë tre: Uluhije, Rububijeh dhe Esma ue Sifat. Andaj, a është e saktë që të themi: se ekziston një kategori e katër e Teuhidit, e ai është Teuhidi Hakimije apo Teuhidi i Hukmit (i gjykimit)?

Shejkh Albani: Nuk është e saktë. Nuk është e saktë. Porse refuzimi nuk duhet të jetë me këtë përgjigje. Hakimija është një nga degët e Teuhidit Uluhije dhe ata që trumbetojnë me këtë fjalë të shpikur në këtë kohë, e marrin atë si armë jo për t’ua mësuar Muslimanëve Teuhidin me të cilin erdhën të gjithë Pejgamberët dhe të Dërguarit, porse e marrin atë si armë politike.

Unë, që t’ua vërtetoj atë që thashë pak më parë dhe kësaj pyetje i jam përgjigjur herë pas here; po deshe, kjo është gjë midis meje dhe teje. Tani vetëm dëgjoni përgjigjen e pyetjes që u përmend më herët. Po deshe, do të vazhdojmë pa e përmendur atë. Unë them...

Pyetësi: Po të duash ti o Shejkhu jonë... të lexosh...

Shejkh Albani: Jo! Unë...Unë nuk dua t’ua vështirësoj njerëzve ashtu siç duan të tjerët... Unë kam thënë për të këtilla raste duke e përkrahur atë që kam thënë më herët: Përdorimi fjalës “Hakimije” është pjesë e plotësimit të thirrjes politike me të cilën shquhen disa grupe që ekzistojnë në këtë kohë.

Me këtë rast, po përmend një ngjarje që ka ndodhur mes meje dhe njërit nga hatibët në një xhami të Damaskut. Ky hatib mbajti hutben ditën e Xhuma dhe e gjithë hutbeja sillej rreth Hakimijes së Allahut – të Plotfuqishmit dhe të Madhëruarit. Ky hatib gaboi në një mesele të fikut. Kur ai e mbaroi namazin me xhemat, iu afrova, i dhashë selam dhe i thashë: “O vëlla! Ti veprove kështu e kështu dhe kjo është në kundërshtim me Sunetin,” E ai më tha: “Unë jam hanefij dhe Medh’hebi Hanefij e thotë atë që bëra unë.”

I thashë: “SubhanAllah! Ti mbajte hutbe duke thënë se Hakimija i takon vetëm Allahut – të Plotfuqishmit dhe të Madhëruarit. Ju e përdorni këtë fjalë vetëm për t’i luftuar ata udhëheqës për të cilët mendoni se janë kufar, ngase ata nuk gjykojnë me Sheriatin Islamik dhe i keni harruar vetët tuaja se kjo Hakimije përfshin çdo Musliman. Atëherë, pse ti tani, kur unë të them se i Dërguari ka vepruar kështu, ti thua: “Medh’hebi im është kështu,” ti je kontradiktor në atë që i thërret njerëzit.”

Andaj, sikur ata të mos e merrnin këtë fjalë si mjet për propagandë politike, ne u themi atyre: Ky është malli jonë që na është kthyer mbrapsht.

Kjo është thirrja jonë në të cilin i thërrasim njerëzit: në të ka Hakimijeh dhe ka tjetër pos Hakimijes: Teuhid Uluhije dhe Teuhid i adhurimit bën pjesë në Hakimije, rreth të cilës ju po trumbetoni. Ne jemi ata që e kemi përhapur atë që po e përmendni ju kur ju trumbetoni rreth Hakimijes. Hadithi i Hudhejfe ibën el-Jemanit, kur Pejgamberi – alejhi salatu ue selam - ua lexoi Sahabëve të ndershëm këtë ajet:

اتَّخَذُوا أَحْبَارَهُمْ وَرُهْبَانَهُمْ أَرْبَابًا مِنْ دُونِ اللَّهِ

“Në vend të Allahut, ata kanë zgjedhur për zot rabinët dhe murgjit e tyre.” Et-Teubeh, 31

‘Adij ibn Hatim tha: “Betohem në Allahun, ne nuk i kemi marr ata si zotra në vend të Allahut.” Ai tha:

ألستم كنتم إذا حرموا لكم حلالا حرمتموه وإذا حللوا لكم حراما حللتموه

“Nëse ata ua bënin haram diçka që ishte hallall, a nuk e bënit haram!? Dhe nëse ua bënin hallall diçka që ishte haram, e konsideronit hallall.”

Hatimi tha: “Po kështu ka qenë.”

Ai, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem, i tha:

فذاك اتخاذكم إيهام أربابا من دون الله

“Kështu ju i keni marr për zotra krahas Allahut.”

Ne jemi ata që e kemi përhapur këtë hadith dhe ai mbërriti edhe te të tjerët. Pastaj, ata e promovuan vetëm një pjesë të Teuhidit Uluhije apo Teuhidit të Adhurimit me këtë titull të hadithit që e ndjekin për një qëllim politik.

Unë nuk shoh ndonjë gjë gabim në këtë term (hakimijen), përveç nëse ata nuk do të përqendroheshin te Hakimija duke bërë propaganda dhe të punonin sipas kërkesave të Hakimjes. Hakimija – ashtu siç e thashë pak më parë – është një pjesë e Teuhidit të adhurimit. Prandaj, i sheh ata se e adhurojnë Allahun ashtu siç i teket njërit nga ata dhe nëse i thuhet – ashtu siç thamë pak më parë në lidhje me ngjarjen tonë me hatibin “Kjo vepër bie ndesh me Sunnetin! Kjo është në kundërshtim me fjalët e të Dërguarit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem).” ai thotë: “Ky është Medh’hebi im.” Hakimija nuk është vetëm kundër kufarëve dhe mushrikëve, porse ajo është edhe kundër të devotshmëve të cilët e adhurojnë Allahun me të kundërtën e asaj që ka sjellë Allahu në Librin e Tij apo Pejgamberi, ‘alejhi salatu ue selam, në Sunnetin e tij.

Kjo është përgjigja që mund të jap për një pyetje të këtillë.

Burimi: Likaun me Shebab Sabah es-Salim min el-Ku’uejt, 14 sefer 1418 h.

 

3. Shejkh Uthejmin, Allahu e mëshiroftë.

Pyetje: Allahu ju dhëntë të mira, Çfarë thoni për atë që i ka shtuar Teuhidit një kategori të katër duke e quajtur atë Teuhidi Hakimije?

Shejkh Uthejmini: Ne themi: Ai njeri është i devijuar dhe është injorant, sepse Teuhidi Hakimijeh është ta veçosh vetëm Allahun në adhurim. Pra, Gjykatësi (el-Hakim) është Allahu, i Plotfuqishmi dhe i Madhëruari. Nëse ti thua: Teuhidi është tre lloje, siç kanë thënë dijetarët, Teuhidi Hakimijeh bën pjesë në Teuhidin Rububijeh, sepse Teuhidi Rububijeh është teuhidi i gjykimit, krijimit, sistemimit që i takon vetëm Allahut, të Plotfuqishmit dhe të Madhëruarit. Kjo fjalë (teuhidi hakimije) është fjalë e shpikur dhe e refuzuar. Si na qenka vetëm Teuhidi Hakimijeh! Nuk ka mundësi që ta veçosh vetëm atë. A e ka kuptimin se pushtetari (hakim) i dynjasë të jetë një i vetëm apo çfarë kuptimi ka?

Andaj, kjo fjalë është e re, shpikur dhe e refuzuar. Kjo fjalë i refuzohet atij që e ka fabrikuar. I thuhet atij: Nëse ke patur për qëllim gjykimin (pushtetin), atëherë gjykimi i takon Allahut, të Vetmit, dhe hakimija bën pjesë në Teuhidin Rububijeh, sepse Zoti është Krijuesi, Sunduesi, Sistemuesi i të gjitha çështjeve. Kështu që kjo (teuhidi hakimije) është bidat dhe devijim.

Burimi: El-Likau el-Meftuh, 150

 

4. Shejkh Feuzan, Allahu e ruajttë.

Pyetje: Allahu ju dhëntë të mira, Shkëlqesia juaj. Ky pyetës thotë: A ka ndonjë lloj të Teuhidit i cili quhet Teuhid Hakimijeh, apo se ai bën pjesë në tre llojet e Teuhidit?

Shejkh Feuzan: Këtë e kanë shpikur hizbijt (grupet e devijuara) në këtë kohë, madje ata thonë: “Ky është kuptimi i fjalës La ilahe il-lAllah. Nëse kuptimi i fjalës La ilahe il-lAllah nuk do të kishte kuptim tjetër, atëherë vetëm ky do të ishte kuptimi i saj.” Ata nuk e përmendin adhurimin. Hakimija është brenda (Teuhidit) Uluhije dhe vetëm Hakmija nuk mjafton; duhet patjetër të pohohet Teuhidi Uluhije me të gjitha llojet e tij, porse ta marrim hakimijen dhe t’i lëmë të tjerat, atëherë kjo nuk është Teuhid. Teuhidi Uluhijeh është me të gjitha llojet e adhurimit dhe veprave të mira. Nga këto adhurime dhe vepra të mira bën pjesë edhe gjykimi për njerëzit, për fjalët e tyre. Kjo gjë i takon Allahut, të Plotëfuqishmit dhe të Madhëruarit.

Burimi: Sherhu el-Akideh es-Sefarinijeh, mësimi i 2-të.

Burimi: http://www.alfawzan.af.org.sa/node/9984

 

5. Shejkh Feuzan, Allahu e ruajttë.

Pyetje: Shejkh i nderuar. A është baza në Teuhid veçimi i Allahut me adhurim dhe teuhidi i adhurimit (teuhidu ta’ah), a do të thotë Hakimija që e pason teuhidin e adhurimit? Cili është mendimi i juaj për atë që Hakimijen e konsideron bazë, si rrjedhojë e kësaj ky person bashkohet me adhuruesin e varreve, Rafidijun, bidatçiun, esharijun duke e marrë për bazë ajetin: “Gjykimi i përket vetëm Allahut,” sepse ky dyshim po qarkullon në këtë kohë?

Shejkh Feuzan: Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit. Të gjitha lavdet janë për Allahun, lavdërimet dhe begatitë e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij dhe shokët e tij.

Më tej:

Teuhidi është që ta veçosh Allahun me adhurim me të gjitha llojet e adhurimit. Pjesë e këtyre llojeve janë adhurimi dhe Hakimija, dhe Hakimija nuk është i gjithë adhurimi. Le të supozojmë se do të zbatohet Hakimija dhe nuk zbatohen llojet e tjera të Teuhidit, atëherë vetëm Hakimja nuk mjafton dhe nuk konsiderohet Teuhid.

Ta zëmë se ekziston gjykimi me Sheriat në mesin e njerëzve, në të drejtat e njerëzve, në pasuri, në prona, në vrasje dhe në zbatimin e dënimeve, por nuk kundërshtohen adhurimi i varreve dhe tyrbeve, atëherë kjo konsiderohet shirk dhe nuk ka dobi që të sjellim vetëm njërin lloj të Teuhidit dhe ta lëmë atë që është më i rëndësishëm dhe më i madh!

Duhet patjetër që ta veçojmë Allahun me adhurim me të gjitha llojet e tij, sepse adhurimi – siç thotë Shejkhul-Islam ibën Tejmijeh – është: “Një emër gjithëpërfshirës për çdo gjë që e do Allahu dhe është i kënaqur me të, siç janë veprat dhe fjalët, qofshin ato të dukshme apo të padukshme.”

Andaj, lutja është më e madhe se Hakimija. Lutja, frika, shpresa, frikërespekti, kthimi tek Allahu, kërkimi i ndihmës në rehati, kërkimi i ndihmës në vështirësi, prerja e kurbanit, zotimi, të gjitha këto janë më të mëdha Hakimija. Ta zëmë se ekziston Hakimija, nga ana tjetër pritet kurban për dikë tjetër përveç Allahut, zotohet në dikë tjetër përveç Allahut, i luten dikujt tjetër përveç Allahut, atëherë teuhidi nuk është plotësuar dhe as nuk është plotësuar gjykimi me Akiden e Teuhidit, edhe në qoftë ekziston Hakimija. Vetëm Hakimija nuk mjafton. Kjo është fjalë e një injoranti apo e ndonjë njeriu që e thotë qëllimisht këtë duke dëshiruar që t’i devijojë njerëzit nga akideja e tyre.

Burimi: Sherhu Kitabi Teuhid, kaseta 4, min. 55:42

Burimi: http://www.alfawzan.af.org.sa/node/9971

 

6. Shejkh Feuzan, Allahu e ruajttë.

Pyetje: Shejkh i nderuar, Allahu ju dhëntë sukses, (pyetësi) thotë: Ndarja e Teuhidit në katër kategori: Rububijeh, Uluhije...

Shejkh Feuzan: Nuk ka katër! Nuk ka katër! Ka vetëm tre kategori: Teuhidi Rububijeh, Teuhidi Uluhije dhe Teuhidi Esma ue Sifat. Nuk ka katër! Çfarë thotë? Cili është i katërti?

Lexuesi: thotë se i katërti është Teuhidi Hakimije.

Shejkh Feuzan: O vëlla, Hakimija bën pjesë brenda Uluhijes. Hakimija është tek Ikhuanët (ikhuanul-musliminët), të cilët thonë Hakimija. Ai bën pjesë në Teuhidin Uluhije, sepse gjykimi me Sheriat është adhurim për Allahun, të Plotfuqishmin dhe të Madhëruarin. Kështu që, Hakimija bën pjesë në Uluhijeh. Nuk është e nevojshme që ta veçosh atë.

Burimi: Fet’hul Mexhid Sherh Kitab et-Teuhid, mësimi 78 (10/08/1435 h), min. 54:21

 

7. Shejkh Rabij el-Medkhalij, Allahu e ruajttë.

Shirku për ta s’ka rëndësi asnjëherë! Ky Teuhid s’ka vlerë për ata! Madje, ata mendojnë se ky Teuhid e përçan ummetin. Si nuk i kuptojnë bijtë e Teuhidit këto kurthe dhe këto fatkeqësi që i kanë kapluar, i kanë përçarë dhe i kanë shqyer për hir të këtyre thirrjeve boshe?!

وَمَا أَرْسَلْنَا مِنْ قَبْلِكَ مِنْ رَسُولٍ إِلَّا نُوحِي إِلَيْهِ أَنَّهُ لا إِلَهَ إِلَّا أَنَا فَاعْبُدُونِ

“Çdo të dërguar që e kemi çuar para teje, Ne i kemi shpallur se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Meje, andaj më adhuroni vetëm Mua.” El-Enbija, 25

Pra, për fjalën “la ilahe il-lAllah.”

Kjo fjalë “la ilahe il-lAllah” për ta do të thotë “la haakim il-lAllah – nuk ka gjykues tjetër përveç Allahut.” Karaktersitika më e veçantë e Uluhijes për ta është “la haakim il-lAllah.”

Ky shpjegim (që i bëjnë fjalës la ilahe il-lAllah) të bën që ta shohësh shirkun para syve, sikur s’ke parë asgjë! Shirkun të cilin e kanë luftuar Pejgamberët nuk e llogarit asgjë. Ky shpjegim është shtrembërim i domethënies “la ilahe il-lAllah”. Pastaj këtë e kanë quajtur lloj të katërt nga kategoritë e Teuhidit, duke e përdorur këtë si hile. Pastaj, pas një kohe, fillojnë të përhapin kuptimet themelore të fjalës “la ilahe il-lAllah” e që është Hakimija. Kuptojini këto kurthe politike!

Burimi: Ligjëratë me titull “Et-Teuhidu eu’uelen”, min. 14:53

Burimi: el-Mexhmu’, vëll. 1/fq. 65

 

8. Shejkh Abdul-Muhsin el-‘Abbad, Allahu e ruajttë.

Pyetje: A është e saktë ndarja e Teuhidit në katër kategori, e katërta e tyre të jetë Hakimija?

Shejkh Abbadi: Kjo nuk është e saktë, ngase Hakimija bën pjesë në tre kategoritë dhe nuk është jashtë tyre, sepse ajo është pjesë e tyre dhe nuk është kategori më vete. Sepse ta ndash atë si kategoria më vete, atëherë kuptimi i saj është diçka tjetër. Nga vet fakti se hakimija është brenda tyre (tre kategorive), nuk ka nevojë që të veçohet dhe të dallohet, ngase hakimija është brenda të tjerave (tre kategorive).

Llojet e Teuhidit janë tre, ato janë: Uluhije, Rububijeh dhe Esma ue Sifat. Teuhidi Hakimije bën pjesë në Teuhidin Uluhije dhe Rububijeh. Bën pjesë në Rububijeh nga këndvështrimi se gjykimi i takon vetëm Allahut. Allahu i Lartësuar është Ai i Cili gjykon dhe Ai është i Cili sjell ligje dhe ai (teuhidi hakimije) bën pjesë në Teuhidin Uluhijeh ngase zbatimi dhe vënia në praktikë e Sheriatit është adhurim për Allahun, e Plotfuqishëm e të Madhëruar. Kështu që, ai bën pjesë në Teuhidin Uluhije.

Burimi: Sherhu Sunen Ebi Daud, kaseta 338, min. 01:08:28

 

Përmblodhi dhe përktheu: Jeton Shasivari  

Attachments:
FileDescriptionFile size
Download this file (Hakimija - HUVEJNI.pdf)Devijimet e Huvejnit - hakimijaDevijimet e Huvejnit - hakimija790 kB