Autor: Shejkh Rabij' Ibn Hadij el-Medkhalij
Burimi: “Metodologjia e Pejgamberëve në Thirrjen drejt Allahut”
Sahabët e të Dërguarit të Allahut vuajtën format më të këqija të torturës për shkak se ishin të kapur pas akides së saktë dhe ngaqë e bënin adhurimin të pastër dhe me sinqeritet vetëm për Allahun, si dhe e refuzonin shirkun dhe kufrin.
Nga Abdullah Ibn Mes’udi i cili ka thënë:
“Njerëzit e parë që e deklaruan hapur Islamin e tyre ishin shtatë: I Dërguari i Allahut, Ebu Bekri, ‘Ammari dhe mamaja e tij Sumeja, Suhejbi, Bilali dhe Mikdadi. Të Dërguarit të Allahut i dha mbrojtje Allahu nëpërmjet xhaxhait të tij, Ebu Talibi. Ebu Bekrit i dha mbrojtje Allahu nëpërmjet njerëzve të tij. Kurse sa i përket pjesës tjetër, ata i merrnin mushrikët dhe i vishnin me një parzmore hekuri dhe i vendosnin në diell për t’i përcëlluar e për t’i djegur. Nuk pati njëri prej tyre që të mos u përgjigjej përveç Bilalit ngaqë atij iu bë vetja sikur të mos ishte gjë fare për hir të Allahut dhe njerëzit e tij nuk patën fare respekt për të. Pastaj, ata ua dhanë fëmijëve të cilët e tërhiqnin zvarrë nëpër rrugët e Mekës ndërsa ai thoshte vazhdimisht: “(Ai që ka të drejtë të adhurohet është) Një, Një.” [1]
Në Historinë e Ibn Hishamit [2] thuhet:
“Umejje Ibn Khalf e nxirrte atë (Bilalin) në nxehtësinë diellit mu në mes të ditës dhe e hidhte me shpinë në dheun e luginës së Mekkes. Pastaj jepte urdhër që t’i vendosnin mbi kraharor një shkëmb të madh. Atëherë, ai i thoshte: “Pasha Allahun, do të mbetesh kështu derisa të vdesësh, përveç nëse e mohon Muhamedin dhe adhuron Latin e Uzan.” Kurse ai thoshte, ndërsa ishte në atë gjendje: “(Ai që ka të drejtë të adhurohet është) Një, Një.”
Sumejje u torturua derisa vdiq për shkak të akides së Teuhidit e jo se ajo ishte një udhëheqëse politikane. Nga Muxhahidi, i cili ka thënë:
“Dëshmorja (shehidja) e parë në Islam ishte Sumejja, mamaja e ‘Ammarit. Ebu Xhehli i nguli asaj një heshtë në bark.” [3]
Ibn Sa’d ka thënë:
“Ajo e pranoi Islamin herët në Mekë dhe ishte një prej atyre që u torturuan për t’i detyruar që ta lëshonin Fenë e tyre. Por ajo duroi dhe nuk u dorëzua derisa erdhi Ebu Xhehli dhe i nguli heshtën në bark dhe ajo vdiq.” [4]
Fundnotat:
[1] Transmetuar nga Hakimi në el-Mustedrak (3/284) dhe e ka deklaruar sahih. Dhehebiu e ka përmendur atë në Sijer A’lamun-Nubela (1/348) dhe ka thënë: “Ai ka një zinxhir të saktë transmetimi...”
[2] Sirah Ibn Hisham (1/318).
[3] Tabakat Ibn Sa’d (8/264/265). Ai ka thënë: “Isma’il Ibn ‘Umer, Ebul-Mundhir na ka trguar se Sufjan eth-Theuri na ka transmetuar nga Mensuri, nga Muxhahid, i cili ka thënë...” Ky është një zinxhir transmetimi i saktë tek Muxhahidi.
[4] Tabakat Ibn Sa’d (8/264).
Përktheu Alban Malaj