Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin

Burimi: Fetaua Nurun ‘ala Derb, vëll. 4, fq. 2

Burimi: Silsiletu Nurun ‘ala Derb, kaseta 276, pjesa 2

 

Pyetje: Allahu ju bekoftë Shejkh i nderuar, pyetësi me inicialet M. H. XH. thotë: “Shejkh i nderuar. Lexojmë dhe dëgjojmë për ehlul-kelamin (kelamistët) dhe filozofët dhe kemi dëgjuar për to shumë nga dijetarët. Atëherë, kush janë ata? Çfarë është kelami që u atribuohet atyre? Shpresoj se me këtë do të na bëni dobi, Allahu ju shpërbleftë me të mira.

Përgjigje: Dobia për këtë është se Ehlul-Kelami janë ata të cilët i mbështeten intelektit për vërtetimin e akides duke u bazuar në logjikë dhe ata thonë: “Atë që e pranon intelekti në lidhje me cilësitë e Allahut, të Plotfuqishëm dhe të Madhëruarit, dhe çështjet e akides (besimit), atëherë edhe ne e pohojmë atë, kurse që nuk e pranon intelekti, atëherë ajo nuk pranohet dhe nuk pohohet.”

Për këtë zgjedhin njërën nga këto dy mënyra:

(E para): Nëse u jepet mundësia që ta kundërshtojnë një argument të fesë, domethënë është në pikëpyetje autenticiteti i një hadithi, atëherë e kundërshtojnë dhe cenojnë atë argument. Që do të thotë: nëse ka ndonjë hadith që flet për cilësitë e Allahut dhe ata nuk e pohojnë atë cilësi, atëherë përpiqen që ta refuzojnë këtë hadith, saqë thonë se ky hadith nuk është i vërtetë (sahih) dhe se nuk merret hadithi jo i vërtetë.

E dyta: Nëse hadithi është i saktë nga ana e autenticitetit, ata përpiqen që ta mohojnë hadithin duke e keqinterpretuar atë. Kështu e interpretojnë atë hadith me lloj-lloj interpretimesh të paqena, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me të vërtetën. Për shëmbull: Ekzistojnë bidatxhi që nuk pohojnë se Allahu i Lartësuar përshkruhet me mëshirë, ndërsa dihet që Kurani është përplot me këtë cilësi të Allahut, të Plotfuqishëm e të Madhëruar, siç është fjala e Tij, të Lartësuarit:

وَرَبُّكَ الْغَنِيُّ ذُو الرَّحْمَةِ

“Dhe Zoti yt është i Pasuri Absolut, i Cili posedon mëshirë.” El-En’am, 6

 

Dhe Fjala e Tij, të Lartësuarit:

وَهُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ

“Ai është Falës i Madh dhe Mëshirues.” Junus, 10

Ajetet që flasin për këtë temë janë shumë. Por, ata thonë: “Allahu i Lartësuar nuk ka mëshirë dhe nuk lejohet që të pershkruhet me mëshirë; me mëshirën është për qëllim vetëm bamirësia e Tij ndaj krijesave.” Pra, cilësinë e mëshirës e shpjegojnë me gjurmët e saj dhe nuk e përshkruajnë Allahun me këtë cilësi. Ose thonë: “Me mëshirën është për qëllim bamirësia ndaj krijesave.” Kurse dihet që vullneti për të bërë bamirësi është një nga frytet e mëshirës.

Pra, ata nuk kanë mundësi ta mohojnë mëshirën e Tij për nga aspekti i autenticitetit, por e mohojnë atë duke e interpretuar ndryshe, duke thënë se është për qëllim kjo e ajo.

Po ashtu thanë për Fjalën e të Lartësuarit:

وَجَاءَ رَبُّكَ

“Dhe vjen Zoti yt.” El-Fexhër, 89

Ata thonë: “Këtu është për qëllim vjen urdhri i Allahut, sepse Allahu i Lartësuar nuk mund të vijë.” Pra, nuk kanë mundësi që ta refuzojnë këtë argument për nga autenticiteti meqë ai është në Kuran, porse u përpoqën që ta refuzojnë atë nga aspekti i interpretimit dhe thanë:

وَجَاءَ رَبُّكَ

“Dhe vjen Zoti yt.” El-Fexhër, 89

Do të thotë: vjen urdhri i Zotit tënd.

Pa dyshim se çdo interpretim që nuk bazohet në argument, quhet shtrembërim. Kjo është e vërteta për këtë çështje, sepse i ke ndryshuar fjalët e Allahut dhe të Dërguarit të Tij duke e komentuar me atë që nuk për qëllim Allahu dhe i Dërguari i Ti. Kështu, kjo quhet ndryshim i fjalëve nga përmbajtja e tyre.

Pra, mutekel-limun-ët (kelamistët apo skolastikët) janë ata të cilët pohojnë akiden e tyre në lidhje me Allahun e Lartësuar dhe çështjet e Gajb-it (të fshehtës) duke u mbështetur në intelekt dhe logjikë, e jo në tesktet e fesë.

Kurse filozofët janë ata që kanë zgjedhur për fe filozofinë e trashëguar nga Greqia dhe Persia apo të ngjashmëve si këta. Edhe kjo filozofi është larg të vërtetës, por nëse ka diçka ajo që përputhet me të vërtetën, atëherë ajo është e vërtetë dhe nuk duhet t’u atribuohet mendimeve të atyre filozofëve, por t’i atribuohet Librit të Allahut dhe Sunetit të Dërguarit të Tij, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi ta dhe familjen e tij. Sepse Allahu i Lartësuar e çoi të Dërguarin me udhëzim dhe fenë e vërtetë. Ajo pjesë e filozofisë që është e pavërtetë, atëherë nuk ka mirësi në të.

 

Përktheu: Jeton Shasivari