Bismilah...

 

 


Esh’aritë e sotëm pretendojnë se Ibn Haxher el-Askalani pajtohej me medh’hebin Esh’ari dhe emri i Ibn Haxherit përmendet shpesh në listën e gjatë të atyre që ishin Esh’ari, sipas pretendimeve të tyre.

Esh’aritë kanë disa parime të caktuara që karkterizojnë medh’hebin e tyre dhe ndonëse Ibn Haxher el-Askalani ra në rrugën e tyre për sa i përket interpretimit të gabuar të Cilësive të Allahut, kjo nuk e bën atë Esh’ari. Ka një ndryshim shumë të madh midis parimeve të një njeriu që është Esh’ari dhe një personi tjetër që pajtohet me Esh’aritë në disa çështje.

 

Dhe siç do të tregohet edhe në artikujt që do të vijojnë, Ibn Haxheri nuk ishte në parimet e pabaza të Esh’arive dhe nuk mund të thuhet se Ibn Haxheri ishte Esh’ari thjesht për shkak të interpretitimit të gabuar që ka bërë ai rreth disa Cilësive të Allahut. Sepse që dikush të konsiderohet Esh’ari duhet që ai të propagandojë dhe të përkrahë vlefshmërinë e parimeve të medh’hebit Esh’ari, andaj nuk ka dyshim se Ibn Haxheri nuk ka qenë i tillë.

Në këtë seri – insha’Allah – ne do të tregojmë të gjitha vendet në veprën “Fet’hul-Bari” ku Ibn Haxher el-Askalani përmend sektin “Esha’ira” apo “Esh’arije”. Qëllimi është që të bëjmë të ditur se Ibn Haxheri (rahimehullah) flet për Esh’aritë si një grup i veçantë, si një sekt, ku thekson pikëpamjet e tyre në çështje të caktuara, të cilat trajtohen gjatë shpjegimit të haditheve (gjë që tregon se ai nuk e identifikonte veten si Esh’ari). Dhe ndonjëherë ai i përmend Esh’aritë përkrah Mu’tezilëve, siç edhe do ta shohim, insha’Allah.

Kitabul-Iman:

Ibn Haxheri përmend një nga krerët e Esh’arive, Ebu Xha’fer es-Semnani (në Kitabul-Iman, Kapitulli 13, Hadithi n. 20), se thënia që obligimi i parë që ka njeriu është të vëzhgojë, të meditojë dhe të arrijë njohjen e Allahut me argumente logjike - e cila është në përgjithësi thënie e Esh’arive – është:

…një nga çështjet e Mu’tezilëve që ka mbetur në medh’hebin (e Esh’arive)…

Ibn Haxheri nuk pajtohet me këtë pikëpamje - e cila është një nga parimet e Esh’arive – që obligimi i parë është vëzhgimi, meditimi dhe nxjerrja e argumenteve (për Krijuesin). Dhe në bazë të këtij parimi, Esh’aritë në tërësi janë të mendimit se Imani i mukalidit (pasuesit të verbër) është i pavlerë.

Ai thotë në Fet’hul-Bari, në faqet e parë të Kitabut-Teuhijd, në lidhje me pretendimin se obligimi i parë është vëzhgimi dhe meditimi:

“…dhe një grup anonin nga mendimi i obligueshmërisë së meditimit (en-nedher) dhe nxjerrjes së argumenteve (el-istidlal), siç ishte Ibn Feurak…”

Ibn Feurak (v. 406H) është një nga teologët e Esh’arive, njëkohësisht edhe student i Ebul-Hasen el-Esh’ari.

Ibn Tejmije (rahimehullah) shpjegon në Dar’ut-Te’arudil-‘Akl (8/6-10) atë që është e saktë:

“Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) nuk thirri askënd që të meditojë (rreth krijesave për të nxjerrë argumente për egzistencën e Allahut) dhe as thjesht për të pohuar egzistencën e një krijuesi. Por, gjëja e parë në të cilën ai i thirri ishin dy dëshmitë (e besimit) dhe me këtë i urdhëroi Shokët e tij.”

Kitabul-‘Ilm:

Këtu Ibn Haxheri përmend (rahimehullah) teologët filozofë të Esh’arive. Ai thotë duke iu referuar hadithit që diskuton (hadithi n.128):

“…dhe disa teologë filozofë (mutekelimun) të Esha’irave kanë përdorur si argument nga thënia e tij…”

Kjo është në kontekstin e diskutimit të Kaderit dhe se a ndikon robi apo jo në veprimin e tij. Shihet edhe në vende të tjera se Ibn Haxheri anon drejt asaj që në thelb është doktrina el-Kasb (sipas të cilës njeriu është i imponuar në veprimet e tij dhe nuk ka liri veprimi), një nga doktrinat e Esh’arive, të cilën Ibn Haxheri e konsideron si mendim të Ehli-Sunetit. Insha`Allah, kjo çështje do të preket në një artikull të veçantë. Siç thamë më parë, pajtimi me Esh’aritë në disa çështje nuk e bën personin Esh’ari, gjë që do ta shohim më vonë insha`Allah. Ibn Haxheri i hedh poshtë Esh’aritë dhe gjithashtu e ka rrënuar një nga parimet e rëndësishme të tyre rreth obligimit të parë që ka robi.

Kitabul-Kadr:

Këtu Ibn Haxheri përmend Hanefitë, “Esha’irat” dhe “Esh’aritë”. Përmendja e tyre është në kontekstin e hadithit në lidhje me atë që bën veprat e Xhenetit gjatë gjithë jetës së tij dhe pastaj vuloset fati i tij me vepra të Xhehenemit dhe anasjelltas dhe disa çështje të tjera që dalin prej tij rreth Kaderit të Allahut. Ai thotë:

“…kundërshtimi në atë çështje midis Esha’irave dhe Hanefive është bërë mëse i njohur dhe Esha’irat janë ngjitur pas këij hadithi, kurse Hanefitë janë ngjitur pas thënies së Allahut të Lartësuar: “Allahu fshin çfarë të dojë e ngulit çfarë të dojë (në këtë libër)” [er-Ra’d, 39]”

Pra, nga këto shembuj shohim se nga mënyra se si Ibn Haxher el-Askalani flet rreth Esh’arive është sikur ai po flet për një grup ndër grupet e shumta (të devijuara) dhe se ai nuk hyn tek ai grup.

 

 

Përktheu Alban Malaj