Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: Sualun ue Xheuab Mustakhraxhetun min Sherh el-Fetaua el-Hamauijeh, nr. 1024
Pyetje: Shejkh i nderuar, Allahu ju dhëntë sukses. Ka njerëz që thonë se Esharijt janë Ehli Sunneti dhe Xhemati dhe këtë e thonë me argumentin se ata janë shumica më e madhe në botën Islame dhe argumentohen me fjalën e Pejgamberit, sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem: "Ndiqni shumicën më të madhe!" Cili është refuzimi për këtë fjalë?
Përgjigje: Fjala "Ndiqni shumicën më të madhe!" do të thotë atë që është në të vërtetën. Pra, ai grup që është në të vërtetën është shumica më e madhe, edhe në qoftë se janë të pakët. Kurse ai që është në të pavërtetën, edhe në qoftë se është në numër i madh, ai është në të pavërtetën.
وَإِنْ تُطِعْ أَكْثَرَ مَنْ فِي الْأَرْضِ يُضِلُّوكَ عَنْ سَبِيلِ اللهِ
“Nëse ti u bindesh shumicës së atyre që janë në tokë, ata do të devijojnë ty nga rruga e Allahut.” El-En’am, 116
وَمَا أَكْثَرُ النَّاسِ وَلَوْ حَرَصْتَ بِمُؤْمِنِينَ
“Shumica e njerëzve nuk janë besimtarë, edhe pse ti dëshiron (që ata të besojnë).” Jusuf, 103
وَمَا وَجَدْنَا لِأَكْثَرِهِمْ مِنْ عَهْدٍ وَإِنْ وَجَدْنَا أَكْثَرَهُمْ لَفَاسِقِينَ
“Te shumica e tyre gjetëm se nuk i përmbaheshin premtimit të dhënë, porse shumicën e tyre i gjetëm se ishin të pabindur (ndaj urdhrave të Allahut dhe të dërguarve të Tij).” El-E’araf, 102
Nuk është thjesht shumicë, porse kriteri është e vërteta. Ai që është në të vërtetën ai është shumica më e madhe, edhe në qoftë se numri i tyre është i vogël, e ata janë Ehli Sunneti dhe Xhemati; edhe në qoftë se janë një a dy veta, ata janë Ehli Sunneti dhe Xhemati. Nuk merret parasysh shumica, por ajo që merret parasysh është metodologjia që ata ndjekin. Esharijt nuk janë prej Ehli Sunnetit dhe Xhematit.
Si na qenkan prej Ehli Sunnetit dhe Xhematit kur ata i mohojnë cilësitë e Allahut apo shumicën e tyre? Si na qenkan ata prej Ehli Sunnetit dhe Xhematit? Si na qenkan ata prej Ehli Sunnetit dhe Xhematit kur ata e marrin për referencë logjikën dhe polemikën, e nuk e marrin për referencë Kuranin dhe Sunnetin në çështjet e Akides? Fakti që ata janë shumicë, s’do të thotë që ata janë nga Ehli Sunneti dhe Xhemati. S’do të thotë! Numri i madh nuk tregon se je në të vërtetën, por ajo që tregon se je në të vërtetën është argumenti i saktë.
Pra, ti mos shiko shumicën, porse ti shiko rrugën që ata ndjekin.
Përktheu: Jeton Shasivari