Autor: Muhamed Ibn ‘Umer Bazmul
Me Emrin e Allahut. E gjithë lavdia i takon Allahut. Lavdërimet dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, si dhe mbi Familjen e tij, mbi Shokët e tij dhe të gjithë ata që e pasuan atë.
Ky vëllai pyet se ç’gjykim ka ajo që njihet si “e drejta e autorit”? Po ju pyes sepse unë kam një faqe në internet në të cilën përkthej fetva të disa dijetarëve dhe studentëve të tyre. Pastaj, unë jap shërbimin tim në këto përkthime dhe në çdo gjë të nevojshme që lidhet me to, duke vendosur fusnota për suret dhe ajetet e Kur'anit, burimin e haditheve, si dhe jap sqarim për disa terma të cilat mund të hasen në fjalën e autorit të fetvasë. Duhet pasur parasysh se unë nuk i përhap këto fetva apo këto artikuj veçse pasi që kam marrë leje nga autori. Kështu që, a ka të drejtë ndokush që të marrë atë që vendos unë në faqen time dhe ta publikojë në faqen e tij?
Si përgjigje për këtë pyetje them se: kjo është një prej çështjeve dhe dukurive që janë shfaqur në këtë shekull, e cila njihet si “el-Hukuukel-Fikrijjeh” [të drejtat intelektuale] apo “el-Hukuukel-Ma’neuijjeh” [të drejtat morale].
Dhe ajo që është e qartë nga fjalët e njerëzve të Dijes, ata të cilët e kanë studiuar këtë çështje, është se i jepet e drejta autorit të shkrimit, apo autorit të përkthimit, apo autorit të veprës për atë gjë që ka bërë, dhe askush nuk ka të drejtë që të transportojë nga fjalët e tij, për të cilat ai u lodh, derdhi mund, punoi dhe e publikoi në faqen e tij. Askush nuk ka të drejtë që ta marrë atë nga faqja e tij pa treguar autorin e saj apo pa marrë leje nga autori i saj. E me të vërtetë kjo është një formë shkeljeje e të drejtave.
Mirëpo, disa prej njerëzve të Dijes kanë bërë të ditur për një vërejtje tjetër, e cila është: se duhet të ketë njëfarë tolerimi për çështjet e Fesë, çështjet e Sheriatit, në mënyrë që dobia në to të jetë sa më e madhe, por me kushte. Prej këtyre kushteve:
1 – t’i atribuohet dobia atij që e solli atë,
2 – të përmbushet amaneti i përcjelljes dhe përmendja e burimit me saktësi,
3 – të merret leje nëse është e mundur, ashtu siç e përmban Sheriati.
Dhe kuptimi i këtyre fjalëve të dijetarëve është që të ketë tolerancë në kompensimin financiar për këto të drejta intelektuale në çështjet që lidhen me Fenë. Dhe kjo fjalë në realitet është një këndvështrim. Shejkh Salih el-Husejjin, Drejtori i Përgjithshëm i Kryesisë së Dy Haremeve, e ka trajtuar këtë temë në një hulumtim të mirë që ka të bëjë me studimet rreth Sheriatit dhe Fik’hut.
Gjithashtu, prej hulumtimeve të mëhershme që janë bërë në këtë fushë është edhe ai që ka bërë Dr. Fet`hi ed-Durajni. Ai e ka studiuar çështjen që lidhet me të drejtën intelektuale. Gjithashtu, ka edhe një numër shkrimesh të tjera rreth kësaj çështjeje, dhe të gjitha ato nxjerrin përfundimin se:
1 – pronësia intelektuale dhe të drejtat e autorit janë legjitime dhe i përkasin hulumtuesit, autorit ose përkthyesit,
2 – nuk duhet të shkelet e drejta e tij,
3 – nëse ka ndonjë përfitim financiar (që lidhet me punën e bërë), atëherë ai e meriton atë më shumë se kushdo qoftë tjetër,
4 – nuk mund të nxirret përfitim nga kjo vepër, veçse pasi që të merret leje nga autori i saj, dhe pasi që të përmbushet amanetin në transportim dhe në atribuim,
5 – dhe të publikohet ajo vepër në atë formë me të cilën është i kënaqur autori i saj.
Kjo është ajo që di rreth kësaj çështjeje. Dhe Allahu e di më së miri.
Pyetësi: Po nëse dikush merr disa nga përkthimet apo takhrixhate (nxjerrje të zinxhirëve të haditheve), apo punë të tjera që i bëri dhe i përktheu autori i tyre, dhe pastaj i vendos në faqen e tij pa ia referuar burimit nga i mori, ose pa vendosur ndonjë link (lidhje) të burimit apo ndonjë të dhënë tjetër. Atëherë çfarë duhet të bëjë ai dhe si të sillemi me atë kur e bën një gjë të tillë?
Përgjigje: Përgjigja për këtë pyetje është tek ajo që sapo thashë, se me të vërtetë ky veprim është shkelje ndaj pronës së vëllait të tij Musliman. Dhe ky veprim është i ngjashëm me vjedhjen sepse kjo është vjedhje e të drejtës së autorit. Dhe vjedhja sipas përkufizimit Sheriatik është marrja e gjërave me vlerë çerek dinari apo më shumë.
Sidoqoftë, unë them se është detyrë për atë që e ka bërë këtë veprim që ta fshijë materialin, të kërkojë leje nga pronari dhe të mos e publikojë atë derisa të marrë lejen e tij. Dhe nëse ai e ka shfrytëzuar këtë material, ka bërë ndryshime dhe ka tjetërsuar në të dhe ka mashtruar në të, atëherë kjo që ka bërë ai është krim ndaj autorit të materialit origjinal dhe krim ndaj mundit të këtij vëllait që bëri këtë përkthim apo mësim, dhe ky është veprim i pahijshëm.
Dhe s’ka dyshim se, njerëzit që kanë frikë, që janë të kapur pas fesë dhe kanë devotshmëri, kujdesen përherë që të arrijnë bereqetin. Porse, nuk arrihet bereqeti në diçka duke e ndjekur këtë rrugë. Nëse informacioni merret me këtë rrugë, atëherë në të s’do të ketë bereqet. Nëse kjo bëhet në shit-blerje, i Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:
“Dy pjesëmarrësit në tregti kanë të drejtën e zgjedhjes për sa kohë që nuk ndahen nga njëri-tjetri. Nëse thonë të vërtetën dhe sqarojnë, atëherë do të kenë bereqet në tregtinë e tyre. Por nëse ata gënjejnë dhe fshehin, atëherë largohet bereqeti nga tregtia e tyre.”
Kështu që, nëse çështja është e tillë te shit-blerja, atëherë si do të jetë çështja për të drejtat e autorit që janë të lidhura me çështjet e Fesë, me çështjet e Dauetit dhe me çështjet e Sheriatit? S’ka dyshim që bereqeti largohet nga kjo gjë dhe mbaron.
Madje edhe dijetarët e hershëm – Allahu pastë mëshirë për ta –, kanë thënë, sikurse Ebu ‘Ubejd el-Kasim Ibn Sel-lam, etj:
“Prej bereqetit të dijes, është referimi i çdo fjale atij që i ka thënë.”
Kështu që, nëse fiton ndonjë dobi nga dikush, atëherë thuaj: “Këtë dobi nuk e kam ditur më parë, e kam mësuar nga filani.” Ose: “Filani është ai që ma ka mësuar këtë dobi.”
Atëherë ç’mund të thuhet për dikë që vjen dhe merr kontributin e dikujt tjetër që ka punuar për muaj, për ditë të tëra, për orë të tëra, e merr kontribut ashtu siç është dhe pastaj e vendos në faqen e tij, madje pa treguar apo përmendur autorin e kësaj pune?! A është e lejuar kjo gjë? A është e hijshme kjo gjë?
Përgjigja në bazë të asaj që është e dukshme është se kjo nuk është e lejuar dhe se ai ka bërë një vepër për të cilën duhet të shpejtojë të bëjë teube – të pendohet nga ai veprim –, t’i kërkojë ndjesë autorit të punës dhe t’i kërkojë leje për të.
Kurse autori i punës duhet të bashkëpunojë me vëllain e tij, se ndoshta ai ka qenë xhahil – injorant, ose ndoshta ai ka qenë i rrëmbyer nga entuziazmi dhe nuk ia vuri veshin kësaj çështjeje. Prandaj ai duhet ta falë e të bashkëpunojë me të.
Dhe të gjithë duhet të përpiqen që t’ua mësojnë njerëzve këtë çështje. Dhe çdo njeri duhet të ruajë hakun e tjetrit dhe të mos ndodhin të tilla gjëra ku shkelen të drejtat (e njerëzve). Islami thërret për mbrojtjen e të drejtave si këto, në ruajtjen e tyre dhe në mos-shkeljen e mos-cënimin e tyre.
Dhe Allahu e di më së miri.
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org
Përktheu: Alban Malaj