Shejkh Muhamed Nasirud-Din el-Albani
Burimi: Libri i Shejkh Albanit, "Ahkamul-Xhenaizi ue Bid'auha," fq. 213, botimi "Mektebetul-Me'arif," në Rijad, 1412H /1992
Të vdekurit i bëjnë dobi disa vepra:
E para: Lutja e muslimanit për të, nëse përmbushen kushtet e pranimit (të lutjes), për shkak të Fjalës së Allahut të Lartësuar:
وَالَّذِينَ جَاءُوا مِنْ بَعْدِهِمْ يَقُولُونَ رَبَّنَا اغْفِرْ لَنَا وَلِإِخْوَانِنَا الَّذِينَ سَبَقُونَا بِالإِيمَانِ وَلا تَجْعَلْ فِي قُلُوبِنَا غِلًّا لِلَّذِينَ آمَنُوا رَبَّنَا إِنَّكَ رَءُوفٌ رَحِيمٌ
“Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” el-Hashr, 10
Ndërsa hadithet janë të shumta, disa prej tyre u përmendën më parë, dhe disa prej tyre do vijnë tek (kapitulli) i vizitës së varreve dhe lutja e Profetit (sal-lAllahu 'alejhi ue selem) për ta dhe urdhri i tij për këtë gjë, dhe prej atyre është fjala e tij (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-em):
دَعْوَةُ الْمَرْءِ الْمُسْلِمِ لِأَخِيهِ بِظَهْرِ الْغَيْبِ مُسْتَجَابَةٌ عِنْدَ رَأْسِهِ مَلَكٌ مُوَكَّلٌ كُلَّمَا دَعَا لِأَخِيهِ بِخَيْرِ قَالَ الْمَلَكُ الْمُوَكَّلُ بِهِ: آمِينَ. وَلَك بِمِثْلِ
“Duaja e një njeriu musliman për vëllanë e tij kur ai nuk është i pranishëm është e pranuar, tek koka e tij është një melek i autorizuar, sa herë që lutet për vëllain e tij për të mirë, meleku i autorizuar për këtë (lutje) thotë: Amin edhe për ty qoftë ashtu.”
Këtë hadith e ka nxjerr Muslimi (87, 86/8), Ebu Daudi (240/1)dhe Ahmedi (452/6) nga hadithi i Ebi Derdas.
Madje, pjesa më e madhe e namazit të xhenazes është fakt për këtë, sepse pjesa më e madhe është lutje për të vdekurin dhe kërkim faljeje për të, siç u përmend më parë sqarimi për këtë gjë.
E dyta: Agjërimi i të afërmit të të vdekurit për të plotësuar agjërimin e zotuar të të vdekurit. Dhe për këtë ka hadithe:
Hadithi i parë: Transmetohet nga 'Aisheja (radijAllahu 'anha) se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë:
من مات وعليه صيام، صام عنه وليه
“Ai që ka vdekur dhe nuk e ka plotësuar agjërimin, për të agjëron i afërmi i tij.”
E ka nxjerr Buhariu (156/4) dhe Muslimi (155/4), Ebu Daudi (376/1) dhe të tjerë.
Hadithi i dytë: Transmetohet nga Ibn Abbasi (radijAllahu anhuma): Një grua hypi në anije dhe u zotua, në qoftë se Allahu (Tebareke ue Te'ala) do ta shpëtonte, do të agjëronte një muaj, kështu që Allahu ('Azze ue Xhel-le) e shpëtoi, por ajo nuk e agjëroi gjersa vdiq, kështu që erdhën disa të afërm të saj (motra apo bija e saj) tek Pejgamberi (sal-Allahu 'alejhi ue sel-lem) dhe ia përmendin atij këtë rast, e ai tha:
أرأيتك لو كان عليها دين كنت تقضينه؟ قالت:نعم.قال:فدين الله أحق أن يقضى [فـ] اقض [عن أمك]
“Ç’farë mendon nëse ajo të kishte borxh, a do t'ia shlyeje atë? Ajo tha: “Po.” Ai tha: “Atëherë, borxhi i Allahut ka më shumë të drejtë që të shlyhet, (andaj) shlyeje borxhin (e nënës tënde).”
E ka nxjerr Ebu Daudi (81/2), Nesaiu (143/2) dhe të tjerë.
Hadithi i tretë: Po ashtu transmetohet nga Ibn Abbasi se S'ad bin 'Ubadeh (radijAllahu 'anhuma) e pyeti të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem):
إن أمي ماتت وعليها نذر؟ فقال: اقضه عنها
“Nëna ima ka vdekur dhe ajo është zotuar?” Ai tha: “Shlyeje ti për atë.”
E ka nxjerr Buhariu (494, 400/5), Muslimi (76/6) dhe të tjerë.
Unë (Shejkh Albani) them: Këto hadithe të shkoqitura janë argument për ligjësimin e agjërimit të të afërmit për të shlyer agjërimin e zotuar për të vdekurin, nga ana tjetër hadithi i parë tregon për përgjithësimin e tij për diçka tjetër përveç kësaj e ai është agjërimi për të vdekurin për agjërimin Farz gjithashtu. Këtë e kanë thënë Shafijtë dhe ky është Medh'hebi i Ibn Hazmit (8, 2/7) dhe të tjerëve.
E treta: Shlyerja e borxhit për të vdekurin nga cilido qoftë, qoftë i afërm apo dikush tjetër, dhe për këtë ka hadithe të shumta që u përmendën më parë.
E katërta: Veprat e mira që i bën i bën fëmija i mirë. Vërtet prindërit kanë shpërblimin e njëjtë sikur të tij, duke mos u pakësuar asgjë nga shpërblimi i fëmijës, sepse fëmija është prej mundit të tyre dhe punës së tyre.
Allahu ('Azze ue Xhel-le) thotë:
وَأَن لَّيْسَ لِلإنسَانِ إلاَّ مَا سَعَى
“Dhe se njeriu do të ketë vetëm atë për të cilën ka punuar.” en-Nexhm, 39
Dhe i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë:
إِنَّ أَطْيَبَ مَا أَكَلَ الرَّجُلُ مِنْ كَسْبِهِ، وَأَنَّ وَلَدَهُ مِنْ كَسْبِهِ
“Ushqimi më i mirë të cilin e ha njeriu është ai që e ka fituar vet dhe padyshim që fëmija i tij është nga fitimi (puna) e tij.”
E ka nxjerr Ebu Daudi (108/2), Nesaiu (211/2), Tirmidhiu (287/2) dhe të tjerë me zinxhir (sened) të mirë.
Ajo që u përmend si argument me ajetin dhe hadithin, e përforcojnë atë disa hadithe të veçanta që flasin për përfitimin e prindërit nga vepra e fëmijës së devotshëm, siç janë sadakaja, agjërimi, lirimi i robit etj, e ato hadithe janë:
Hadithi i parë: Transmetohet nga 'Aisheja (radijAllahu 'anha) se një burrë i ka thënë (Pejgamberit): “Nëna ime vdiq papritmas, dhe nuk la testament, mendoj se sikur të fliste (d.m.th kur ka qenë gjallë) do jepte sadaka. A merr ajo shpërblim nëse unë jap sadaka për të, si dhe të kem edhe unë shpërblim (nga kjo sadaka që e jap unë)? Ai tha: “Po, andaj jep sadaka për të.”
Hadithi i dytë: Transmetohet nga Ibn 'Abasi (radijAllahu 'anhu) se S'ad bin 'Ubadeh - u vëllazërua me (fisin) Beni Se'adeh – nëna e tij e tij vdiq dhe ai nuk ishte i pranishëm, kështu që i tha: “O i Dërguari i Allahut, nëna ime vdiq dhe unë nuk isha i pranishëm, prandaj a i bën dobi asaj nëse unë jap sadaka ndonjë gjë për të?” Ai tha: “Po.” Ai (pyetësi) tha: Pra, unë të kam ty dëshmitar se kopshtin (i quajtur) Mikhraf do ta jap sadaka për të.”
E ka nxjerr Buhariu (307, 301, 297/5), Ebu Daudi (15/2), Nesaiu (130/2), Tirmidhiu (25/2) dhe Bejhekiu (278/6) dhe Ahmedi (3508 – 3504 - 3080).
Hadithti i tretë: Transmetohet nga Ebu Hurejrah (radijAllahu 'anhu) se një njeri i tha Pejgamberit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem): “Babai im vdiq dhe la pasuri por nuk la testament, a i falen atij gjynahet nëse unë jap sadaka për të?” Ai tha: “Po.”
E ka nxjerr Muslimi (83/5), Nesaiu (129/2), Ibn Maxheh (160/2) Bejhekiu (278/6) dhe Ahmedi (371/2).
Hadithi i katërt: Transmetohet nga Abdullah bin Amri se el-'As Bin Uail es-Sehmi kishte lënë testament që të liroheshin për të njëqind robër. Kështu që, biri i tij Hishami liroi pesëdhjetë robër, kurse biri tjetër Amri dëshironte të liroj edhe pesëdhjetë që kishin mbetur, dhe tha se dua ta pyes të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem), prandaj shkoi te Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, babai im la testament që të liroheshin për të njëqind robër, kurse Hishami ka liruar për të vetëm pesëdhjetë, dhe kanë mbetur që të lirohen për të edhe pesëdhjetë, a t'i liroj unë për të?” I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) tha:
إِنَّهُ لَوْ كَانَ مُسْلِمًا فَأَعْتَقْتُمْ عَنْهُ أَوْ تَصَدَّقْتُمْ عَنْهُ أَوْ حَجَجْتُمْ عَنْهُ بَلَغَهُ ذَلِكَ
“Vërtet nëse ai ka qenë Musliman, dhe ju të keni liruar robër për të, apo të keni dhënë sadaka për të, apo të keni bërë Haxh për të, (të gjitha këto vepra) do t'i arrinin atij.”
Kurse në një transmetim tjetër thotë:
فَلَوْ كَانَ أَقَرَّ بِالتَّوْحِيدِ، فَصُمْتَ، وَتَصَدَّقْتَ عَنْهُ، نَفَعَهُ ذَلِكَ
“Nëse ai e ka pohuar Teuhidin, atëherë do (mund) të agjëroje për të dhe të jepje sadaka për të, kjo do t'i bënte dobi atij.”
E ka nxjerr Ebu Daudi në fund të “el-Uesaja,” (15/2), Bejhekiu (279/6), Ahmedi (nr. 6704) dhe ka një transmetim tjetër, dhe isnadi i tyre është sahih.
E pesta: Gjurmët e mira që ka lënë pas dhe sadakatë e vazhdueshme, për shkak të fjalës së Allahut të Madhëruar e të Lartësuar:
وَنَكْتُبُ مَاَ قَدَّمُواْ وَآثَارَهُمْ
“Dhe shënojmë veprat që kanë bërë dhe gjurmët e (punëve të) tyre.” Jasin, 12
Dhe për këtë ka hadithe:
Hadithi i parë: Transmetohet nga Ebu Hurejrah (radijAllahu 'anhu) se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ka thënë:
إِذَا مَاتَ الإِنْسَانُ انْقَطَعَ عَنْهُ عَمَلُهُ إِلاَّ مِنْ ثَلاَثَةِ أَشْيَاءَ مِنْ صَدَقَةٍ جَارِيَةٍ أَوْ عِلْمٍ يُنْتَفَعُ بِهِ أَوْ وَلَدٍ صَالِحٍ يَدْعُو لَهُ
“Kur njeriu vdes i ndërpritet e tëra puna e tij, përpos tre gjërave: sadakasë së vazhdueshme, apo diturisë prej së cilës ka dobi (pas vdekjes së tij), apo fëmijës së devotshëm i cili lutet për të” [1].
E ka nxjerrë Muslimi (73/5), Ebu Daudi (15/2), Nesaiu (129/2), Tahauiju në “el-Mushkil,” (85/1), Bejhekiu (278/6) dhe Ahmedi (372/2).
Hadithi i dytë: transmetohet nga Ebi Katadeh i cili ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem):
خَيْرُ مَا يُخَلِّفُ الرَّجُلُ مِنْ بَعْدِهِ ثَلاَثٌ وَلَدٌ صَالِحٌ يَدْعُو لَهُ وَصَدَقَةٌ تَجْرِي يَبْلُغُهُ أَجْرُهَا وَعِلْمٌ يُعْمَلُ بِهِ مِنْ بَعْدِهِ
“Mirësitë më të madhe që njeriu lë pas tij janë tre: fëmija i mirë që bën du'a për të, sadakaja e vazhdueshme shpërblimi i së cilës do t'i arrij atij dhe dija e me të cilën veprohet pas tij.”
E ka nxjerr Ibn Maxheh (106/1), Ibn Hibbani në Sahihun e tij (nr. 75,74), Taberani në “el-M'uxhem es-Sagir,” (fq. 79) dhe Ibn 'Abdul-Birri në “Xhami'u Bejani-'Ilmi,” (15/1), dhe isnadi i tij është sahih siç ka thënë Tirmidhiu në “et-Tergib.”
Hadithi i tretë: po ashtu transmetohet nga Ebi Hurejrah i cili ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem):
إِنَّ مِمَّا يَلْحَقُ الْمُؤْمِنَ مِنْ عَمَلِهِ وَحَسَنَاتِهِ بَعْدَ مَوْتِهِ عِلْمًا عَلَّمَهُ وَنَشَرَهُ وَوَلَدًا صَالِحًا تَرَكَهُ وَمُصْحَفًا وَرَّثَهُ أَوْ مَسْجِدًا بَنَاهُ أَوْ بَيْتًا لاِبْنِ السَّبِيلِ بَنَاهُ أَوْ نَهْرًا أَجْرَاهُ أَوْ صَدَقَةً أَخْرَجَهَا مِنْ مَالِهِ فِي صِحَّتِهِ وَحَيَاتِهِ يَلْحَقُهُ مِنْ بَعْدِ مَوْتِهِ
"Vërtet nga ajo që do t'i arrijë besimtarit pas vdekjes së tij nga dija dhe veprat e tij të mira janë: Dijen të cilën ua mësoi të tjerëve dhe që e shpërndau; fëmijën e mirë që e ka lënë pas, një kopje të Kuranit që e ka lënë si trashëgimi, një xhami që e ka ndërtuar; apo një shtëpi që e ka ndërtuar për udhëtarët, apo një kanal (që e ka hapur) për të rrjedhur uji i lumit, apo sadakanë që e ka dhënë prej pasurisë së tij gjatë jetës së tij kur ka qenë me shëndet të mirë. Këto (vepra) do t'i arrijnë atij pas vdekjes së tij."
E ka nxjerr Ibn Maxheh (106/1) me zinxhir të mirë (hasen), dhe e ka transmetuar Ibn Khuzejmeh në Sahihun e tij (2490), dhe po ashtu Bejhekiu në “Sh'ubel-Iman,” (3448).
Hadithi i katërt: Transmetohet nga Xherir bin Abdil-Lah (radijAllahu 'anhu) i cili ka thënë: Ishim një paradite tek i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem), gjatë kësaj kohe, erdhën disa njerëz të zbathur dhe të zhveshur, që kishin veshur tesha të leshta me vija apo rroba, shpatat i kishin të varura në qaf, dhe nuk kishin veshur as fustanella e asgjë tjetër, shumica e tyre ishin prej (fisit) Mudar, madje të gjithë ishin prej fisit Mudar. Profetit (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) i ndryshoi çehrja kur e pa atë varfëri. Profeti hyri (në shtëpinë e tij) dhe pastaj doli. E urdhëroi Bilalin dhe ai e thirri ezanin dhe e falën Drekën, pastaj u ngjit tek një minber i vogël, pastaj mbajti hutbe duke e falenderuar Allahun dhe duke lavdëruar Atë, pastaj tha:
Më tej: Allahu vërtet zbriti në Librin e Tij:
يا أيها الناس اتقوا ربكم الذي خلقكم من نفس واحدة وخلق منها زوجها وبث منهما رجالا كثيرا ونساء واتقوا الله الذي تساءلون به والارحام إن الله كان عليكم رقيبا
"O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju." en-Nisa, 1
Dhe ajeti që është në (Suren) el-Hashr:
يا أيها الذين آمنوا اتقوا الله ولتنظر نفس ما قدمت لغد واتقوا الله ، إن الله خبير بما تعملون، ولا تكونوا كالذين نسوا الله فأنساهم أنفسهم، أولئك هم الفاسقون، لا يستوي أصحاب النار وأصحاب الجنة، أصحاب الجنة هم الفائزون
"O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju! Mos u bëni si ata që e harruan Allahun, kështu që Ai i bëri të harronin vetveten! Pikërisht ata janë të pabindurit (ndaj Allahut). Nuk janë të barabartë banorët e Xhehenemit dhe banorët e Xhenetit; banorët e Xhenetit do të jenë të fituarit." el-Hashr, 18-20
Jepni sadaka, përpara se t'ju pengoj diçka në mes jush dhe sadakasë, njeriu jep sadaka nga dinari dhe dirhemi i tij, me rrobën e tij, me një sa'a nga gruri, elbi dhe hurmat e tij, deri ku tha: Askush të mos zhvlerësoj diçka nga sadakaja, qoftë edhe një gjysmë hurme. Ata e morën avash derisa u shfaq zemërimi në fytyrën e tij. Kështu që erdhi një njeri prej Ensarëve me qeskë me vete që kishte argjend (në një transmeti tjetër – kishte ar), aq sa nuk mund ta mbante me dorë, vërtet s'mund ta mbaje dot me dorë.
Pra, ia dha të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) gjersa ai ishte në minderin e tij, e i tha (Profetit): “O i Dërguari i Allahut, kjo është për në rrugë të Allahut”. Kështu i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) e morri. Pastaj u ngrit Ebu Bekri dhe solli (sadaka), pastaj u ngrit Umeri dhe solli (sadaka), pastaj u ngritën muhaxhirët dhe ensarët dhe dhanë sadaka, pastaj i pasuan njerëzit duke dhënë sadaka. Kishte nga ata që jepnin dinar, dhe nga ata që jepnin dirhem, dikush jepte ndonjë gjë tjetër, derisa sa pashë dy grumbuj me ushqim dhe rroba, dhe e pashë se fytyra e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) ndriçonte (nga gëzimi) sikur të ishte e praruar, kështu që i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) tha:
من سن في الإسلام سنة حسنة فله أجرها ، و[مثل] أجر من عمل بها بعده من غير أن ينقص من أجورهم شيء ، ومن سن سنة في الإسلام سيئة كان عليه وزرها و[مثل] وزر من عمل بها من بعده من غير أن ينقص من أوزارهم شيء
“Ai që sjell (ringjall) një sunet të mirë në Islam, ai merr shpërblim për këtë dhe ka shpërblimin e njëjtë të atyre që e praktikojnë atë pas (vdekjes) së tij duke mos i pakësuar aspak nga shpërblimi i tyre, dhe ai që sjell (ringjall) një traditë të keqe në Islam, ai ka gjynah për këtë, dhe ka gjynahun e njëjtë të atyre që e praktikojnë pas (vdekjes) së tij duke mos iu pakësuar aspak nga mëkatet e tyre”. [2]
Pastaj e lexoi këtë ajet:
ونكتب ما قدموا وآثارهم
"Dhe shënojmë veprat që kanë bërë dhe gjurmët e (punëve të) tyre." Jasin, 12
Pastaj e ndau (sadakanë) mes atyre.
E ka nxjerr Muslimi (62, 61/8 dhe 89, 88/3), Nesaiu (356 dhe 355/1) Darimijju (127 dhe 126/1) Tahauiju në “el-Mushkil” (97 dhe 93/1) si dhe Bejhekiu, Ahmedi, ibn Ebi Hatim, të tjerë. Dhe zinxhiri i tij është sahih.
Fundnotat:
[1] Është kushtëzuar me (fëmijën) e mirë sepse shpërblimi nuk i vjen prej dikujt tjetër përveç prej këtij, ndërsa veprat e këqija të fëmijës së tij nuk i shkojnë prindërit, gjersa qëllimi i tij ka qenë që fëmija të bëj mirë, kurse du’anë që e ka përmendur (për prindin) është inkurajim për (fëmijën) që të bëj du'a për babanë e tij, e jo se kjo është kushtëzim, sepse shpërblimi i arrin prindërit nga fëmija i tij i mirë, çdoherë që bën vepra të mira qoftë kur lutet apo nuk lutet për babanë e tij, sikur ai që mbjell një pemë: atij i shkon shpërblimi nga ata që hanë prej frutave të saj, qoftë nëse lutet për të ai që ha (nga kjo pemë) apo nuk lutet. E njëjta gjë vlen edhe për nënën. Kështu thuhet në (librin) “el-Mubarekul-Ez'har fi Sherhi Mesharikul-Enuar,” të Ibn Melek.
[2] (Vini re) Disa ithtarë të bidateve e marrin për argument fjalën e tij (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) në këtë hadith: “Ai që sjell (ringjal) një traditë të mirë në Islam,” për ndarjen bidateve që ata pretendojnë, dhe se prej tyre ka bidate të mira dhe prej tyre ka bidate të këqija!!
Ky është një argumentim i prishur për një ndarje të kotë (batil); siç mund të vërejë ai që shikon lidhur me shkakun e ardhjes së hadithtit, ku ata e fshehin dhe nuk e përmendin shkakun – meqë hadithi nxit për ringjalljen e sunetit, e nuk nxit për shpikjen e bidateve. Dhe ana tjetër si refuzim është se sikur ne të pranonim duke debatuar se 'suneti' i përmendur në hadith është për qëllim “bidati,” atëherë të parin (bidatin) e ke përshkruar me bukuri (të mirë) dhe tjetrin (sunetin) e ke përshkruar me shëmti (të keq)! Tek Ehli Suneti është e njohur për ta konsideruar një gjë të bukur (të mirë) apo të shëmtuar (të keqe) i referohemi Kuranit dhe Sunetit, duke i kundërshtuar Mu'tezilijtë dhe ata që i ndjekin këta, ku thonë se konsiderimi i një gjëje të mirë apo të keqe u lihet atyre që logjikojnë.
Pra nëse një vepër e caktuar sipas Sheriatit konsiderohet “Bidat i mirë” dhe sillet argument i shkoqitur për atë nga Kurani dhe Suneti, atëherë nuk ka kundërshtim për ta ligjësuar atë, dhe do të cilësohet si 'Bidat - Risi, diçka e re' nga aspekti i emërtimit gjuhësor e jo për diçka tjetër, siç është fjala e Umerit (radijAllahu 'anhu): “Sa bidat (risi) i mirë që është ky,” kur ai e ringjalli (sunetin) faljes se namazit të Teravive me xhemat pasi që Pejgamberi (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) e kishte praktikuar këtë sunet me vepër dhe me fjalë.
Po ashtu thuhet “Sunet (traditë) e keqe” kur shpjegohet se është bidat, pra është i keq nëse ngrihet argumenti Sheriatik kundër tij.
Dhe vëren – lavdi Allahut – rrëzimin e të argumentuarit të bidatxhijve me këtë hadith sipas dy anëve që u përmendën.
Prej Allahut vjen sukesi.
Përktheu: Jeton Shasivari