Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin (1421 h.)
Burimi: Tefsiri i ajetit 34 në Suren el-Bekare, min. 29:15
Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:
وَإِذْ قُلْنَا لِلْمَلَائِكَةِ اسْجُدُوا لِآدَمَ فَسَجَدُوا إِلَّا إِبْلِيسَ أَبَىٰ وَاسْتَكْبَرَ وَكَانَ مِنَ الْكَافِرِينَ
“Kur u thamë melaikeve: “Bëni sexhde Ademit,” ata (melaiket) bënë sexhde, përveç Iblisit, i cili refuzoi, u bë arrogant dhe ishte pabesimtar.” El-Bekare, 34
Një nga dobitë e këtij ajeti është se ai që e shfaq mirësinë, nëse në brendësinë e zemrës së tij ka ligësi, patjetër që kjo ligësi të dalë në shesh. Në zemrën e tij (Iblisit) kishte sëmundje të fëlliqur.
Nga ky ajet përfitojmë se njeriu duhet ta edukojë veten e tij dhe të shikojë në zemrën e vet se a ka diçka në brendësinë e tij që është e fëlliqur. Nëse ka, atëherë le të ruhet prej saj. Sepse njeriu mund të bëjë vepra të banorëve të Xhenetit në sy të njerëzve, kurse ai në realitet është nga banorët e Zjarrit. Pastroje zemrën tënde! Pastrimi i zemrës është më i rëndësishëm se pastrimi i trupit; nënshtrimi ndaj Allahut me zemër është më i rëndësishëm se nënshtrimi me kokë; sexhdeja ndaj Allahut me zemër është më e rëndësishme se sexhdeja me trup. E lusim Allahun që të na ndihmojë në këtë gjë.
Përpiquni për ta arritur këtë gjë! Përpiquni ta përmirësoni zemrën! Mos mbani përbrenda syfaqësi, as shirk, as urrejtje për besimtarët dhe as mllef e as zili. Pastroni zemrat tuaja në mënyrë që mos ta mbyllni jetën me përfundim të keq.
إِنَّ الرَّجُلَ لَيَعْمَلُ بِعَمَلِ أَهْلِ الْجَنَّةِ فِيمَا يَبْدُو لِلنَّاسِ وَهُوَ مِنْ أَهْلِ النَّار
“Njeriu bën vepra të banorëve të Xhenetit në sy të njerëzve, kurse ai në realitet është prej banorëve të Zjarrit...” (Muslimi, 112)
O Allah, të kërkojmë mbrojtje me Madhërinë tënde nga këto gjëra.
Përktheu: Abdullah Beqiri