Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin (1421 h.)
Burimi: Tefsiri i ajetit 41 të Sures el-Bekare, min. 42:30
Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:
﴿وَلَا تَشْتَرُوا بِآيَاتِي ثَمَنًا قَلِيلًا وَإِيَّايَ فَاتَّقُونِ﴾
“Mos i këmbeni ajetet e Mia me një vlerë të vogël dhe vetëm nga Unë kini frikë.” El-Bekare, 41
Një nga dobitë e këtij ajeti fisnik është: se ai që i këmben ajetet e Allahut me një vlerë të vogël, u ngjanë Jehudëve. Ata që e mësojnë diturinë sheriatike për të arritur te të mirat e dunjasë, ata u ngjajnë Jehudëve, ngaqë Jehudët janë ata që i këmbejnë ajetet e Allahut me një vlerë të vogël. Transmetohet një hadith nga Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – se ka thënë:
“Ai që kërkon të mësojë dituri me të cilën synohet Fytyra e Allahut, ndërsa ai këtë dituri e kërkon vetëm sa për të arritur një të mirë të dunjasë, ky nuk ka për ta shijuar aromën e Xhenetit.”
Në këtë rast, shumë nxënës dije e kanë të paqartë çështjen e atyre njerëzve të cilët nxitojnë për të hyrë në universitete dhe shkolla, me qëllim që të marrin një diplomë; këta a llogariten prej atyre të cilët i këmbejnë ajetet e Allahut me një vlerë të vogël?
Përgjigja është: kjo është në varësi të nijetit. Nëse njeriu me këtë (diplomë), synon që të punësohet dhe të sigurojë jetesën, atëherë ky i ka këmbyer ajetet e Allahut me një vlerë të vogël. Shenjë e kësaj është se atij nuk i intereson gjë tjetër vetëm se që të arrijë këtë pozitë, qoftë edhe në kurriz të diturisë dhe Sheriatit.
Nga ana tjetër, nëse ai nuk e synon këtë gjë, porse dëshiron që të arrijë një pozitë me të cilën do që të jetë i dobishëm për Muslimanët, atëherë ky nuk i këmben ajetet e Allahut me një vlerë të vogël. Sepse në këtë kohë, kanë ndryshuar botëkuptimet e njerëzve dhe njeriu i peshon gjërat me diplomën që ka marrë. E keni të qartë?
Andaj, atyre që nxitojnë drejt universiteteve, u themi: nuk ka problem, nëse ju nuk synoni me këtë vetëm dunjanë, porse ju doni që të zini një vend ku do të jeni të dobishëm për robërit e Allahut.
Përktheu: Jeton Shasivari