Autor: Ebu Xhafer Muhammed bin Xherir et-Taberij (224-310 h.)
Burimi: Xhamiul-Bejan ‘an Teuiili Aajil-Kuran, vëll. 13/fq. 372
Komentimi i fjalës së Tij:
﴿وَمَا يُؤْمِنُ أَكْثَرُهُمْ بِاللَّهِ إِلَّا وَهُمْ مُشْرِكُونَ﴾
“Shumica e tyre nuk besojnë në Allahun pa i shoqëruar Atij shok në adhurim.” Jusuf, 106
I Lartësuari me këtë po thotë: “Ata që i ka përmendur Allahu duke i vënë në pah cilësitë e tyre me fjalën e Tij:
﴿وَكَأَيِّنْ مِنْ آيَةٍ فِي السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ يَمُرُّونَ عَلَيْهَا وَهُمْ عَنْهَا مُعْرِضُونَ﴾
“Sa e sa shenja ka në qiej e në tokë që ata i kalojnë, porse ata ua kthejnë shpinën atyre.” Jusuf, 105
Sa shumë njerëz ka si këta që pohojnë se Allahu është Krijuesi i tyre, Furnizuesi i tyre dhe Krijuesi i çdo gjëje tjetër, porse i shoqërojnë Atij të tjerë në adhurimin që ua përkushtojnë idhujve dhe putave, duke i marr ata për zota krahas Allahut, duke pretenduar se Allahu ka fëmijë. I Lartësuar është Ai nga ajo që ata thonë për Të.
Përktheu: Jeton Shasivari