Bismilah...

Thotë Allahu i Lartësuar:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا اللَّهَ وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ وَأُولِي الْأَمْرِ مِنكُمْ ۖ فَإِن تَنَازَعْتُمْ فِي شَيْءٍ فَرُدُّوهُ إِلَى اللَّهِ وَالرَّسُولِ إِن كُنتُمْ تُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ ۚ ذَٰلِكَ خَيْرٌ وَأَحْسَنُ تَأْوِيلًا

"O ju që keni besuar, bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe prijësve tuaj. E nëse keni mospajtime për ndonjë çështje, kthejeni atë tek Allahu dhe i Dërguari, nëse e besoni Allahun dhe Ditën e Gjykimit. Kjo është gjëja e duhur dhe ka përfundimin më të mirë." [En-Nisa, 59]

_________________________

💠 Thotë Shejkhul Islam Ibn Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë:

“Fjala e Allahut të Lartësuar: ‘E nëse keni mospajtime për ndonjë çështje, kthejeni atë tek Allahu dhe i Dërguari...’, domethënë që asnjë mospajtim nuk lejohet të kthehet askund përveç se tek Allahu dhe i Dërguari i pagabueshëm, i cili përcjell nga Allahu dhe nuk flet sipas epshit të tij, por ajo që flet është shpallje që i zbret. I Dërguari është ndërmjetës mes Allahut dhe krijesave të Tij.” [Mexhmu'ul fetaua, [21/400]

 

💠 Thotë Shejkhul Islam Ibn Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë:

“Fjala e Allahut të Lartësuar: ‘E nëse keni mospajtime për ndonjë çështje, kthejeni atë tek Allahu dhe i Dërguari, nëse e besoni Allahun dhe Ditën e Gjykimit. Kjo është gjëja e duhur dhe ka përfundimin më të mirë.’

Nëse muslimanit i ndodh diçka, ai duhet të kërkojë gjykim sheriatik nga ai që beson se jep gjykim me sheriatin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, çfarëdolloj shkolle juridike t'i përkasë ai. Askush prej muslimanëve nuk e ka obligim ta pasojë verbërisht asnjë dijetar në çdo gjë që ai thotë. Po ashtu, askush prej muslimanëve nuk e ka obligim që ta pasojë ndonjë shkollë juridike të ndonjë personi të caktuar, përveç pasimit të të Dërguarit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - në çdo gjë që e ka obliguar, apo ka njoftuar për të. Çdokujt i merret dhe i lihet fjala përveç të Dërguarit të Allahut - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.” [Mexhmu'ul fetaua, 20/208]

 

💠 Thotë Shejkhul Islam Ibn Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë:

"Kthimi tek Allahu është kthimi te Libri i Tij, ndërsa kthimi tek i Dërguari pas vdekjes së tij është kthimi te Suneti i tij - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem." [Mexhmu'ul fetaua, 6/35]

 

💠 Thotë Shejkhul Islam Ibn Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë:

"Baza që tregon ky ajet është se njerëzve nuk u ndalohet asgjë prej gjërave të dunjasë për të cilat kanë nevojë, përveç atyre gjërave që janë ndaluar në Librin e Allahut dhe në Sunet. Po ashtu, nuk lejohet që të ligjësohet për njerëzit ndonjë adhurim përmes të cilit kërkohet afrim tek Allahu, përveç atyre adhurimeve për të cilat ka argument në Librin e Allahut dhe në Sunet. Kështu që, Feja është ajo çfarë ka ligjësuar Allahu dhe ndalesat janë ato që i ka ndaluar Allahu. Gjë që është e kundërta me ata të cilët i qortoi Allahu, të cilët i bënë të ndaluara në Fe ato gjëra që nuk i ka bërë të ndaluara Allahu dhe i bënë shirk Atij për të cilën nuk kishte zbritur argument. Po ashtu, ata ligjësuan në Fe gjëra të cilat nuk i kishte lejuar Allahu. O Allah, na jep sukses që ta bëjmë hallall atë që Ti e ke bërë hallall, ta bëjmë haram atë që Ti e ke bërë haram dhe ta bëjmë Fe atë që Ti e ke ligjësuar!" [Mexhmu'ul fetaua, 28/386]

 

Përktheu: Servet Mata