Autor: Shejkhul-Islam Ibn Tejmije
Burimi: Mexhmu’ul-Fetaua (7/487-500), Kitabul-Iman dhe Minhaxhus-Sunneh
“...sepse gjynahet janë absolutisht shkak i dënimit të Besimtarëve. Megjithatë, dënimi që merr për këto gjynahe në Akhiret me Xhehenem mund të mënjanohet me rreth dhjetë shkaqe:
Shkaku i parë: Pendimi, sepse ai që pendohet nga gjynahu është si ai që nuk ka gjynah, dhe pendimi pranohet për të gjitha gjynahet, përfshi kufrin (mosbesimin), gjynahun (fusuk) dhe mosbindjen (‘isjan). Allahu i Lartësuar ka thënë:
قُلْ لِلَّذِينَ كَفَرُوا إِنْ يَنْتَهُوا يُغْفَرْ لَهُمْ مَا قَدْ سَلَفَ
“Thuaju atyre që nuk besojnë: nëse largohen (nga mosbesimi), do t’u falet e kaluara...” el-Enfal, 38
Kurse transmetimet që kanë ardhur nga Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) për këtë pikë janë të shumta dhe të mirënjohura.
Shkaku i dytë: Istigfari, sepse istigfari është kërkimi i faljes (magfira) dhe kjo është një lloj lutjeje dhe kërkese. Ai (istigfari) është i lidhur jashtëzakonisht me pendimin dhe gjithashtu ai është i urdhëruar. Megjithatë, dikush mund të pendohet por nuk lutet dhe ai mund të lutet por nuk pendohet.
Shkaku i tretë: Veprat e mira, sepse Allahu i Lartësuar thotë:
إِنَّ الْحَسَنَاتِ يُذْهِبْنَ السَّيِّئَاتِ
“Vërtet veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija...” Hud, 114
Dhe Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) i tha Mu’adh Ibn Xhebelit duke e këshilluar:
“O Mu’adh, kije frikë Allahun kudo që të jesh dhe pasoje veprën e keqe me një vepër të mirë dhe sillu me njerëzit me edukatë të mirë.”
Shkaku i katërt: Lutja për Besimtarin, sepse namazi i (xhenazes) që falin Muslimanët për personin që ka vdekur dhe lutja që bëhet për të është një prej shkaqeve të faljes. Poashtu, e tillë është edhe lutja dhe kërkimi i faljes që bëjnë për të vdekurin pas namazit të xhenazes.
Shkaku i pestë: Lutja e Pejgamberit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) gjatë jetës së tij dhe më mbas, si dhe kërkimi i faljes nga ana e tij (për të tjerët), siç është ndërmjetësimi i tij në Ditën e Gjykimit.
Shkaku i gjashtë: Veprat e mira që bëhen për të mbas vdekjes së tij, si për shembull kur dikush jep sadaka për të, ose agjëron (ditë nafile) dhe bën haxh për të, sepse ka ardhur në hadithet e sakta se këto vepra i shkojnë të vdekurit dhe i bëjnë dobi atij. Dhe të gjitha këto janë vepra të tjera përveç lutjes që bën djali i tij për të, sepse të gjitha këto (që bën djali i tij) janë nga veprat e tij. Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) ka thënë:
“Kur biri i Ademit vdes veprat e tij ndërpriten me përjashtim të tre: sadakaja rrjedhëse, dija nga e cila përfitojnë të tjerët dhe një fëmijë i mirë që bën dua për të.” Transmetuar nga Muslimi.
Kështu që, djali tij është në përfitimin e tij dhe lutja që bën ai konsiderohet si vepra e tij (d.m.th. si vepër e babait të djalit), ndryshe nga lutjet që bëjnë njerëzit e tjerë përveç djalit të tij, sepse kjo që bëjnë ata nuk konsiderohet prej veprave të tij, dhe Allahu i sjell dobi atij nëpërmjet saj.
Shkaku i shtatë: Sprovat e dynjasë të cilat të shlyejnë gjynahet, sikurse ka ardhur në Sahih nga Pejgamberi (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem):
“Nuk ka besimtar që i bie ndonjë mundim, siklet, pikëllim, shqetësim, mërzitje, dëmtim apo edhe kur shpohet nga një gjemb, përveç se Allahu ia fshin gjynahet për shkak të kësaj.”
Shkaku i tetë: Çdo sprovë që kalon Besimtari në varrin e tij, siç është shtrëngimi (i varrit) dhe sprovimi nga dy melaiket.
Shkaku i nëntë: Çdo vështirësi me të cilën përballet ai në Ahiret nga terrori që do të përjetojë në Ditën e Gjykimit.
Shkaku i dhjetë: Ajo që ka ardhur në dy Sahihët se kur Besimtarët do të kalojnë në Urën e Siratit (mbi Zjarrin e Xhehenemit), ata do të ndalojnë në një vend midis Xhenetit dhe Xhehenemit dhe aty do të marrin hak mbi njëri-tjetrin (për padrejtësitë që i kanë bërë njëri-tjetrit), dhe kur të jenë pastruar, atyre do t’u jepet leje që të hyjnë në Xhenet.” Fundi i fjalëve të tij.
Dhe ai ka thënë në një vend tjetër:
“Dhe ne e kemi thënë më shumë se njëherë se njeriu i mirë për të cilin dëshmohet Xheneti mund të ketë gjynahe për të cilat ai është penduar, apo që janë fshirë nga punët e tij të mira, ose janë shlyer nga sprovat që i kanë rënë apo nga gjëra të tjera. Sepse kur Besimtari bën gjynah, janë dhjetë shkaqe që e largojnë dënimin me Zjarr nga ai: tre prej tyre janë nga ai vetë, tre të tjera janë nga njerëzit e tjerë, kurse katër të tjera janë që do t’i zbulojë Allahu.
[1] Pendimi,
[2] Kërkimi i faljes,
[3] Punët e mira që fshijnë punët e këqia,
[4] Besimtarët që luten për të,
[5] Punët e mira që bëhen për të (nga i biri i tij),
[6] Ndërmjetësimi i Pejgamberit tonë (për të),
[7] Sprovat apo fatkeqësitë qi ia shlyejnë gjynahet në jetën e dynjasë,
[8] Sprovat në Berzakh (në Jetën e Varrit),
[9] Sprovat në Ditën e Gjykimit,
[10] Dhe Falja e tij nga Allahu për shkak të Mëshirës dhe Mirësisë së Tij.”
Përktheu: Alban Malaj