Autor: Shejkh Rabij ibën Hadi el-Medkhalij
Burimi: Kaseta me titull: “Izaletu Shubha ‘amma ishtebeha fi Edh’hani Nas.”
Burimi: http://www.sahab.net/forums/index.php?showtopic=152563
Pyetje: Çfarë thoni ju – Allahu ju ruajtë – për vendosjen e varrit të Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – në xhaminë profetike, dhe kjo xhami, a nuk e merr gjykimin e xhamive në të cilat ka varre? Shpresojmë një sqarim nga ana juaj për këtë çështje.
Përgjigje: Kjo pyetje parashtrohet shpesh. Njerëzit e devijimeve ia parashtrojnë Ehli Sunnetit. E vërteta është se as i Dërguari – ‘alejhi salatu ue selam – nuk ka urdhëruar që varri i tij të vendoset në xhami dhe as Sahabët nuk e bënë këtë gjë. Por Sahabët – Allahu qoftë i kënaqur me ta – e varrosën të Dërguarin e Allahut në dhomën e tij, jashtë xhamisë dhe nuk e varrosën atë në Bekië (varrezat afër xhamisë së Pejgamberit). Nuk e bënë këtë gjë (pra varrosjen në dhomë) vetëm se për ta larguar një fitne më të madhe. Sikur ta kishin varrosur në Bekië, që prej ditës së parë, do ta kishim marr varrin e tij për xhami.
Siç ka thënë Aishja dhe Ibën Abbasi se i Dërguari fisnik – ‘alejhi salatu ue selam – kur ishte në agoni të vdekjes, vendoste sipër fytyrës së tij një rrobë, kur e mbulonte me të fytyrën dhe e zbulonte, thoshte:
" لَعَنَ اللَّهُ الْيَهُودَ وَالنَّصَارَى اتَّخَذُوا قُبُورَ أَنْبِيَائِهِمْ مَسَاجِدَ "
“Allahu i mallkoftë Jehudët dhe të Krishterët, të cilët i morën varret e Pejgamberëve të tyre për xhami.”
Aishja – Allahu qoftë i kënaqur me të – thotë: “Ai paralajmëronte për atë që bënin ata.”
Pra, i paralajmëron Sahabët e tij dhe këtë ummet që të mos e bëjnë atë që bënë Jehudët, dhe kështu ta marrin varrin e tij për xhami.
Ata (Sahabët) ishin të mendimit që nëse do e varrosnin atë në Bekië, varri i tij do të merrej për xhami. Nga i Dërguari ata kuptuan se ai i paralajmëron ata nga marrja e këtij varri si xhami. Kështu ata, bënë ixhtihad – Allahu qoftë i kënaqur me ta – duke e larguar Ummetin nga rënia në këtë fitne (marrjen e varrit për xhami) dhe rënien në përngjasim me Jehudët. Kështu, ata e varrosën atë në dhomën e tij – ‘alejhi salatu ue selam – sepse kjo është sa më larg fitnes – Allahu qoftë i kënaqur me ta.
Sahabët vazhduan në këtë rrugë dhe nuk e futën varrin e të Dërguarit në xhami. Ata ishin larg kësaj, derisa sa erdhi njëri nga Halifët, e ai ishte Uelid bin ‘Abdul-Melik – Allahu e mëshiroftë – i cili kishte pasion për të ndërtuar xhami dhe ai bënte të mira të shumta, por – Allahu e di më së miri. E kishin kapluar ambiciet – Allahu e di më së miri – ambiciet e mbretërve. Kështu ai urdhëroi të zgjerohet xhamia e të Dërguarit fisnik – ‘alejhi salatu ue selam. Ai (halifeja) e kërkoi këtë gjë dhe filloi që t’i përfshijë në këtë zgjerim edhe dhomat e Pejgamberit – ‘alejhi salatu ue selam. Kështu ia bashkëngjitën dhomat xhamisë.
Kur morën vesh Tabi’inët për këtë dhe njëri prej tyre ishte Se’id bin Musejib, e ai ishte nga Tabi’inët e mëdhenj dhe nga imamët e Muslimanëve. Ai e kundërshtoi këtë gjë, madje e kundërshtuan këtë gjë të gjithë banorët e Medines, kundërshtuan që të përfshihen dhomat në xhami. Sikur të ishte kështu (të lihej varri jashtë), hapësira do të ishte e gjerë dhe xhamia do të zgjerohej në anën veriore, jugore dhe perëndimore. Por, ndodhi ajo që ndodhi, u blenë dhomat dhe u futën në xhami.
Mbikëqyrësi i punimeve ishte Umer bin ‘Abdul-Aziz, kur ishte emir i Medines në Hilafetin e Uelidit. Dhe në atë kohë grada e tij ishte gradë e emirave, me gjithë dijen, asketizmin dhe el-uar’a-në (shmangien nga dyshimet duke patur frikë nga rënia në harame) që arriti në kohën e Hilafetit të tij, kur ky (Umeri) e mori përsipër udhëheqjen e umetit, ndryshoi jeta e tij plotësisht dhe Hilafeti i tij u bë i drejtë. Kurse për gjatë periudhës së Uelidit, ai (Umeri ibën Abdul-Aziz) ishte një emir dhe ishte më i miri i tyre. Kështu ai i futi dhomat në xhaminë dhe ndërtoi një pengesë; ndërtoi përreth dhomës dhe varrit tre mure rrethuese në formë trekëndëshi, pra pengesa. Ky ndërtim është pengesë që të drejtohesh nga varri. Për shkak të këtij ndërtimi, askush nuk mund të drejtohet drejt varrit të Pejgamberit – ‘alejhi salatu ue selam.
Andaj, kjo vepër që e bëri Khalifeja Emeuij që quhej Uelid, nuk është argument. Pra, përfshirja e dhomave në xhami, nuk është bërë me urdhër të Pejgamberit që të jetë argument dhe as me veprën e Sahabëve që të jetë argument, por ishte bërë nga një Halife prej mbretërve. Pra, ai i futi (dhomat në xhami) pa pajtimin e dijetarëve. Dhe pas kësaj, njerëzit nuk kishin mundësi ta hiqnin atë (xhaminë) nga ai vend.
Unë njëherë kam thënë: as edhe Umer bin ‘Abdul-‘Aziz gjatë Hilafetit të tij të drejtë, ndoshta nuk ka mundur ta nxjerrë këtë varr dhe të prishë xhaminë edhe njëherë, sepse zhvendosja e xhamisë sjell dëme të mëdha dhe fitne, të cilat mund të çojnë në luftë etj.
Kur erdhi kjo periudhë, periudha e shtetit të Saudisë, dhe në këtë shtet kishte njerëz të akides, njerëz të dijes dhe njerëz të xhelozisë (për fe), nga programi dhe thirrja e tyre ishte shembja e ndërtimeve sipër varreve dhe nxjerrjen e varreve nga xhamitë. Ata i shembën varret që ishin në Bekië, i shembën varret që ishin në Mekke, e sa shumë që kishte! Kishte kube të mëdha (sipër varreve), ata i shembën ato të gjitha. Porse ata nuk mundën që ta shembnin këtë xhami dhe nuk mundnin ta nxjerrin varrin, madje nuk mund të bënin më pak se kaq.
Tani, nëse ti do të heqësh diçka të vogël nga xhamia e të Dërguarit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – do të çohej në këmbë e gjitha bota Islame. Ngase shumica e njerëzve tani janë njerëz të besëtytnive, bidatçinj, Rafidij, etj. Andaj, justifikohen njerëzit ose udhëheqësit, nëse nuk kanë mundësi ta përjashtojnë këtë varr.
Disa nga dijetarët edhe tani në këtë kohë, dhanë mendimin që nëse zgjerohet xhamia, të zgjerohet në tre anët dhe varri të kthehet ashtu siç ishte, porse askush nuk mund ta bënte këtë – siç e dini edhe ju. Dhe në Sheriatin Islamik (ka një parim): “Dhënia përparësi ndaj një dëmi më të vogël për ta larguar një dëm më të madh.” Ka edhe një parim tjetër në Sheriatin Islamik:
لَا يُكَلِّفُ اللَّهُ نَفْسًا إِلَّا وُسْعَهَا
“Allahu nuk ngarkon asnjë përtej mundësive të tija.” El-Maideh, 8
Sikur Ummeti të ishte i bashkuar në një fjalë të vetme, në një akide të vetme, në një menhexh të vetëm, atëherë do të thonin: “Pasha Allahun! Hajdeni që të biem në ujdi për ta zgjeruar xhaminë në tre anët dhe ta kthejmë varrin aty ku ishte në kohën e Halifëve të drejtë dhe në kohën e Sahabëve – riduanuLlahi alejhim. Kjo është gjë e mirë.
Porse ju e dini se Ummeti është i ndarë dhe i përçarë. Ka njerëz – Allahu ju bekoftë –të cilët duan fitne. Pra, të lihet (varri) aty ku gjendet tani është një dëm më i vogël në mënyrë që largohet një dëm më i madh.
Kjo është ajo që kisha për të thënë rreth kësaj pyetjeje.
Përktheu: Jeton Shasivari