Autor: Imam Abdul-Aziz ibën Baz
Burimi: Mexhmu’u Fetaua ue Mekalaat Muteneui’ah, vëll. 1, fq. 320-321
Pyetja e dytë: Cili është mendimi i hirësisë suaj për atë që del haptazi në këtë kohë duke bërë krahasim midis kombit dhe Islamit, gjë e cila është shfaqur në disa gazeta dhe revista në Mbretëri?
Përgjigje: Pa dyshim se është prej padrejtësisë dhe marrëzisë më të madhe të krahasosh midis Islamit dhe kombit Arab. A na paska epërsi një komb i zhveshur nga Islami, që meritoka të vihet në radhët e Islamit dhe të bëhet krahasim midis kombit dhe Islamit? Pa dyshim se ky është cënim i Islamit dhe përdhosje e parimeve dhe mësimeve të tij të drejta.
Sikur të ishin gjallë Ebu Xhehli, ‘Utejbeh bin Rab’iah, Shejbeh bin Rabi’ah dhe të tillë si këta nga armiqtë e Islamit, do të ishin krerët dhe thirrësit më të mëdhenj të kombit. Si i paska hije një njeriu që ka mend, të krahasojë midis kombit dhe fesë fisnike që është e përshtatshme për çdo kohë dhe vend! Thirrësit dhe ndihmuesit e kësaj feje janë Muhamedi – lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, Ebu Bekri es-Siddik (besniku, i sinqerti), Umer ibën Khatabi, ‘Uthman bin ‘Affan, ‘Alij bin Ebi Talib dhe sahabët që ishin krerët e Islamit dhe mbrojtësit e tij të guximshëm, si dhe të dalluarit e tjerë që ndoqën rrugën e këtyre.
Askush nuk e bën këtë krahasim midis kombit kur ai është i këtillë me këta burra (Ebu Xhehli, etj.) dhe midis kësaj feje që këta janë ndihmuesit dhe thirrësit e tij (Muhamedi – alejhi salatu ue selam, Ebu Bekri, etj.), përveç se ai që ka problem në logjikën e tij, apo një pasues i verbër, apo një armik i hidhur i Islamit dhe ndaj atij që erdhi me Islamin. Shembulli i tyre me këtë krahasim nuk është tjetër vetëm se si shembulli i atij që krahason midis qumështit dhe bajgave apo midis të Dërguarve dhe shejtanëve.
Ai që mediton rreth këtij qëndrim, e që është nga ata që kanë largpamësi dhe e di realitetin dhe pasojat e kësaj, do t’i bëhet e qartë se krahasimi midis kombit dhe Islamit është më i rrezikshëm për Islamin se krahasimi që u cek më lartë. Si na qenka i saktë krahasimi midis kombit kur vlera dhe përfundimi i atij që vdes për komb është në Zjarr dhe midis Islamit që përfundimi i atij që vdes për të është fitorja pranë Zotit, Dhuruesit, në shtëpinë e begative dhe në vendqëndrimin e sigurtë (Xhenetin)?
O Allah! Na udhëzo neve dhe popullin tonë në rrugën e drejtë. Vërtet Ti je Plotfuqishëm për çdo gjë.
Përktheu: Jeton Shasivari