[1] Shejkhul-Islam Ibën Tejmijeh – Allahu e mëshiroftë – thotë:

“Përkundrazi, nuk lejohet që të duhet ndonjë nga krijesat për qenien e tij përveç se Allahu – i Pastri nga çdo mangësi dhe Atë e falenderojmë. Çdonjërin që e do në këtë botë, lejohet që ai të duhet për Qenien e dikujt tjetër (d.m.th. Allahut) e jo për qenien e tij. Kurse, Zoti i Lartësuar, është i vetmi Ai që e kemi detyrë ta duam atë për Qenien e Tij dhe kjo është një nga nocionet e adhurimit të Tij.

﴿لَوْ كَانَ فِيهِمَا آلِهَةٌ إِلَّا اللَّـهُ لَفَسَدَتَا﴾

“Sikur të kishte zotra (në tokë dhe qiell) të tjerë përveç Allahut, do t’i kishin shkatërruar ato.” el-Enbija, 22

Ngase të duash diçka (përpos Allahut) për qenien e tij është shirk. Kështu që, askush nuk duhet për qenien e tij përveç Allahut, sepse kjo është një nga veçoritë e adhurimit të Tij dhe nuk e meriton atë askush tjetër pos Allahut, të Vetmit. Çdo gjë që duhet përveç Tij, nëse nuk duhet për hir të Tij, atëherë ajo dashuri është e pavlefshme. Allahu i Lartësuar ka krijuar në shpirtrat e njerëzve dëshirën për ushqim dhe gra, ngase përmes tyre njeriu mban trupin gjallë dhe vazhdon të ekzistojë njerëzimi. Kështu që, sikur të mos ishte dëshira dhe pasioni për ushqim, njerëzit nuk do të hanin, si rrjedhojë e kësaj, ata do të vdisnin. Sikur të mos ekzistonte dëshira për t’u martuar me gra, ata nuk do të ishin martuar, rrjedhimisht, vazhdimësia e pasardhësve do të merrte fund.

 

Andaj, synimi i ekzistencës së këtyre gjërave është vazhdimësia e ekzistimit të njerëzimit në mënyrë që ta adhurojnë vetëm Allahun dhe Ai të jetë i Vetmi për të cilin kihet dashuri dhe të adhurohet për Qenien e Tij dhe këtë dashuri (për qenien e Tij) nuk e meriton askush tjetër përveç Allahut. Dashuria për Pejgamberët dhe të devotshmit është dashuri që vjen si shkak i dashurisë që kemi për Atë. Nga dashuria e plotë për Të është që të kemi dashuri për atë që Ai e do. E Ai i do Pejgamberët, të devotshmit dhe veprat e mira. Pra, dashuria që kemi ne ndaj këtyre për hir të Allahut është prej dashurisë së plotë që kemi për Të.”

Burimi: Mexhmu’ul-Fetaua [10/607]

 

 

[2] Ibën Kajjimi – Allahu e mëshiroftë – thotë:

“Çdo gjë që ekziston në këtë gjithësi, nuk kihet dashuri për qenien e tij dhe nuk lavdërohet për qenien e tij përveç Atij – të Pastrin nga çdo mangësi. Çdo gjë që duhet përveç Atij, nëse kjo dashuri e këtij personi është lidhur me dashurinë që ka për Të – të Pastrit nga çdo e metë, ku brenda dashurisë së këtij personi ka dashuri për hir të Tij, atëherë dashuria e tij është e saktë, përndryshe dashuria që ka ai është e pavlefshme. E mu kjo është realiteti i adhurimit të Allahut, ngaqë i adhuruari i Vetëm me të drejtë është vetëm Ai për të cilën kihet dashuri për Qenien e Tij dhe vetëm Ai lavdërohet për Qenien e Tij.

 

E si bëhet puna kur kësaj i shtohet edhe bamirësia e Tij, begatia, butësia, falja, mirësia dhe mëshira e Tij?! Pra, robi e ka obligim që ta dijë se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut. Prandaj, ai duhet dhe lavdërohet për Qenien e Tij dhe Përsosmërinë e Tij. Po ashtu, ta dijë se nuk ka bamirës të vërtetë me të gjitha llojet e begative, të dukshme dhe të padukshme, përveç Atij. Ai duhet për bamirësinë dhe begatitë e Tij si dhe lavdërohet dhe falenderohet për këto. Ai duhet për të dyja këto aspekte. Ashtu siç nuk i përngjan asgjë Atij, po kështu nuk ekziston dashuri sikurse dashuria që kemi për Të.”

Burimi: el-Feuaid, fq. 183

 

Po ashtu Ibën Kajjimi – Allahu e mëshiroftë – në një vend tjetër thotë:

“Poshtë kësaj gjendet një nga fshehtësitë e mëdha të Teuhidit, e ajo është se zemra nuk zë vend, nuk gjen prehje dhe nuk qetësohet përveç se me arritjen tek Ai, dhe çdo gjë përveç Tij për të cilin ndjen dashuri dhe synohet, qëllimi është se ai duhet për hir të dikujt tjetër (Allahut). Nuk ka ndonjë tjetër për të cilin kihet dashuri dhe synohet përveç se Njërit, tek i Cili është kthimi përfundimtar. Është e pamundur që përfundimi të jetë te të dy, ashtu siç është e pamundur që fillesa e krijesave të jetë nga dy.

 

Andaj, për atë që synimi i dashurisë, dëshirës, vullnetit dhe bindjes së tij është dikush tjetër pos Tij, atëherë të gjitha këto janë të pavlefshme për të dhe ai ka humbur dhe është ndarë nga ajo që është më e nevojshme për të. Kurse për atë që synim i dashurisë, shpresës, frikës dhe kërkimit të tij është Ai – i Pastri nga çdo mangësi –, ka korrur një fitore të madhe duke e fituar Xhenetin e Tij, kënaqësinë e Tij, bukurinë e Tij dhe lumturinë e Tij në përjetësi.”

Burimi: El-Feuaid, fq. 202

 

 

[3] Shejkh Muhamed Aman el-Xhamij – Allahu e mëshiroftë – thotë:

“Prej njohjes së Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – është edhe që ta duash atë më shumë sesa e do veten tënde, familjen tënde dhe pasurinë tënde. Ai që duhet për Qenien e Tij është vetëm Allahu dhe askush tjetër përveç Tij, porse Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – duhet për hir të Allahut sepse ai është i Dërguari i Allahut; të cilin Allahu e përzgjodhi për misionin e përgjithshëm për mbarë njerëzimin. Kurse ai për të cilin kihet dashuri për qenien (el-mehabbeh edh-dhatijjeh) e tij, kjo i takon vetëm Allahut, të Vetmit.

 

Ky është një dallim i hollë që është detyrë për nxënësit e dijes ta dinë: çdo gjë që duhet përveç Allahut, ai duhet për hir të Allahut, kurse Allahu duhet për qenien e Tij. Ai që duhet për qenien e tij është vetëm Allahu, i Vetmi; të tjerët pos Tij, duke filluar nga i Dërguari i Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – duhen për hir të Allahut. Prandaj, nëse dashuria për të Dërguarin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – nuk është për Allahun, sikur kjo dashuri ndaj tij të jetë për shkak të lidhjes familjare, ose për faktin se ai është një gjeni, kjo dashuri nuk i bën dobi atij personi.

 

Kjo lloj dashurie nuk i bëri dobi Ebu Talibit; nuk u bëri dobi orientalistëve të cilët e madhërojnë atë dhe kërkojnë që ai të madhërohet për faktin se ai është gjeniu i historisë, e jo për atë se ai është i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Këtij koncepti, nxënësit e dijes duhet t’i kushtojnë vëmendje dhe ta kuptojnë mirë.”

Burimi: Sherhu Usuli Thelatheh, mësimi i 4-të, min. 29:57

 

 

[4] Shejkh Salih Alu Shejkh – Allahu e ruajttë - thotë:

“...por, megjithëkëtë, parimi i njerëzve të dijes tek Ehli Sunneti është se dashuria për Pejgamberin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – nuk është e mëvetësishme dhe e zgjidhur, porse dashuria për të vjen pas dashurisë që kemi për Allahun – të Plotfuqishmin dhe të Madhëruarin – dhe kjo e ngre lart pozitën e Pejgamberit tonë – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Kështu që, realisht, ai i cili mediton ashtu siç duhet, e do atë – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.”

Burimi: Sherhu Akideti Tahauijeh, mësimi i 20-të, min. 11:27

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari