Bismilah...

nga Shejkh Muhamed Nasirud-Din el-Albani (Allahu e mëshiroftë)

Burimi: Silsiletul-Huda ue-Nur, kaseta: 178, min. 1:17:33


 

Pyetësi: Po them sikur ky kuptimi i gabuar që është përhapur në mesin e muslimanëve, madje edhe te disa njerëz të njohur, kjo që është përhapur lidhur me çështjen e qenies së Allahut (dhatullah) të Lavdëruar dhe të Lartësuar. Nëse i pyet shumë nga muslimanët, ata thonë: “Allahu ekziston në çdo vend,” apo “Ai ekziston në çdo qenie.” Dhe as që din gjë për këtë çështje.


Shejkh Albani: Ky është devijim i qartë. Në Kuran thuhet qartë lidhur me këtë:

الرَّحْمَـٰنُ عَلَى الْعَرْشِ اسْتَوَىٰ

“I Gjithëmëshirshmi u lartësua mbi Arsh.” Ta-Ha, 5

Dhe fjala e të Lartësuarit:

سَبِّحِ اسْمَ رَبِّكَ الْأَعْلَى

“Lavdëro Emrin e Zotit tënd, më të Lartit.” el-A'la, 1

Si dhe përshkrimi për robërit e Tij besimtar:


يَخَافُونَ رَبَّهُم مِّن فَوْقِهِمْ

“I frikësohen dhe i përulen Zotit të tyre lart mbi ta.” en-Nahl, 50

تَعْرُجُ الْمَلَائِكَةُ وَالرُّوحُ إِلَيْهِ

“Melekët dhe Ruhu (meleku Xhibril) ngjiten tek Ai” el-Mearixh, 4

إِلَيْهِ يَصْعَدُ الْكَلِمُ الطَّيِّبُ وَالْعَمَلُ الصَّالِحُ يَرْفَعُه

“Tek Ai ngjiten të gjitha fjalët e dëlira, ndërsa punët e drejta e të mira e lartësojnë atë (fjalën e mirë)”
Fatir, 10


Shumë ajete dhe hadithe sqarojnë se Allahu (Azze ue Xhel-le) i Pasuri (el-Ganij) i Cili nuk ka nevojë për asgjë dhe ai është i Lartësuar mbi të gjitha krijesat e Tij. Ai nuk është i përzier me krijimin e Tij, siç thonë këta njerëz të cilët i përmende, e që thonë se Allahu është kudo, Allahu është në çdo vend. I Lartësuar është Allahu nga ajo që thonë zullumqarët.


Në një hadith të vërtet thuhet:
“Allahu ka ekzistuar dhe nuk ekzistonte asgjë me Atë.”


Ku na qenka vendi të cilin njerëzit e kanë vendosur Atë (Allahun) në çdo vend?

Dhe veçanërisht këto vende disa prej tyre janë të pastra dhe disa vende janë të fëlliqura dhe të ndotura, në këto vende ka kanale të ujërave të zeza (gjirize), bare, lokale dhe hane... etj

Si nuk e lartësojnë Allahun (Azze ue Xhel-le) dhe thonë se Ai është në çdo vend? Edhe pse Ai thotë në më shumë se një ajet, siç e përmendëm, Ai u ngrit dhe u lartësua mbi Arsh.

Në një hadith të vërtetë – kurse koha nuk na mjafton – transmetohet se i Dërguari (sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem) e pyeti një robëreshë të cilën zotëriu i saj dëshironte ta lirojë, ai i tha asaj: “Ku është Allahu?”
Ajo tha: “Në qiell”
Ai i tha: “Kush jam unë”
Ajo tha: “Ti je i Dërguari i Allahut”
Kështu që, ai iu drejtua zotëriut të saj e i tha: “Liroje, vërtet ajo është besimtare”


Një robëreshë në kohën e të Dërguarit kuptonte më shumë se sa “fukahat” e sotshëm (ata që besojnë në Uahdetul-Uxhud), sepse nëse i pyet shumë nga këta: “Ku është Allahu?” të përgjigjen ty duke thënë" “Në çdo vend.”

Një fqinj i imi thotë: “Allahu ekziston në çdo qenie.” Këta njerëz janë të gjorë. Qenia është e krijuar, Allahu ekzistonte dhe nuk ekzistonin krijesat, andaj pasi që Zoti ynë i krijoi krijesat, u fut në këtë krijim ku aty ka ndyrësira? I Lartësuar është Allahu nga ajo që thonë zullumqarët.

 

Video në AudioSelefi.org

 

Përktheu: Jeton Shasivari