Bismilah...

Autor: Shejkh Salih bin Abdul-Aziz bin Muhamed Ali Shejkh

Burimi: Sherhul-Akideti et-Tahauijeh, vëll. 2, fq. 92

 

 

Pas kësaj, ai (Ebu Xhafer et-Tahauij) – Allahu e mëshiroftë – ka thënë:

 “Ne jemi besimtarë në të gjitha ato. Nuk bëjmë dallim midis ndonjërit prej të dërguarve të Tij dhe ne u besojmë të gjithëve për atë që kanë sjellë.”

 

 

Fjala e tij “ne” do të thotë: Muslimanët; njerëzit e Kiblës.

Fjala e tij “besimtarë në të gjitha ato,” do të thotë: në gjashtë shtyllat e Imanit dhe në të dërguarit, për shkak se kanë ardhur tekste për këtë. Po ashtu edhe besimi në Librat. Pra, ne nuk bëjmë dallim midis ndonjërit prej të dërguarve të Tij, për arsye se Allahu i lavdëroi robërit e tij për mosdallimin midis të dërguarve të Tij, ngase të gjithë të dërguarit, erdhën me të njëjtën gjë. Allahu thotë:

 

﴿إِنَّ الَّذِينَ يَكْفُرُونَ بِاللَّـهِ وَرُسُلِهِ وَيُرِيدُونَ أَن يُفَرِّقُوا بَيْنَ اللَّـهِ وَرُسُلِهِ﴾

“Vërtet, ata që nuk besojnë në Allahun dhe të dërguarit e Tij, dhe duan që të bëjnë dallim midis Allahut dhe të dërguarve të Tij.” en-Nisa, 150

Në këtë ajet ka qortim të ashpër për Jehudët.

 

Kurse ne, u besojmë të gjithë të dërguarve në atë që erdhën. Që do të thotë se, i Dërguari i cili u çua te populli i tij me një mision, çdo gjë që ai e thoshte nga Allahu është e vërtetë, qoftë ajo që e dimë apo që nuk e dimë. Asnjë i dërguar, që nga koha e Nuhut – alejhi selam – e deri te Muhamedi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – nuk ka thënë ndonjë fjalë që t’ia atribuojë Allahut dhe ta bëjë pjesë të Sheriatit të Tij, e të mos ia ketë qëlluar të vërtetës në atë fjalë që e ka thënë. Por, përkundrazi, çdo gjë që kanë thënë të dërguarit – për atë që e kanë përcjellë nga Allahu – është e vërtetë, dhe është detyrë të besohet ajo në përgjithësi për atë që nuk e dimë, dhe ta besojmë në hollësi për atë që e dimë dhe na është mësuar.

 

Feja e të dërguarve – lëvdatat dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi ta – ishte një, siç do të vijojë shpjegimi në çështjen në vazhdim. Tahauiju me këtë ka për qëllim se njerëzit e Ehli Sunnetit dhe njerëzit e Kiblës, janë të pastër kundrejt të dërguarve të Allahut, u besojnë të gjithë të dërguarve dhe u janë dorëzuar të gjithëve. Ndryshe nga popujt e humbur e të devijuar, të cilët u besojnë vetëm disa të dërguarve dhe disa tjerëve nuk u besojnë, duke synuar me këtë që të gjejnë një rrugë mesatare.

Duke u bazuar te kjo fjalë (e Tahauijut), këtu kemi disa çështje:

 

Çështja e parë:

Feja e të dërguarve ishte një. Allahu nuk çoi ndonjë të dërguar vetëm se me fenë Islame, porse Sheriatet (legjislacionet) [1] dallojnë nga njëri-tjetri. Siç ka thënë Allahu:

 

﴿لِكُلٍّ جَعَلْنَا مِنكُمْ شِرْعَةً وَمِنْهَاجًا﴾

“Për çdonjërin prej jush caktuam një ligj (Sheriat) dhe një rrugë të qartë.” El-Maideh, 48

 

Ai ka thënë:

                               ﴿إِنَّ الدِّينَ عِندَ اللَّـهِ الْإِسْلَامُ﴾                        

“Feja e vetme e pranuar tek Allahu është Islami.” Ali-Imran, 19

 

Ai ka thënë:

 

﴿وَمَن يَبْتَغِ غَيْرَ الْإِسْلَامِ دِينًا فَلَن يُقْبَلَ مِنْهُ﴾

“Ai që kërkon fe tjetër përveç Islamit, ajo nuk do t’i pranohet atij kurrë.” Ali-Imran, 85

 

Pra, qoftë ajo fe para Muhamedit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – apo pas Muhamedit; Allahu nuk pranon prej dikujt ndonjë fe tjetër përveç Islamit. Të gjithë të dërguarit patën një fe. Siç është saktësuar në hadith nga ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – se ka thënë:

وَالأَنْبِيَاءُ إِخْوَةٌ لِعَلاَّتٍ، أُمَّهَاتُهُمْ شَتَّى، وَدِينُهُمْ وَاحِدٌ

“Pejgamberët janë vëllezër që kanë një baba; nënat i kanë të ndryshme, kurse feja e tyre është një.” [Bukhari 3443]

 

Kjo të tregon qartazi ty se Muslimanët – Ehli Suneti dhe Xhemati në veçanti – nuk thonë dhe nuk besojnë se fetë që kanë ardhur nga qielli janë të ndryshme, siç thotë injoranti “fetë qiellore.”

 

Qielli, mbi të cilin është Zoti – i Lartësuari dhe i Pastri nga çdo mangësi – nuk ka ardhur prej tij vetëm se një fe e vetme, e që është Islami. Me të erdhi Ademi – ‘alejhi selam, me të erdhi Nuhu – ‘alejhi selam, me të erdhën të gjithë të dërguarit, deri te Pejgamberi ynë Muhamedi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Pra, feja e Musait – ‘alejhi selam – ishte Islami, feja e Isait – ‘alejhi selam – ishte Islami, feja e Ibrahimit – alejhi selam – ishte Islami, e kështu me radhë.

 

Të gjithë të dërguarit erdhën me fenë Islame, përveç të cilës Allahu nuk pranon fe tjetër. Ai – i Pastri nga çdo mangësi dhe i Lartësuari – ka thënë:

 

                               ﴿إِنَّ الدِّينَ عِندَ اللَّـهِ الْإِسْلَامُ﴾                        

“Feja e vetme e pranuar tek Allahu është Islami.” Ali-Imran, 19

 

Kështu që, është e pabazë dhe e kotë fjala e atij që thotë “fetë qiellore.” Në këtë fjalë, ka dallim midis të dërguarve, ngaqë të dërguarit kanë një fe dhe ne u besojmë të gjithë të dërguarve në atë që sollën. Të dërguarit nuk kanë ardhur me akide (besim) dhe lajme që kanë të bëjnë me të fshehtën (gajbin) e të jenë të ndryshme nga njëra-tjetra, përkundrazi, të gjithë të dërguarit i kanë besuar njëri-tjetrin për të fshehtën e Allahut që kanë lajmëruar, e cila lidhet me Emrat e Allahut, Cilësitë e Tij, Qenien e Tij të Lartë, Xhenetin dhe Zjarrin.

 

Ajo që është pranuar dhe është e rrënjosur te njerëzit e dijes është se, lajmet nuk shfuqizohen dhe nuk ndryshojnë nga një i dërguar te një tjetër. Pra, të gjitha çështjet e fshehta (të gajbit) me të cilat kanë ardhur të dërguarit, janë të vërteta. Për këtë arsye, ne u besojmë të dërguarve në atë që erdhën në përgjithësi dhe i duam të gjithë; i miqësojmë të gjithë, i ndihmojmë të gjithë, e ndihmojmë fenë e tyre – fenë Islame, me të cilën erdhën të gjithë të dërguarit.

 

Çështja e dytë:

Sheriatet e të dërguarve dallojnë nga njëri-tjetri dhe te këto Sheriate përfshihet edhe populli, kështu që thuhet: Jehudizmi, Krishterizmi dhe të ngjashmet me këto. Kjo është në aspektin e dallimit të Sheriateve. Sheriati është ai që nuk veçohet me çështjet e të fshehtës (gajbit), por veçohet me çështjet e veprave (ndalesave dhe urdhëresave, hallallit dhe haramit, etj.) Kështu që, Allahu ligjëson një Sheriat që Ai e do dhe që përputhet me Urtësinë e paskajshme të Tij – të Pastrin nga çdo mangësi dhe të Lartësuarin.

 

Andaj, dallimi midis fesë së përgjithshme (fesë së të gjithë Pejgamberëve) dhe Sheriatit është: se feja e përgjithshme është ajo që ka të bëjë me të fshehtën (gajbin), kurse Sheriati është ai që dallon nga feja e përgjithshme në aspektin e veprave. Për këtë arsye, në disa misione të Pejgamberëve – ndoshta kishte dallime dhe kundërshtime në disa Sheriate – në disa mjete që të çojnë në shirk. P.sh. mjetet që të çojnë në shirk, në disa Sheriate ishin të lejuara dhe në disa tjera, ishin të ndaluara. P.sh. krijimi i skulpturave ishte i lejuar në Sheriatin e Musait dhe Sulejmanit – alejhima selam.

 

            ﴿ يَعْمَلُونَ لَهُ مَا يَشَاءُ مِن مَّحَارِيبَ وَتَمَاثِيلَ وَجِفَانٍ كَالْجَوَابِ وَقُدُورٍ رَّاسِيَاتٍ﴾

“Ata i punonin atij (Sulejmanit) atë që ai dëshironte: pallate, skulptura, enë të gjëra si puse dhe kazanë të mëdhenj të palëvizshëm.” Sebe’, 13

 

Po ashtu, disa lloje të teuessul-it (kërkimit të afrimit tek Allahu), disa lloje të përuljes dhe përshëndetjes, ishin të lejuara. Këto mjete që të çojnë në shirk, futen tek aspekti i veprave, e nuk futen tek aspekti i besimit në të fshehtën dhe në atë që është e veçantë dhe bëhet vetëm për Allahun. Këto ndalesa janë ndalesa që të çojnë në shirk, të cilët kthehen te Sheriatet e ndryshme dhe tek ajo që Allahu e cakton si Sheriat për çdo popull. Ndërsa, akideja që ka të bëjë me të fshehtën (gajbin), kjo është feja e përgjithshme, feja e përgjithshme Islame, me të cilën Allahu i dërgoi të gjithë Pejgamberët.

 

Pejgamberi ynë, Muhamedi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka një veçori, e ai është se: misioni i tij si pejgamber, përmbledh fenë Islame dhe Sheriatin Islam. Andaj, ai i cili e meriton më së shumti emrin e Islamit të plotësuar, është Muhamedi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Sepse Sheriatin e tij Allahu e quajti Islam dhe se feja me të cilën erdhi ai është Islami, siç erdhën të gjithë të dërguarit me të. Kështu, Allahu bashkoi tek ai midis sheriatit të Islamit dhe fesë Islame. Andaj, ai shquhet dhe dallohet nga të tjerët me këtë emër.

 

Çështja e tretë:

Fjala e tij: “Nuk bëjmë dallim midis ndonjërit prej të dërguarve të Tij.” E që është e kundërta me popujt e tjerë dhe fetë e tjera, të cilët bëjnë dallime.

 

Lejohet të themi “fetë”, sepse çdo popull ka një fe, por nuk ia bashkëngjisim dhe nuk ia atribuojmë ato fe qiellit. Pra, nuk themi “fetë qiellore.” Por themi fetë, si Jehudizmi, Krishterizmi, e kështu më radhë, duke i parë ato nga këndvështrimi i gjendjes aktuale të tyre. Të gjitha këto fe, bënë dallim midis të dërguarve. Prandaj, ai që me të vërtetë bën dallim midis të dërguarve, nuk ka hise nga imani tek ata të dërguar, madje edhe sikur t’i besojnë të dërguarit i cili u dërgua tek ata, përderisa ata bëjnë dallim midis të dërguarve të tyre, atyre nuk u takon hise nga imani ndaj atij të dërguari.

 

Andaj, ne themi: realiteti i Jehudëve pas ndryshimit që i bënë fesë është se nuk i besuan Musait – ‘alejhi selam – ashtu siç është ai në të vërtetë. Po ashtu, realiteti i të Krishterëve është se ata nuk i besuan Isait – alejhi selam – porse ata e preferuan dhe besuan në një gjë që e sajuan në mendjet e tyre dhe e quajtën “Musa” dhe tjetrin e quajtën “Isa”, tjetrin e quajtën “Daud”, tjetrin e quajtën “Sulejman”. Pejgamberët janë të distancuar nga ai që nuk i beson çdo të dërguari. Ndërsa, ata që u besojnë janë Muslimanët, ngaqë besojnë në të gjithë të dërguarit.

 

Pra, ata që e meritojnë më së shumti mbrojtjen e trashëgimisë së të gjithë Pejgamberëve dhe të dërguarve, si dhe trashëgiminë e asaj që lanë ata, janë Muslimanët. Për këtë arsye, Allahu e bëri Kuranin dominues, dëshmues dhe vërtetues të çdo libri të mëparshëm.

 

 

Fundnota:

 

[1] (Shënim i përkthyesit): Shejkhul-Islam Ibën Tejmije thotë: “Është thënë se Sheriati është urdhërimi dhe ndalimi, hallalli dhe harami, obligimet, ndëshkimet, gjërat e preferuara në fe dhe dispozitat fetare.” Mexhm’ul-Fetaua (2/362).

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari