Autor: Muhamed ibën Salim Bazmul
Burimi: Tefsirul Ajatil Ahkam, mësimi 49, min. 44:41
Pyetje: Ekziston një grup Muslimanësh që e quajnë veten se janë “Komisioni që zgjidh problemet e Muslimanëve” dhe shumica e këtyre janë në metodologjinë e Vëllazërisë Muslimane (el-Ikhuan el-Muslimin) dhe shumë Muslimanë e ndjekin këtë Komision. Tani për tani ata bëjnë përgatitje për pastrimin vendeve ku do të mbahen ritualet e të Krishterëve që të festojnë festën e kryqit. Çfarë gjykimi ka ky veprim, edhe nëse e bëjnë këtë nga ana politike apo nga shkujdesi i tyre?
Përgjigje: Çdo festë dhe çdo tubim i Ehlul-Kitabit (Jehudëve dhe të Krishterëve), nuk u lejohet Muslimanëve që t’i ndihmojnë ata për këtë festë, ose t’i urojnë dhe të luten për begati për atë festë. Për arsye se festat e tyre bazohen në besimet e tyre të pavërteta në lidhje me Allahun – të Plotfuqishmin dhe të Madhëruarin – dhe të Dërguarin e tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Kështu që, nuk lejohet që ne t’i aprovojmë ata për këto festa; as duke i ndihmuar ata, as duke i uruar ata, as me ndonjë përkrahje, dhe as me ndonjë veprim tjetër që ka të bëjë me festat e tyre.
Për këtë arsye, dijetarët e Islamit janë treguar shumë të ashpër në lidhje me këtë gjë dhe kanë thënë: “Kush hyn në kishë gjatë festave të tyre, ka bërë kufër.” Përse? Sepse kjo është festa e tyre në të cilën ata e shfaqin fenë e tyre. Pra, hyrja dhe pjesëmarrja jote me ta, në festën e tyre, në të cilat ata shfaqin haptazi fenë e tyre, në të cilën festë ata pretendojnë se Allahu ka ortak dhe se ka këtë e atë, kjo është pajtim dhe aprovim ndaj tyre dhe këtë veprim e kanë konsideruar kufër. Si për shembull: ai që vesh gjatë festave të tyre rripin e tyre (që vendoset në bel) apo vesh teshat e tyre (të festave), këtë veprim e kanë konsideruar kufër. Pse? Sepse kjo do të thotë pajtim dhe aprovim për kufrin e tyre për hir të festës që ata janë mbledhur.
Kurse përveç këtyre festave, nëse ti hyn në kishat kur nuk mbahen festat e tyre, kjo nuk është kufër. Nuk quhet kufër. Umer ibën el-Khattabi, për shkak të udhëtimit dhe shiut që binte, u detyrua të hynte në kishë; ai hyri në kohën e namazit dhe u fal në të. Kjo është e vërtetuar me zinxhir të saktë. Ai u fal brenda në kishë. Pra, ai hyri në këtë kishë. Muslimanët nuk mohojnë që ti të futesh në kishë për ndonjë çështje apo qëllim të caktuar, por jo të futesh në kohën kur ata bëjnë adhurimet e tyre dhe kanë festat e tyre, ngaqë të futesh në kishë kur ata bëjnë adhurimet e tyre dhe kur i mbajnë festat e tyre, kjo konsiderohet pjesëmarrje dhe aprovim për fenë që kanë ata. Prandaj, dijetarët këtë veprim e kanë quajtur kufër.
Poshtë kësaj që thamë, vendosim një fjalë në fusnotë: dijetarët e kanë quajtur këtë veprim kufër, por nuk do të thotë se ai që e bën këtë gjë është qafir, i dalë nga Islami. Kjo do të thotë se veprimi është kufër, por nëse duam të gjykojmë për një person të caktuar se është qafir, duhet patjetër që t’ia bëjmë të qarta argumentet me vërtetimin e kushteve dhe heqjen e pengesave [1]. Por pika e diskutimit është për shkak të madhërimit që ata i bëjnë kësaj feste, këtë veprim dijetarët e kanë quajtur kufër. A e keni të qartë këtë çështje?
Atëherë, si është puna me një Komision, që e quan veten “komision shkencor Islam e sheriatik”, merr përsipër që të pastrojë kishat dhe merr përsipër gjërat që ndërlidhen me ditët e festimit të Krishterëve?! Çfarë është kjo! Kjo është fatkeqësi e madhe. Allahu e largoftë të keqen prej nesh dhe prej jush.
_________________
[1] [Shënim i përkthyesit]: Shejkh Muhamed Bazmul – Allahu e ruajttë – thotë:
Sqarimi argumentit është i domosdoshëm kur duam të bëjnë tekfir të veçantë mbi ndonjë person të caktuar, për shkak të Fjalës së Allahut të Lartësuar:
وَمَا كُنَّا مُعَذِّبِينَ حَتَّىٰ نَبْعَثَ رَسُولً
“...Ne nuk dënojmë ndonjë para se të çojmë një të dërguar (që të paralajmërojë).” El-Isra, 15
Me vërtetimin e kushteve është për qëllim:
1. Që të vërtetohet dituria, që është e kundërta e injorancës,
2. Që të vërtetohet qëllimi, që është e kundërta e pahirit.
Nëse mungojnë pengesat, do të thotë që ndalohet që të jepet gjykim me tekfir, të cilat qëndrojnë përballë kushteve të tekfirit. Këto pengesa janë katër:
1) Injoranca, që është e kundërta e diturisë,
2) Interpretimi i gabuar,
3) Gabimi pa qëllim, që është e kundërta e gabimit me qëllim.
4) Detyrimi, që është e kundërta e zgjedhjes së lirë dhe vullnetit.
Burimi: er-Reddu ‘ala Kutub Meshbuha, fq. 119, botimi “Darul-Istikameh”.
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org
Përktheu: Jeton Shasivari