Bismilah...

Autor: Shejkhul-Islam ibën Tejmijeh

Burimi: Mexhmu’ul-Fetaua, vëll. 8, fq. 179

 

 

Njeriu nuk është urdhëruar që të shikojë (të justifikohet, sh.p.) me Kader kur urdhërohet të veprojë vepra që i ka detyrë t’i bëjë, porse (është urdhëruar që të shikojë në Kader) atëherë kur t’i ndodhin fatkeqësitë, nga të cilat ai s’ka si t’i mënjanojë nga vetja e tij. Pra, bëj durim me atë që të ndodh nga njerëzit apo nga të tjerët, ji i kënaqur me të dhe nënshtrohu.

 

Allahu i Lartësuar ka thënë:

مَا أَصَابَ مِنْ مُصِيبَةٍ إلَّا بِإِذْنِ اللَّهِ وَمَنْ يُؤْمِنْ بِاللَّهِ يَهْدِ قَلْبَهُ

“Çfarëdo e keqe që ndodh, është vetëm se me lejen (Caktimin) e Allahut, e kush i beson Allahut, Ai e udhëzon zemrën e tij (në bindje dhe nënshtrim ndaj fatkeqësive).” et-Tegabun, 11

 

Njëri nga Selefët – Ibën Mes’udi apo ‘Alkameh – (në komentimin e këtij ajeti) ka thënë: “Është ai njeri të cilin e godet fatkeqësia dhe e din se kjo është prej Allahut, kështu është i kënaqur dhe nënshtrohet.”

 

Për këtë arsye, Ademi i tha Musait: “A po më fajëson për diçka që Allahu ma ka caktuar 40 vite para se të më krijojë.” Kështu Ademi e mundi Musain [1]. Sepse Musai i tha se përse e nxore veten dhe neve nga Xheneti. Pra, Musai e fajësoi për fatkeqësinë që i ndodhi për shkak të veprës së tij, e jo për mëkatin (ngrënien e pemës), për këtë arsye, Ademi iu argumentua Musait me Kader.

Ndërsa, ajo që mendojnë disa grupe (të devijuara) se ky argumentim ishte për shkak të gjynahut, ky nuk është qëllimi i hadithit, sepse Ademi – ‘alejhi selam – ishte penduar nga mëkati dhe ai që pendohet nga mëkati është sikurse ai që nuk ka bërë mëkat fare. Nuk lejohet fajësimi i të penduarit dhe për këtë janë pajtuar të gjithë njerëzit. Pra, Ademi u argumentua me Kader për fatkeqësinë.

 

Askujt nuk i lejohet që të argumentohet me Kaderin e Allahut kur bën mëkat, dhe për këtë janë pajtuar të gjithë Muslimanët dhe pasuesit e feve tjera, si dhe njerëzit tjerë që kanë logjik. Nëse kjo do të ishte e pranuar (justifikimi me kader në mëkate), çdo njeri do të bënte çfarë t’i tekej, siç është: vrasja, grabitja e pasurisë së tjetrit dhe shkatërrime të tjera në tokë, e do të argumentohej me Kaderin e Allahut. Ky po i njëjti që argumentohet me Kader, nëse dikush do ta sulmonte dhe sulmuesi të argumentohej me Kader, ai (i sulmuari) nuk do ta pranonte këtë dhe do ta kundërshtonte. Ky mendim që kundërshtohet (argumentimi me Kader në mëkate), tregon se është mendim i prishur. Andaj, argumentimi me kader (në mëkate), dihet mirë se është mendim i prishur për mendjen e shëndoshë.”

 

Fundnota:

[1] [Shënim i përkthyesit] Përcillet nga Ebu Hurejra se Pejgamberi - - ka thënë:

 

احْتَجَّ آدَمُ وَمُوسَى، فَقَالَ لَهُ مُوسَى يَا آدَمُ أَنْتَ أَبُونَا خَيَّبْتَنَا وَأَخْرَجْتَنَا مِنَ الْجَنَّةِ‏.‏ قَالَ لَهُ آدَمُ يَا مُوسَى اصْطَفَاكَ اللَّهُ بِكَلاَمِهِ، وَخَطَّ لَكَ بِيَدِهِ، أَتَلُومُنِي عَلَى أَمْرٍ قَدَّرَ اللَّهُ عَلَىَّ قَبْلَ أَنْ يَخْلُقَنِي بِأَرْبَعِينَ سَنَةً‏.‏ فَحَجَّ آدَمُ مُوسَى، فَحَجَّ آدَمُ مُوسَى

 “Ademi dhe Musai debatuan. Musai i tha: “O Adem! Ti je babai ynë! Na privove dhe na nxore nga Xheneti.” Kurse Ademi i tha: “O Musa! Allahu të ka Folur drejtpërsëdrejti me Fjalë dhe shkroi për ty (Teuratin) me Dorën e Tij. A më fajëson për diçka që Allahu e kishte caktuar 40 vite me Kader para se të më krijonte!” Kështu Ademi e mundi Musain.

Sahihu i Buhariut [6614].

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari