Autor: Muhamed ibën Salih el-Uthejmin (1421 h.)
Burimi: Mexhmu’u Fetaua ue Rasail, vëll. 3/fq. 126
Është pyetur Shejkh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë: Kur njeriu është i zemëruar dhe thotë ‘Sikur unë të veproja kështu e ashtu, do të ishte kështu e ashtu,’ ose të thotë: ‘Allahu e mallkoftë këtë sëmundje që më ka munduar.’”
Shejkh Uthejmini u përgjigj: Nëse ai thotë “Sikur unë të veproja kështu, do të ishte ashtu,” duke shprehur keqardhje dhe urrejtje për Kaderin (paracaktimin e Allahut), atëherë kjo është haram dhe nuk i lejohet njeriut që ta thotë një gjë të tillë, për arsye se Profeti – alejhi salatu ue selam – ka thënë:
احْرِصْ عَلَى مَا يَنْفَعُكَ وَاسْتَعِنْ بِاللَّهِ وَلاَ تَعْجِزْ وَإِنْ أَصَابَكَ شَىْءٌ فَلاَ تَقُلْ لَوْ أَنِّي فَعَلْتُ كَانَ كَذَا وَكَذَا وَلَكِنْ قُلْ قَدَرُ اللَّهِ وَمَا شَاءَ فَعَلَ فَإِنَّ لَوْ تَفْتَحُ عَمَلَ الشَّيْطَانِ
“Përpiqu për atë që të bën dobi dhe kërko ndihmë nga Allahu, e mos u ligështo! Nëse të gjen diçka (e keqe), mos thuaj “sikur të bëja kështu, do të ishte kështu e ashtu,” por thuaj: “Ky është kaderi (paracaktimi) i Allahut dhe Ai bën çfarë të dojë.” Sepse fjala “sikur” i hap punë shejtanit.” Muslimi (2664)
Kjo është detyra njeriut: që të bëjë atë që është urdhëruar dhe t’i nënshtrohet asaj që është paracaktuar me Kader; sepse atë që Allahu do, do të bëhet dhe atë që Ai nuk e do, nuk do të bëhet.
Kurse ai që e mallkon sëmundjen dhe atë që Allahu – i Plotfuqishmi dhe i Madhëruari - ia ka caktuar atij, kjo është nga veprat më të këqija. Allahut i kërkojmë mbrojtje nga kjo gjë! Sepse të mallkosh sëmundjen e cila ndodh me caktimin e Allahut, është e barabartë me sharjen e Allahut – të Pastrin nga çdo mangësi dhe të Lartësuarin. Ai që e thotë këtë fjalë, e ka detyrë që të pendohet tek Allahu dhe t’i kthehet fesë së tij; ta dijë se sëmundja ndodh me Kaderin e Allahut dhe se çdo fatkeqësi që e kaplon njeriun është si pasojë e veprave të tij dhe Allahu nuk i bën padrejtësi atij, porse njeriu ishte padrejtë ndaj vetës së tij.
Përktheu: Jeton Shasivari