Bismilah...

Autor: Muhamed bin Salih el-Uthejmin (1421 h.)

Burimi: Mexhmu’u Fetaua ue Rasail el-Uthejmin, vëll. 2/fq. 201

 

Pyetje: Përderisa Allahu, i Pastri nga çdo mangësi dhe i Lartësuari, e urren kufrin, atëherë si e ka dëshiruar atë, edhe pse askush nuk mund ta detyrojë Allahun e Madhëruar dhe të Lartësuar?

Përgjigje: Ajo që dëshirohet dhe synohet është dy llojesh:

Lloji i parë: ajo që dëshirohet për ekzistencën dhe qenien e saj, e që është ajo që njerëzit e duan dhe e synojnë. Pra, ajo gjë që e duan të tjerët, e duan atë për shkak të ekzistencës së saj, siç është imani. Allahu e do imanin që është paracaktuar me Kader përpara se të ekzistonte dhe e do atë edhe në këtë dunja pasi që erdhi në ekzistencë, për arsye se imani duhet për ekzistencën e tij.

Lloji i dytë: ajo që dëshirohet jo për qenien dhe ekzistencën e saj, porse për një qëllim tjetër. Që do të thotë se Allahu i Lartësuar e ka caktuar kufrin e jo se e do atë, por për shkak të kufrit ka dobi të tjera. Pra, kufri duhet jo për ekzistencën e tij, por për një qëllim tjetër. Kështu që, duke e vështruar nga ky aspekt, ai përmban një urtësi dhe nuk është qëllimi se Allahu i detyron njerëzit të bëjnë kufër.

Po sjellim një shembull në lidhje me këtë:

Allahu, i Madhëruar dhe i Lartësuar, e urren kufrin porse e cakton atë për krijesat, sepse po të mos ishte kufri nuk do të dallohej besimtari nga pabesimtari. Besimtari nuk do ishte lavdëruar, sepse të gjithë njerëzit do të ishin besimtarë. Po ashtu, po të mos ishte kufri, nuk do të ekzistonte xhihadi. Kështu që, besimtari kundër kujt do të bënte xhihad?! Nëse nuk do të ndodhte kufri, krijimi i Zjarrit do të ishte pa dobi dhe Allahu i Lartësuar ka treguar për këtë kuptim në fjalën e Tij:

وَلَوْ شَاءَ رَبُّكَ لَجَعَلَ النَّاسَ أُمَّةً وَاحِدَةً وَلَا يَزَالُونَ مُخْتَلِفِينَ إِلَّا مَنْ رَحِمَ رَبُّكَ وَلِذَلِكَ خَلَقَهُمْ وَتَمَّتْ كَلِمَةُ رَبِّكَ لَأَمْلَأَنَّ جَهَنَّمَ مِنَ الْجِنَّةِ وَالنَّاسِ أَجْمَعِينَ

“Sikur të donte Zoti yt, do t’i bënte krejt njerëzit të një feje, por ata vazhdojnë të kenë kundërshtime (fe të ndryshme), përveç atij që Zoti yt e ka mëshiruar dhe për atë Ai i ka krijuar ata. Fjala e Zotit tënd është e pandryshueshme. Pa dyshim se Unë kam për ta mbushur Xhehnemin me xhinet dhe njerëzit në përgjithësi.” Hud, 118-119

Me këtë bëhet e qartë se dëshira e Allahut para krijimit – një pjesë e të cilës është e urryer për Allahun – dëshirohet për një qëllim tjetër.

Po ju sjell edhe një shembull tjetër, kurse Allahu është ai që i sjell shembujt më të mirë:

Një njeri që ka një djalë, e do atë shumë. Nëse do ta godiste atë qoftë edhe një xixë e zjarrit, kjo do të ishte sikur xixa e zjarrit të bjerë në zemrën e babait, për shkak të dashurisë së madhe që ka për djalin e vet. Ta zëmë se ky djalë sëmuret dhe atë e çojnë për vizitë mjekësore te shumë doktorë dhe njëri nga doktorët i thotë: “Patjetër që ky djalë të kurohet me djegie (kejj) duke e marrë një shufër hekuri të nxehur në zjarr.” Babai thotë: “Duhet të veprohet kështu.” Këtë shërim me djegie, babai nuk e do për djalin e tij, porse e do atë për një qëllim tjetër. Kështu, babai i këtij djali e dëshiron këtë lloj kure me gjithë qejf, me zemër të hapur dhe qetësi, që ta shërojë djalin e tij me djegie. Megjithëkëtë, edhe pse babai po pa edhe një xixë zjarri ta godas djalin e tij, kjo është për të sikur t’i bjerë në zemrën e tij.

Kështu që, u mësua se një gjë e urryer mund të bëhet, jo për vet atë porse për një qëllim tjetër. Kështu është edhe me kufrin, mëkatet, degjenerimin, Allahu i do ato në paracaktimin e Tij në Kader për shkak të dobive që përmbajnë. Pra, ato dëshirohen dhe synohen për diçka tjetër, e jo për ekzistencën e tyre.

 

 

Përktheu: Jeton Shasivari