Bismilah...

Allahu e ka fshehur urtësinë e Tij që njerëzit mos ta dinë atë. Nëse Allahu do t’ua mundësonte njerëzve të shikonin dhe t’i dinin urtësitë e Allahut për shumë gjëra, ata do të kishin devijuar dhe do të ishin pështjelluar, sepse pas urtësisë qëndron dituria, kurse dituria e njeriut është shumë e cekët. Kur njeriu e kundërshton një gjë që nuk e di ngaqë ai nuk e di urtësinë e asaj gjëje, atëherë njeriu do të devijojë, madje do të privohet nga dituria dhe udhëzimi.

Merre si shembull për privimin nga një pjesë e dijes për shkak të kundërshtimit, atë që është përmendur në Suren el-Kehf, nga historia e Musait, alejhi selam, me Hidrin. Këtë histori ne e lexojmë çdo të premte (Suren el-Kehf) dhe në të ka shumë mësime dhe dobi të cilat e ngjallin imanin e shpirtrave në shumë situata të ndryshme të Muslimanëve.

Kemi historinë e Hidrit me Musain. Hidri kishte dituri që ia kishte mësuar Allahu.

وَعَلَّمْنَاهُ مِنْ لَدُنَّا عِلْمًا

“Ne i kishim mësuar atij nga dija Jonë.” El-Kehf, 65

Kurse dituria e Musait ishte më e vogël në krahasim me diturinë e Hidrit.

Të dy ata hipën në anije dhe Hidri i bëri një dëm anijes. Musai i tha:

قَالَ أَخَرَقْتَهَا

“A e dëmtove atë...” el-Kehf, 71

Pra, Musai alejhi selam, e kundërshtoi atë sepse nuk e dinte urtësinë e këtij dëmi.

Dëmi i shkaktuar ndaj anijes, kishte dobi apo jo? Në shikim të parë, kjo anije ishte e disa të varfërve të cilët nuk kishin pasuri dhe anija e tyre dëmtohet dhe prishet, në shikim të parë kjo duhet padrejtësi. A nuk është kështu?

Musai, alejhi selam, meqë kishte dituri për atë që u duk qartë, prandaj i tha:

قَالَ أَخَرَقْتَهَا لِتُغْرِقَ أَهْلَهَا لَقَدْ جِئْتَ شَيْئًا إِمْرًا

“A po e dëmton atë për t’i mbytur udhëtarët e saj? Vërtet ke bërë diçka jo të mirë.” El-Kehf, 71

Hidri ia ktheu:

قَالَ أَلَمْ أَقُلْ إِنَّكَ لَن تَسْتَطِيعَ مَعِيَ صَبْرًا

“A nuk të thashë se ti vërtet nuk do të durosh me mua?!” el-Kehf, 72

Musai i tha:

قَالَ لَا تُؤَاخِذْنِي بِمَا نَسِيتُ وَلَا تُرْهِقْنِي مِنْ أَمْرِي عُسْرًا 

“Mos më qorto që nuk e mbajta fjalën dhe mos më ngushto më shumë se kaq, por sillu butë me mua.” El-Kehf, 73

Pse kështu? Se Musai nuk e dinte urtësinë e veprimeve që bënte Hidri, kurse urtësia është e lidhur ngushtë me diturinë.

Pas kësaj, ai e vrau një fëmijë.

Musai i tha:

قَالَ أَقَتَلْتَ نَفْسًا زَكِيَّةً بِغَيْرِ نَفْسٍ لَّقَدْ جِئْتَ شَيْئًا نُّكْرًا 

“Pse e vrave një shpirt të pastër (të pafajshëm) që nuk ka vrarë asnjë njeri. Vërtet ke bërë një vepër të keqe.” el-Kehf, 74

Pra, është bërë një vepër shumë e rëndë. Çfarë tha Allahu në ajetin e radhës duke treguar për fjalën që tha Hidri:

قَالَ أَلَمْ أَقُل لَّكَ إِنَّكَ لَن تَسْتَطِيعَ مَعِيَ صَبْرًا 

“Ai tha: ‘A nuk të thashë ty se ti nuk do të durosh me mua?!” el-Kehf, 75

Në rastin e parë Hidri i tha:

قَالَ أَلَمْ أَقُلْ إِنَّكَ

“A nuk të thashë se ti vërtet...” el-Kehf, 72

Kurse në rastin e dytë i tha:

قَالَ أَلَمْ أَقُل لَّكَ إِنَّكَ لَن تَسْتَطِيعَ مَعِيَ صَبْرًا 

“Ai tha: ‘A nuk të thashë ty se ti nuk do të durosh me mua?!” el-Kehf, 75

Musai i tha:

قَالَ إِن سَأَلْتُكَ عَن شَيْءٍ بَعْدَهَا فَلَا تُصَاحِبْنِي 

“Nëse pas kësaj here do të pyes sërish për çfarëdo gjëje qoftë, atëherë mos më mbaj më në shoqërinë tënde!”el-Kehf, 76

Kështu që, Musai, alejhi selam, e kundërshtoi diturinë e Hidrit të cilën dituri ia kishte mësuar Allahu, siç ka ardhur në hadith në të cilin ka thënë Hidri:

ما نقصَ عِلمي وَعِلْمُكَ مِن علمِ اللَّهِ إلَّا مثلُ ما نقصَ هذا العُصفورُ منَ البحرِ

“Dituria jote dhe e imja në krahasim me diturinë e Allahut është aq sa uji që pi ky zog në det.” Tirmidhi, 3149

Pra, dituria jonë është asgjë në krahasim me diturinë e Tij. 

Me këtë histori Allahu na tregon neve njerëzve, se padituria është një arsye për të mos kundërshtuar. Nëse ti nuk ke dije, atëherë hesht! Njëri shkon te një dijetar për ta pyetur dhe ai i përgjigjet. Pyetësi nuk kundërshton, sepse nuk ka dituri.

Për veprat e Allahut në krijimin dhe mbretërinë e Tij, ti nuk i di qëllimet dhe synimet që fshihen pas atyre veprave. Prandaj, ti e ke detyrë që të nënshtrohesh dhe dorëzohesh. Nëse ti e kundërshton diturinë e Allahut dhe nuk e di realitetin e urtësisë, atëherë kundërshtimi yt është shkak i devijimit të zemrës dhe largimit nga Allahu.

 

Përktheu: Jeton Shasivari