Autor: Shejkh ‘Abdul’Aziz ibën Baz
Burimi: Fetaua Nurun ‘ala Derb, vëll. 1, fq. 33
Burimi: http://www.binbaz.org.sa/noor/1408
Pyetje: Cili është kuptimi fjalës La ilahe il-lAllah (nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut) cilët janë kushtet e saj dhe cila është domethënia e saj?
Përgjigje: Fjala ‘La ilahe il-lAllah,’ është fjala më e mirë pas Kuranit. Është fjala më e dashur për Allahun dhe më e mira. Ajo është ‘Fjala e Sinqeritetit.” Eshtë gjëja e parë në të cilën thirrën të gjithë të Dërguarit – paqja dhe shpëtimi qoftë mbi ta –. Ajo është gjëja e parë në të cilën ka thirrur Pejgamberi – paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – kur i tha popullit të tij:
قولوا: لا إله إلا الله تفلحون
“Thoni: La ilahe il-lAllah, që të shpëtoni.” [1]
Pra, ajo është ‘Fjala e Sinqeritetit’ dhe ‘Fjala e Teuhidit.’ Kuptimi i saj është: “Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut.” Ky është kuptimi i saj. Siç ka Thënë i Lartësuari:
ذَلِكَ بِأَنَّ اللَّهَ هُوَ الْحَقُّ وَأَنَّ مَا يَدْعُونَ مِنْ دُونِهِ هُوَ الْبَاطِلُ
“Kjo është kështu, sepse Allahu është e Vërteta (i adhuruari i vetëm me të drejtë), kurse gjithçka që adhurohet përveç Tij, është e pavërteta.” El-Haxh, 62
Fjala (La ilahe il-lAllah) përmban mohim dhe pohim. ‘La ilahe’ (nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë) është mohim, il-lAllah (përveç Allahut) është pohim. Fjala ‘La ilahe,’ i mohon të gjithë të adhuruarit dhe të gjithë zotat që adhurohen pa të drejtë, dhe fjala ‘il-lAllah’ pohon adhurimin me të drejtë për Allahun, të Vetmin – të Pastrin nga çdo mangësi.
Andaj, kjo fjalë është themeli i fesë dhe baza e fesë. Është detyrë për të gjithë ata që janë mukel-lefiin (Muslimanë të rritur e të shëndosh mendërisht që ngarkohen me detyra Sheriatike, sh.p.) nga xhinët dhe njerëzit, t’i përmbahen asaj, qofshin gra dhe burra; të kenë iman në domethënien e saj dhe ta besojnë atë, duke iu për përkushtuar sinqerisht adhurimit të Allahut.
Kushtet e saj janë tetë, disa prej tyre (dijetarëve) i kanë përmbledhur në dy vargje, duke thënë:
علم يقين وإخلاص وصدقك مع محبة وانقياد والقبول لها
Dituria, bindja, sinqeriteti dhe besnikëria jote e shoqëruar me dashurinë, nënshtrimin dhe pranimin e saj
وزيد ثامنها الكفران منك بما سوى الإله من الأشياء قد ألها
Iu shtua kushti i tetë: mohimi nga ana jote ndaj çdo të adhuruari nga gjërat të cilat adhurohen.
Pra, ai që i mëson këto gjëra (kushtet) – elhamdulilah, e nëse jo, mjafton domethënia e saj, edhe në qoftë se nuk i mëson këto kushte. Nëse ai e din kuptimin e saj dhe e adhuron Allahun me të vërtetën, duke e bërë adhurimin vetëm për Atë, braktis adhurimin e dikujt tjetër dhe bëhet i palëkundur në fenë e Allahut, atëherë kjo i mjafton atij, edhe në qoftë se nuk i dinë kushtet.
Domethënia e kushteve është e qartë.
(1) Dija: do të thotë të dish kuptimin e saj (fjalës La ilahe il-lAllah). Kuptimi i saj është: Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë, përveç Allahut.
(2) Bindja e thellë: do të thotë të jesh i bindur në të e jo të kesh dyshime, por të kesh bindje të thellë se nuk të adhuruar tjetër me të drejtë, përveç Allahut.
(3) Sinqeriteti: sinqeriteti është i domosdoshëm në adhurimin e Allahut, të Vetmit. Namazi yt, agjërimi yt dhe sadakaja jote, të gjitha këto janë vetëm për Allahun, të Vetmin.
(4) Dashuria: Duke i shoqëruar këto vepra me dashuri. Ta duash Allahun sinqerisht, ta duash të Dërguarin – paqja dhe shpëtimi qoftë mbi të. Dashuria ndaj Allahut – të Madhëruar e të Lartësuar – është e domosdoshme.
(5) Po kështu edhe besnikëria (vërtetësia); patjetër që të jesh besnik (i vërtetë) në këtë fjalë, në kundërshtim me munafikët të cilët gënjejnë. Kurse ti e thua atë besnikërisht se: nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut.
(6) Nënshtrimi; ti u nënshtrohesh argumenteve që kanë ardhur për këtë nënshtrim, duke u nisur nga përkushtimi i sinqertë i adhurimit vetëm për Allahun, të Vetmin dhe braktisjen e adhurimit të dikujt tjetër përveç Atij. T’i çosh në vend ligjet që Allahu i ka ligjëruar për ty, siç janë urdhëresat dhe lënia e ndalesave të cilat rrjedhin nga dashuria dhe nënshtrimi (ndaj Allahut).
(7) Kështu edhe pranimi; të pranosh atë me të cilën ka ardhur Sheriati dhe të mos e refuzosh atë; t’i pranosh argumentet që kanë ardhur për të, siç është: adhurimi, teuhidi, sinqeriteti dhe të mos e refuzosh atë.
(8) Kufri (mohimi) është i domosdoshëm. Ta mohosh atë që adhurohet përveç Allahut – siç ka Thënë i Madhëruari:
فَمَنْ يَكْفُرْ بِالطَّاغُوتِ وَيُؤْمِنْ بِاللَّهِ فَقَدِ اسْتَمْسَكَ بِالْعُرْوَةِ الْوُثْقَى لا انْفِصَامَ لَهَا وَاللَّهُ سَمِيعٌ عَلِيمٌ
“Ai që mohon tagutin (gjithçka që adhurohet në vend të Allahut) dhe beson në Allahun, ka siguruar lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.” El-Bekare, 256
Kuptimi i kësaj është që ti të distancohesh nga çdo gjë që e mohon fjalën ‘La ilahe il-lAllah,’ dhe të besosh se ajo është e pavërtetë; të besosh se Allahu është i adhuruari me të drejtë, dhe se çdo gjë tjetër që adhurojnë njerëzit përveç Allahut është e pavërtetë; e mohon atë dhe distancohesh prej saj. Kjo është domethënia e tetë kushteve:
علم يقين وإخلاص وصدقك مع محبة وانقياد والقبول لها
Dituria, bindja, sinqeriteti dhe besnikëria jote e shoqëruar me dashurinë, nënshtrimin dhe pranimin e saj
وزيد ثامنها الكفران منك بما سوى الإله من الأشياء قد ألها
Iu shtua kushti i tetë: mohimi nga ana jote ndaj çdo të adhuruari nga gjërat të cilat adhurohen.
Që do të thotë: të mohosh çdo gjë që adhurohet përveç Allahut.
Nëse nxënësi i dijes i di këto, duhet t’i zbatojë, kurse ai që nuk i di, i mjafton kuptimi. Nëse e thotë këtë fjalë (La ilahe il-lAllah) bashkë me imanin dhe sinqeritetin për Allahun, bindjen dhe besnikërinë ndaj kësaj fjale duke u distancuar nga adhurimi i ndonjë gjëje tjetër përveç Allahut, i nënshtrohet Sheriatit, e do Allahun – të Pastrin nga çdo mangësi –, e do fenë e Tij, atëherë e ka bërë atë që kërkohet.
Fundota:
[1] Këtë hadith e ka nxjerrë Imam Ahmedi në “Musnedul-Mekkijjin,” nga hadithi i Rabi’atu bin ‘Ibadeh ed-Dejli – Allahu qoftë i kënaqur me të – nr. [15593].
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org
Përktheu: Jeton Shasivari