Autor: Shejkh ‘Abdul-‘Azijz Ibën Baz
Burimi: http://www.binbaz.org.sa/mat/10277
Pyetja:
Ka thënë i Lartësuari:
الرَّحْمَنُ عَلَى الْعَرْشِ اسْتَوَى
“I Gjithëmëshirshmi u ngrit mbi Arsh.” [Ta-Ha, 5]
(Pyetësi) pyet për kuptimin e Istiuasë (ngritjes së Allahut mbi Arsh).
Përgjigja: Fjalën e Allahut – SubhaneHu ue Te'ala –:
الرَّحْمَنُ عَلَى الْعَرْشِ اسْتَوَى
“I Gjithëmëshirshmi u ngrit mbi Arsh.” [Ta-Ha, 5]
e kanë shpjeguar dijetarët e Sunetit se ajo është lartësimi dhe ngritja, domethënë Ai – SubhaneHu ue Te'ala – u ngrit mbi Arsh, lart mbi të, pa shpjeguar si. Ehli-Suneti dhe Xhemati janë Sahabët e Pejgamberit – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – dhe ata që i pasuan me mirësi. Ata thonë për Cilësitë e Zotit Krenar e Madhështor se është detyrë pohimi dhe pranimi i tyre ashtu siç kanë ardhur ato, pa pyetur si, domethënë ne i pohojmë ato për Allahun, i besojmë ato që janë të vërteta, porse nuk themi si janë ato, nuk themi se ato janë kështu apo janë ashtu. U pyet Malik Ibën Enes, Imami i Tokës së Hixhretit (Medines) në kohën e tij, i cili është një prej katër Imamëve; ai u pyet – Allahu i Lartësuar pastë mëshirë për të – për Fjalën e Tij:
الرَّحْمَنُ عَلَى الْعَرْشِ اسْتَوَى
“I Gjithëmëshirshmi u ngrit mbi Arsh.”
"Si u ngrit?" Ai ndenji shumë i heshtur dhe pastaj tha – Allahu i Lartësuar pastë mëshirë për të -: "Istiuaja (ngritja lart) është e njohur, mënyra e saj është e panjohur, kurse Imani (besimi) në të është uaxhib (obligim)."
Pra, obligimi i njerëzve të dijes dhe i të gjithë Muslimanëve është që të besojnë në Emrat dhe Cilësitë e Allahut, të cilat kanë ardhur në Kur`anin madhështor dhe në Sunetin e saktë dhe t'i lënë ato ashtu siç kanë ardhur, pa i deformuar, pa i mohuar, pa hetuar si janë dhe pa i shëmbëllyer, porse të besojnë që ato janë Cilësitë e Allahut, që ato janë Emrat e Tij, që ato janë të vërteta dhe kuptimet e tyre janë të vërteta, ashtu siç i takojnë Allahut – Xhel-le ue 'Alaa –. Ai nuk i ngjan krijesave të Tij në asnjë prej Cilësive të Tij – SubhaneHu ue Te'ala –.
Pra, Istiuaja është lartësimi dhe ngritja mbi Arsh, dhe ajo është e njohur në gjuhën Arabe, mirëpo mënyra e saj është e panjohur, ne nuk e dimë se si u ngrit Ai, porse themi se Ai u ngrit mbi Arsh dhe u lartësua mbi Arsh, me një lartësim që i ka hije Lartësisë dhe Madhërisë së Tij, që nuk i përngjan krijesave të Tij, as në Istiua dhe as në veprat e tjera, pasi Ai, i Përsosuri dhe i Lartësuari nga çdo e metë – ka thënë:
لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ وَهُوَ السَّمِيعُ البَصِيرُ
"Asgjë nuk është si Ai, dhe Ai është Gjithëshikuesi, Gjithëdëgjuesi." [esh-Shuura, 11]
Dhe se Ai, i Lavdishmi dhe i Lartësuari, ka thënë:
فَلاَ تَضْرِبُواْ لِلّهِ الأَمْثَالَ إِنَّ اللّهَ يَعْلَمُ وَأَنتُمْ لاَ تَعْلَمُونَ
"Andaj mos bëni përngjasime për Allahun. Me të vërtetë që Allahu di gjithçka kurse ju nuk dini."
[en-Nahl, 74]
Dhe se Ai, i Përsosuri dhe i Lartësuari nga çdo e metë, ka thënë:
وَلَمْ يَكُن لَّهُ كُفُوًا أَحَدٌ
"Dhe askush nuk është i njësojtë me Të." [el-Ikhlas, 4]
Allahu – SubhaneHu ue Te'ala – është i Përsosur në Qenien e Tij, në Emrat e Tij, në Cilësitë e Tij dhe në Veprat e Tij, dhe nuk ka rivalë, nuk ka të njëjtë dhe nuk ka të barabartë me Të – SubhaneHu ue Te'ala –. Ky është obligimi i njerëzve të Islamit, që ata t'i besojnë këto Cilësi: Istiuanë, Mëshirën, Dëgjimin, Shikimin, Zemërimin, Fytyrën, Dorën, Këmbën, Gishtat, si dhe Cilësitë e tjera të Allahut – SubhaneHu ue Te'ala –. Është obgilim pohimi i të gjitha atyre për Allahun, ashtu siç i takojnë Allahut, pa i deformuar, pa i mohuar Cilësitë e Allahut, si dhe pa thënë si janë ato dhe pa dhënë shëmbëllime për to, porse të thuhet që ato janë të vërteta dhe ato janë ashtu siç i takojnë Allahut të Përsosur e të Lartësuar nga çdo e metë. Krijesat e Tij nuk i ngjasojnë Atij në asnjë prej Cilësive të Tij – Xhel-le ue 'Alaa –, sepse Allahu – SubhaneHu ue Te'ala – nuk ka të ngjashëm as në Qënien e Tij dhe as në Cilësitë e Tij. I Pastër dhe i Lartësuar është Ai nga çdo e metë.
Pyetësi: Allahu ju bekoftë.
Përktheu: Alban Malaj