Bismilah...

Autor: Shemsuddin Muhamed bin Bekër bin Ejjub ibën Kajjim el-Xheuzijeh (v.751 h)

Burimi: Medarixhu Salikin, vëll. 1/fq. 508

 

Dije se rrezja e fjalës “la ilahe il-Allah – nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut” i largon mjegullat dhe retë e mëkateve, në varësi të fuqisë apo dobësisë së rrezatimit. Fjala “la ilahe il-Allah” ka dritë dhe njerëzit e saj dallojnë nga njëri-tjetri me këtë dritë në bazë të fuqisë dhe dobësisë, të cilën e di vetëm Allahu i Lartësuar. Ka njeri që drita e kësaj fjale në zemrën e tij është sikur dielli; ka njeri që drita e kësaj fjale në zemrën e tij është sikur ylli ndriçues; ka njeri që drita e kësaj fjale në zemrën e tij është sikur pishtari dritëplotë; një tjetër e ka këtë si drita e fortë, kurse një tjetër si drita e zbehur. Prandaj, Ditën e Gjykimit këto drita do të shfaqen në të djathtën e tyre dhe përpara tyre, në varësi të dritës së kësaj fjale që kanë patur në zemrat e tyre, në varësi të diturisë, veprave, njohjes dhe gjendjes së tyre. Sa më shumë që shtohet dhe forcohet drita e kësaj fjale, aq më shumë i djeg dyshimet dhe epshet në varësi të fuqisë që ka.

Madje, kjo dritë arrin deri në atë gjendje saqë djeg çdo dyshim, epsh dhe mëkat kur ndeshet me to. Kjo është gjendja e atij që është i sinqertë dhe i vërtetë në teuhidin e tij, i cili nuk i shoqëron Allahut shok në adhurim. Çdo mëkat, epsh dhe dyshim që i afrohet kësaj drite, ajo e djeg atë. Qielli i imanit të tij është i mbrojtur me yje nga çdo hajdut që vjedh të mirat e tij. Hajduti vjedh nga ky kur ai është i pavëmendshëm apo i pakujdesshëm, gjë e cila është e pashmangshme për njeriun. Por, kur ai zgjohet dhe e kupton se çfarë i është vjedhur, e kthen mbrapsht duke e marrë atë nga hajduti, ose arrin të fitojë shumëfish më shumë. Pra, ai përherë është kështu me hajdutët e njerëzve dhe xhinëve. Nuk është sikur ai që ua hap atyre depon e tij dhe rri me shpinë mbrapa dere.

 

Përktheu: Jeton Shasivari