Bismilah...

Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 18

 

Emri:

el-Haadij (الْهَادِيُ) [Udhëzuesi]

 

E ka përmendur Allahu këtë emër në dy vende në Kur'an dhe ato janë: Fjala e të Pastrit nga çdo mangësi:

وَإِنَّ ٱللَّهَ لَهَادِ ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓاْ إِلَىٰ صِرَٰطٖ مُّسۡتَقِيمٖ٥٤

“Pa dyshim që Allahu është Udhëzuesi i atyre që besuan, për në rrugën e drejtë.” [el-Haxh, 54]

Gjithashtu është Fjala e Tij:

وَكَفَىٰ بِرَبِّكَ هَادِيٗا وَنَصِيرٗا٣١

“Dhe mjaftohu me Zotin tënd Udhëzues dhe Ndihmues.” [el-Furkan, 31]

“El-Haadij” është Ai që i udhëzon robërit e Tij, i orienton dhe i shpie në ato gjëra që u sjellin atyre lumturinë në dynjanë dhe ahiretin e tyre. Është Ai që me udhëzimin e tij i udhëzon njerëzit e Tij besnikë që të punojnë me bindje për Të dhe për të fituar kënaqësinë e Tij. Është Ai që me udhëzimin e Tij i orienton gjallesat në ato gjëra që janë të mira për to dhe i ruan nga ato gjëra që janë të dëmshme për to.

Pra, Allahu është Ai që i ka krijuar krijesat dhe i ka udhëzuar.

 

﴿الَّذِي خَلَقَ فَسَوَّى وَالَّذِي قَدَّرَ فَهَدَى

“Është Ai i Cili krijoi gjithçka dhe i përsosi. Ai i Cili i përcaktoi gjithçka dhe i udhëzoi.” [el-‘Ala,  2-3]"

Ai i udhëzoi krijesat me udhëzimin e përgjithshëm që të arrijnë dobinë e tyre dhe ua lehtësoi atyre jetesën dhe punën për të cilën u krijuan. Gjithashtu, Ai i udhëzoi ato udhëzimin e sqarimit, prandaj ua zbriti Librin, u dërgoi të Dërguarit dhe u vendosi ligje dhe gjykime, hallallin dhe haramin, u sqaroi bazat e fesë dhe degëzimet e saj, udhëzoi dhe sqaroi Rrugën e Drejtë, e cila të shpie te kënaqësia e Tij dhe shpërblimi i Tij, si dhe i bëri të qarta rrugët e tjera për t’i paralajmëruar robërit e Tij që të ruhen prej tyre.

Ai i udhëzoi robërit besimtarë duke u dhënë sukses në realizimin e imanit dhe bindjes për Allahun, i udhëzoi që të shkojnë në shtëpitë e tyre në Xhennet, ashtu si i udhëzon në dynja që të ndjekin shkaqet dhe rrugët që të shpien në Xhenet.

Pra, emri “el-Haadij” i përmban të gjitha llojet e udhëzimit.

 

Përktheu: Abdullah Beqiri