Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër
Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 19
Emri:
el-Uehhaab (الوَهَّابُ) [Dhuruesi i madh]
Ky emër është përmendur në Kuranin Fisnik në tre vende. Allahu i Lartësuar ka thënë:
﴿رَبَّنَا لَا تُزِغْ قُلُوبَنَا بَعْدَ إِذْ هَدَيْتَنَا وَهَبْ لَنَا مِنْ لَدُنْكَ رَحْمَةً إِنَّكَ أَنْتَ الْوَهَّابُ﴾
“O Zoti ynë, mos na i devijo zemrat tona pasi që i udhëzove dhe na dhuro mëshirë prej Teje. Vërtet, Ti je Dhuruesi i madh.” Ali-Imran, 8
I Lartësuari ka thënë:
﴿أَمْ عِنْدَهُمْ خَزَائِنُ رَحْمَةِ رَبِّكَ الْعَزِيزِ الْوَهَّابِ﴾
“A mos i kanë ata thesaret e mëshirës së Zotit tënd, të Plotfuqishmit, Dhuruesit të madh?!” Sad, 9
Allahu i Lartësuar kur e përmend lutjen e Pejgamberit Sulejmanit, alejhi selam, ka thënë:
﴿قَالَ رَبِّ اغْفِرْ لِي وَهَبْ لِي مُلْكًا لَا يَنْبَغِي لِأَحَدٍ مِنْ بَعْدِي إِنَّكَ أَنْتَ الْوَهَّابُ﴾
“Ai tha: “O Zoti im, më fal dhe më dhuro një pushtet që të mos e ketë askush pas meje! Me të vërtetë, Ti je Dhurues i madh!” Sad, 35
El-Uehhaab do të thotë: Ai që dhuron shumë, begaton shumë dhe jep shumë dhe ky mbiemër ka ardhur në shkallën sipërore në gjuhën arabe. Pra, Allahu i Madhëruari dhe i Lartësuari, është Dhurues i madh që u dhuron robërve të Tij nga mirësia e Tij e madhe; Ai u dhuron atyre begati të njëpasnjëshme, u jep shumë të mira dhe u ndanë hise me bollëk. Për këtë arsye, në morfologji mbiemri “el-Uahhab” ka ardhur në shkallën sipërore, që do të thotë ai që dhuron shumë dhe jep vazhdimisht gjëra të llojllojshme me bollëk.
Në Dorën e Tij, të Pastrit nga çdo mangësi, janë thesaret e çdo gjëje; mbretëria e qiejve dhe e tokës janë në Dorën e Tij dhe Ai i ka çelësat e çështjeve. Ai bën me sundimin dhe mbretërinë e Tij si të dëshirojë.
Allahu, i Plotfuqishmi dhe i Madhëruari ka përmendur në Kuranin Fisnik disa lloje të dhurimeve dhe i ka përmendur këndvështrimet e Pejgamberëve dhe robërit të Tij të devotshëm, se si i kërkonin dhe i arrinin këto dhurime.
Këto dhurime të llojllojshme janë në Dorën e Tij, të Pastrit nga çdo mangësi. Ai është Zotëruesi i këtij universi. Ai është Drejtuesi i tij siç dëshiron Ai. Allahu i Lartësuar ka thënë:
﴿لِلَّهِ مُلْكُ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ يَخْلُقُ مَا يَشَاءُ يَهَبُ لِمَنْ يَشَاءُ إِنَاثًا وَيَهَبُ لِمَنْ يَشَاءُ الذُّكُورَ أَوْ يُزَوِّجُهُمْ ذُكْرَانًا وَإِنَاثًا وَيَجْعَلُ مَنْ يَشَاءُ عَقِيمًا إِنَّهُ عَلِيمٌ قَدِيرٌ﴾
“I Allahut është sundimi i qiejve dhe i tokës. Ai krijon çfarë të dojë. Ai i dhuron vajza kujt të dojë dhe djem kujt të dojë; ose disave u dhuron edhe djem edhe vajza, e kë të dojë e lë pa fëmijë. Vërtet, Ai është i Gjithëdijshëm, i Plotëfuqishëm.” Esh-Shura, 49-50
O Allah, Ty të takon lavdërimi për të mirat e Tua që nuk mbarojnë dhe prej Teje vinë begatitë e shumta.
Përktheu: Jeton Shasivari