Bismilah...

Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 20

 

Emri:

el-Fettaah (الْفَتَّاحُ) [Ai që gjykon me drejtësi dhe u hap robërve dyert e mirësive]

 

Ka thënë Allahu i Lartësuar:

﴿قُلۡ يَجۡمَعُ بَيۡنَنَا رَبُّنَا ثُمَّ يَفۡتَحُ بَيۡنَنَا بِٱلۡحَقِّ وَهُوَ ٱلۡفَتَّاحُ ٱلۡعَلِيمُ﴾

“Thuaj: Neve do të na tubojë Zoti ynë dhe pastaj Ai do të gjykojë mes nesh me drejtësi, e Ai është Gjykatësi më i Ditur.” [Sebe’e, 26]

Ka thënë gjithashtu Allahu i Lartësuar:

﴿وَسِعَ رَبُّنَا كُلَّ شَيۡءٍ عِلۡمًاۚ عَلَى ٱللَّهِ تَوَكَّلۡنَاۚ رَبَّنَا ٱفۡتَحۡ بَيۡنَنَا وَبَيۡنَ قَوۡمِنَا بِٱلۡحَقِّ وَأَنتَ خَيۡرُ ٱلۡفَٰتِحِينَ﴾

“Zoti ynë ka përfshirë çdo gjë me dituri. Atij i jemi mbështetur. Zoti ynë gjyko me drejtësi mes nesh dhe popullit tonë, e padyshim që Ti je më i Miri nga të gjithë gjykatësit.” [el-E’araf, 89]

Kuptimi i emrit “el-Fettaah” është: Ai që gjykon mes robërve të Tij si të dojë dhe vendos midis tyre si të dojë, i jep mirësi kujt të dojë dhe s’ka kush ta kthejë mbrapa gjykimin e Tij, si dhe nuk ka kush ta anulojë vendimin apo urdhrin e Tij. Ka thënë Allahu i Lartësuar:

﴿مَّا يَفۡتَحِ ٱللَّهُ لِلنَّاسِ مِن رَّحۡمَةٖ فَلَا مُمۡسِكَ لَهَاۖ وَمَا يُمۡسِكۡ فَلَا مُرۡسِلَ لَهُۥ مِنۢ بَعۡدِهِۦۚ وَهُوَ ٱلۡعَزِيزُ ٱلۡحَكِيمُ﴾

“Kur Allahu u jep mëshirë njerëzve, s’ka kush ta ndalojë atë. E kur Ai ndalon diçka, s’ka kush ta lëshojë atë mbas vendimit të Tij, e Ai është i Plotëfuqishmi, më i Urti.” [Fatir, 2]

Kështu që, besimi që ka robi për Zotin e tij të Pastër nga çdo mangësi, se Ai është “el-Fettaah”, e obligon robin që t’i drejtohet Allahut të vetëm, në mënyrën më të mirë, që Ai t’ia hapë atij dyert e udhëzimit, dyert e furnizimit dhe dyert e mëshirës, si dhe që t’ia hapë zemrën dhe t’ia zgjerojë kraharorin për të bërë mirësi. Ka thënë Allahu i Lartësuar:

﴿أَفَمَن شَرَحَ ٱللَّهُ صَدۡرَهُۥ لِلۡإِسۡلَٰمِ فَهُوَ عَلَىٰ نُورٖ مِّن رَّبِّهِۦۚ فَوَيۡلٞ لِّلۡقَٰسِيَةِ قُلُوبُهُم مِّن ذِكۡرِ ٱللَّهِۚ أُوْلَٰئِكَ فِي ضَلَٰلٖ مُّبِينٍ﴾

“A krahasohet ai të cilit Allahu ia hapi kraharorin për Islamin dhe ai është në dritë nga Zoti i tij (me atë që nuk është i tillë)? Mjerë për ata që i kanë zemrat të ngurtësuara ndaj përkujtimit të Allahut. Të tillët janë në devijim të qartë.” [ez-Zumer, 22]

Ka thënë Kurtubiu: “Kjo hapje dhe zgjerim i kraharorit nuk ka kufij, secili besimtar ka marrë hisen që i takon prej tij. Me këtë fituan Profetët në gradën e parë, pastaj vijojnë eulijatë që erdhën mbas tyre, pastaj vijojnë dijetarët, pastaj vijojnë krejt besimtarët në përgjithësi. E nga kjo hapje dhe zgjerim i kraharorit, Allahu ka privuar vetëm mosbesimtarët.

 

Përktheu: Alban Malaj