Bismilah...

Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 21-22

 

Emri:

es-Semii' (السَّمِيع) [Dëgjuesi]

 

Ai është një emër që është përsëritur përmendja e tij në Kur'an afërsisht pesëdhjetë vende, prej tyre Fjala e Allahut të Lartësuar:

لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ ۖ وَهُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ

“Asgjë nuk është si Ai. Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.” [Esh-Shura, 11]

Gjithashtu është Fjala e të Lartësuarit:

وَإِذْ يَرْفَعُ إِبْرَاهِيمُ الْقَوَاعِدَ مِنَ الْبَيْتِ وَإِسْمَاعِيلُ رَبَّنَا تَقَبَّلْ مِنَّا ۖ إِنَّكَ أَنتَ السَّمِيعُ الْعَلِيمُ

“Përkujto edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili ngrinin themelet e Qabesë, ndërsa thonin: O Zoti ynë na e prano neve këtë vepër, me të vërtetë që Ti je Dëgjuesi i Gjithdituri.” [el-Bekareh, 127]

“Es-Semii'u” është Ai që i dëgjon të gjithë zërat njëkohësisht, edhe pse ndryshojnë gjuhët dhe kërkesat e tyre. Te dëgjimi i Tij arrin çdo fjalë që thuhet fshehurazi apo haptazi. Thotë i Lartësuari:

سَوَاءٌ مِّنكُم مَّنْ أَسَرَّ الْقَوْلَ وَمَن جَهَرَ بِهِ وَمَنْ هُوَ مُسْتَخْفٍ بِاللَّيْلِ وَسَارِبٌ بِالنَّهَارِ

“Është njëlloj për Atë, si ai që flet me zë të ulët si ai që flet me zë të lartë, si ai që fshihet natën e si ai që shfaqet ditën.” [er-Rra'd, 10]

Dëgjimi i Tij i përfshin të gjithë zërat dhe ato nuk i ngatërrohen e as i pështjellohen aspak Atij, as nuk e shpërqendron një zë nga një zë tjetër, as nuk e bëjnë të gabojë me lutjet e ndryshme dhe nuk e bezdisin Atë lutësit e shumtë.

Ka transmetuar Imam Ahmedi dhe të tjerë, nga Aishah - radijAllahu anha -, e cila ka thënë: “Lavdia i takon Atij, dëgjimi i të Cilit ka përfshirë të gjithë zërat. Kur erdhi te Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – gruaja që po ankohej dhe po fliste me të, ndërsa unë isha në një qoshe të shtëpisë e nuk dëgjoja se çfarë thoshte, kurse Allahu i Plotëfuqishëm  e i Madhërishëm zbriti ajetin:

قَدْ سَمِعَ اللَّهُ قَوْلَ الَّتِي تُجَادِلُكَ فِي زَوْجِهَا وَتَشْتَكِي إِلَى اللَّهِ وَاللَّهُ يَسْمَعُ تَحَاوُرَكُمَا ۚ إِنَّ اللَّهَ سَمِيعٌ بَصِيرٌ

“Me të vërtetë që Allahu i dëgjoi fjalët e asaj që diskutoi me ty për burrin e saj dhe duke u ankuar tek Allahu për burrin e saj. Pa dyshim që Allahu e dëgjoi diskutimin tuaj, se me të vërtetë që Allahu është Dëgjues, Shikues.” [El-Muxhadileh, 1]

Ndërsa në një transmetim tjetër Aishah tha: “I Lartësuar është Ai, dëgjimi i të Cilit ka përfshirë gjithçka.”

Madje sikur luteshin në të njëjtën kohë të gjithë xhindët dhe njerëzit, që nga i pari e deri tek i fundit i tyre, deri kur Allahu ta marrë tokën dhe ç’ka në të, e çdokush të kërkonte nevojën e tij, çdonjëri të fliste me dialektin e tij dhe me gjuhën e tij; padyshim që Allahu do t'i dëgjonte të gjithë ata, pa iu ngatërruar ndonjë zë me një tjetër, ndonjë gjuhë me një tjetër, apo ndonjë nevojë me një tjetër.

 

Përktheu: Servet Mata