Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër
Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 22-23
Emri:
el-Besiir (البَصِيرُ) [Shikuesi]
Ky emër është përmendur vazhdimisht në Kur'anin Fisnik në më shumë se dyzet vende, një nga ato është fjala e Allahut të Lartësuar:
لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ ۖ وَهُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ
“Asgjë nuk është si Ai. Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.” [Esh-Shura, 11]
Gjithashtu është Fjala e të Lartësuarit:
إِنَّ اللَّهَ كَانَ سَمِيعًا بَصِيرًا
"Pa dyshim që Allahu është Dëgjuesi, Shikuesi." [En-Nisa, 58]
"El-Besiir" është Ai që shikon çdo gjë që duket; shikon çdo gjë sado e imët dhe e vogël qoftë ajo. Ai shikon edhe lëvizjen e milingonës së zezë mbi gurin e zi në errësirën e natës. Ai shikon edhe qarkullimin e ushqimit në gjymtyrët e tyre.
Gjithashtu, Ai shikon çfarë ka poshtë shtatë tokave dhe sipër shtatë qiejve. Ai, i Madhëruari e i Lartësuari, shikon lëvizjen e qepallave si dhe shikimet tinëzare të syve. Sa mirë që e ka përshkruar ai që i ka thënë këto fjalë:
O Ti që shikon krahët e mushkonjës kur fluturon,
Në atë errësirën e natës së nxirë që sterron,
Ti që damarët në zverkun e saj i shikon,
edhe palcën që kockat e saj të dobëta përshkon,
Me mirësinë Tënde ma mundëso një pendim,
Që të më falen gjynahet që kam bërë që në fillim.
Pastaj, ky emër madhështor ka një sërë kërkesash, e disa nga ato janë: përulësia, nënshtrimi, ndjesia e mbikëqyrjes nga Allahu, përpikmëria në adhurime dhe largimi nga gjynahet dhe mosbindja. Ka thënë Ibën Rexheb, Allahu e mëshiroftë: "Një burrë e thirri një grua për të bërë imoralitet natën në shkretëtirë, ndërsa ajo e refuzoi. Ky i tha: “Nuk na shikon askush përveç yjeve.” Ndërsa ajo ia ktheu: “Po Zoti i yjeve ku është?”D.m.th. a nuk na shikon Ai? Thotë i Lartësuari:
أَلَمْ يَعْلَم بِأَنَّ اللَّهَ يَرَىٰ
"A nuk e di ai se Allahu shikon?" [El-'Alak, 14]
Përktheu: Servet Mata