Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër
Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 24
Emrat:
El-Latiif (اللَّطِيفُ) [Ai që di çdo gjë me imtësi dhe është i Butë me robërit e Tij]
El-Khabiir (الْخَبِيرُ) [Ai që me diturinë e Tij ka përfshirë çdo gjë të dukshme e të padukshme]
Këto dy emra janë përsëritur disa herë së bashku në disa ajete të Kur'anit Fisnik. Thotë Allahu i Lartësuar:
﴿لَّا تُدۡرِكُهُ ٱلۡأَبۡصَٰرُ وَهُوَ يُدۡرِكُ ٱلۡأَبۡصَٰرَۖ وَهُوَ ٱللَّطِيفُ ٱلۡخَبِيرُ١٠٣﴾
“Atë nuk e përfshijnë shikimet ndërsa Ai i përfshin të gjitha shikimet. Ai di çdo gjë me imtësi dhe ka përfshirë çdo gjë me diturinë e Tij.” [el-En’am, 103]
Thotë Allahu i Lartësuar kur përmend këshillën e Llukmanit të urtë drejtuar djalit të tij:
﴿يَٰبُنَيَّ إِنَّهَآ إِن تَكُ مِثۡقَالَ حَبَّةٖ مِّنۡ خَرۡدَلٖ فَتَكُن فِي صَخۡرَةٍ أَوۡ فِي ٱلسَّمَٰوَٰتِ أَوۡ فِي ٱلۡأَرۡضِ يَأۡتِ بِهَا ٱللَّهُۚ إِنَّ ٱللَّهَ لَطِيفٌ خَبِيرٞ١٦﴾
“O djali im, s’ka dyshim se sikur ajo (vepra) të jetë e imtë sa kokrriza e sinapit, e të jetë e fshehur brenda një shkëmbi ose në qiej apo në tokë, Allahu do ta sjellë atë, se me të vërtetë që Allahu di çdo gjë me imtësi dhe ka përfshirë çdo gjë me diturinë e Tij.” [Lukman, 16]
Për sa i përket emrit “el-Khabiir”, kuptimi i tij është: Ai i Cili me dijen e Tij përfshin çdo gjë sekrete, çdo gjë që fshehin zemrat, çdo çështje të imtësishme, di çdo farë të fshehtë dhe çdo grimcë atomike. Pra, ky emër kthehet te domethënia e tij, që është dija mbi gjërat e fshehta, të cilat janë tejet të imta, të vogla e të padukshme. Kështu që, më parësore dhe më meritore është që të merret në konsideratë dija e Tij për gjërat e dukshme dhe te qarta.
Ndërsa emri “el-Latiif” ka dy kuptime:
Kuptimi i parë është i njëjtë me kuptimin e emrit “el-Khabiir”, që do të thotë se dija e Tij është aq preçize dhe e detajuar, saqë ajo përfshin të gjitha sekretet, fshehtësitë dhe çdo gjë të pakapshme.
Kuptimi i dytë është Ai i cili jep robërve të tij dhe të dashurve të Tij ato gjëra që u bëjnë dobi atyre, me butësinë dhe mirësinë e Tij, në mënyra të ndryshme, saqë ata nuk e ndjejnë.
Përktheu: Abdullah Beqiri