Bismilah...

Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 30

 

Emrat:

esh-Shehiid (الشَّهِيدُ) [Dëshmuesi]

er-Rakiib (الرَّقِيبُ ) [Mbikëqyrësi]

 

Për sa i përket emrit “esh-Shehiid”, ai është përmendur në disa vende në Kur'an. Thotë i Lartësuari:

وَكَفَىٰ بِاللَّهِ شَهِيدًا

...dhe mjafton Allahu si Dëshmues.” [en-Nisa, 79]

Ndërsa emri “er-Rakiib” është përmendur në tre vende, e në njërin prej tyre është shoqëruar me emrin “esh-Shehiid”.

Ka thënë Allahu i Lartësuar:

إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلَيْكُمْ رَقِيبًا

“Me të vërtetë që Allahu është Mbikëqyrës mbi ju.” [en-Nisa, 1]

Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:

وَكَانَ اللَّهُ عَلَىٰ كُلِّ شَيْءٍ رَّقِيبًا

“E Allahu është Mbikëqyrës mbi çdo gjë.” [el-Ahzab, 52]

Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:

وَكُنتُ عَلَيْهِمْ شَهِيدًا مَّا دُمْتُ فِيهِمْ ۖ فَلَمَّا تَوَفَّيْتَنِي كُنتَ أَنتَ الرَّقِيبَ عَلَيْهِمْ ۚ وَأَنتَ عَلَىٰ كُلِّ شَيْءٍ شَهِيدٌ

“(Isai tha): Unë isha dëshmues i tyre përderisa isha me ta, por kur Ti më ngrite lart, atëherë Ti ishe Mbikëqyrësi i tyre. Nuk ka dyshim se Ti je Dëshmues mbi çdo gjë.” [el-Ma`ideh, 117]

Ndërsa emri “esh-Shehiid” do të thotë: Ai i Cili është i Gjithëdijshëm për çdo gjë dhe nuk i fshihet asnjë gjë; Ai që dëgjon çdo zë, qoftë zë i ultë apo i lartë; Ai që shikon çdo gjë që ekziston, sado e imtë apo e dukshme, e vogël apo e madhe të jetë ajo. Dija e Tij përfshin gjithçka dhe Ai është i Cili do të dëshmojë në favor të robërve të Tij apo kundër tyre, sipas veprave që kanë bërë ata.

Emri “er-Rakiib” do të thotë: Ai i Cili është i Gjithëdijshëm për ato që mbajnë brenda zemrat; Ai i Cili mbikëqyr çdo shpirt për veprat që bën; Ai i Cili i ruan krijesat dhe i vë në lëvizje ato sipas një rregulli dhe sistemi plotësisht të përsosur. Ai mbikëqyr shikimet me shikimin e Tij dhe nuk i fshihet asgjë; mbikëqyr dëgjimet me dëgjimin e Tij gjithëpërfshirës dhe mbikëqyr të gjitha krijesat me dijen e Tij, e cila dija përfshin gjithçka.

Besimi në këtë emër dhe domethënien e Tij, e nxit njeriun që të ketë ndërmend gjithmonë mbikëqyrjen e Allahut të Plotëfuqishëm e të Lartëmadhëruar, në çdo vepër e në çdo gjendje të tij. Sepse vetëdijesimi i robit për mbikëqyrjen e Allahut është një nga frytet e diturisë që ka robi se Allahu i Patëmeta është Mbikëqyrësi i tij, që Ai e shikon atë, i dëgjon fjalët e tij dhe i vëzhgon veprat e tij në çdo kohë, në çdo çast, në çdo frymëmarrje dhe për çdo përpëlitje të syrit.

 

Përktheu: Servet Mata