Bismilah...

Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 31

 

Emrat:

el-Muhejminu (الْمُهَيْمِنُ) [Dëshmuesi mbi krijesat e Tij që mbikqyr të gjitha lëvizjet e tyre]

el-Muhiitu (الْمُحِيطُ) [Ai që ka përfshirë gjithçka që ekziston, me dijen, fuqinë dhe pushtetin e Tij]

 

Emri “el-Muhejminu” ka ardhur në një vend të vetëm në Kuran, që është Fjala e Allahut të Lartësuar:

هُوَ ٱللَّهُ ٱلَّذِي لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ٱلۡمَلِكُ ٱلۡقُدُّوسُ ٱلسَّلَٰمُ ٱلۡمُؤۡمِنُ ٱلۡمُهَيۡمِنُ ٱلۡعَزِيزُ ٱلۡجَبَّارُ ٱلۡمُتَكَبِّرُۚ سُبۡحَٰنَ ٱللَّهِ عَمَّا يُشۡرِكُونَ

“Ai është Allahu, është Ai, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë. Ai është Mbreti, i Pastri nga çdo mangësi, i Përsosuri që nuk i ngjitet asnjë e metë, Dhënësi i sigurisë, Dëshmuesi, i Plotfuqishmi, i Lartmadhërishmi, Krenari. I pastër është Allahu nga ato gjëra që ia shoqërojnë ata!” [el-Hashr, 23]

Kuptimi i emrit “el-Muhejminu” është: Ai që di me imtësi gjërat e fshehta dhe sekretet e zemrave, Ai që ka përfshirë çdo gjë me dijen e Tij, Ai që dëshmon veprat e krijesave, Mbikëqyrësi i tyre kur ata flasin e kur veprojnë, asnjë vepër e tyre nuk mund t’i shpëtojë Atij dhe asnjë grimcë atomike, në tokë apo në qiell, nuk mund t’i ikë mbikëqyrjes së Tij.

Kurse emri “el-Muhiitu” është përmendur në disa vende në Kuran. Ka thënë Allahu i Lartësuar:

وَكَانَ ٱللَّهُ بِكُلِّ شَيۡءٖ مُّحِيطٗا

“Allahu është Gjithpërfshirës i çdo gjëje.” [en-Nisaa`, 126]

Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:

إِنَّ ٱللَّهَ بِمَا يَعۡمَلُونَ مُحِيطٞ

“Me të vërtetë që Allahu është Gjithpërfshirës i veprave që bëjnë ata.” [Aali Imran. 120]

Ky emër tregon se Allahu ka përfshirë gjithçka me dijen, fuqinë dhe pushtetin e Tij.

Ai ka përfshirë me dijen e Tij gjithçka, saqë nuk ka asnjë grimcë atomike që mund t’i shpëtojë Atij.

Ai ka përfshirë me fuqinë e Tij gjithçka, saqë nuk ka asgjë që mund të përballet me Të, qoftë në tokë apo në qiell.

Ai ka përfshirë me pushtetin e Tij gjithçka, saqë nuk ka asgjë që mund të dalë apo t’ia mbathë nga pushteti i Tij. Ka thënë i Lartësuari:

يَٰمَعۡشَرَ ٱلۡجِنِّ وَٱلۡإِنسِ إِنِ ٱسۡتَطَعۡتُمۡ أَن تَنفُذُواْ مِنۡ أَقۡطَارِ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلۡأَرۡضِ فَٱنفُذُواْۚ لَا تَنفُذُونَ إِلَّا بِسُلۡطَٰنٖ

“O ju turmë e xhinëve dhe njerëzve, nëse mund të dilni përtej kufijve të qiejve dhe tokës, atëherë dilni, por ju s’mund të dilni dot kurrë, përveç nëse do të kishit ndonjë fuqi të madhe.” [err-Rrahman, 33]

Domethënë ju s’mund t’ia mbathni dot nga vendimi dhe caktimi i Allahut, sepse Ai ka përfshirë gjithçka me dijen, fuqinë dhe pushtetin e Tij.

 

Përktheu: Alban Malaj