Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër
Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 45-46
Emrat:
esh-Shekuur (الشَّكُورُ) [Shpërblyesi i madh]
esh-Shaakir (الشاكِرُ) [Shpërblyesi]
Emri “esh-Shekuur” është përmendur në katër vende në Kur'an. Ka thënë Allahu i Lartësuar:
لِيُوَفِّيَهُمْ أُجُورَهُمْ وَيَزِيدَهُم مِّن فَضْلِهِ ۚ إِنَّهُ غَفُورٌ شَكُورٌ
“Në mënyrë që Allahu t'ua japë të plotë shpërblimin e tyre dhe t'ua shtojë akoma më tepër nga mirësia e Tij. Pa dyshim që Ai është Falës i Madh, Shpërblyes i madh.” [Fatir, 30]
Thotë gjithashtu i Lartësuari:
وَقَالُوا الْحَمْدُ لِلَّهِ الَّذِي أَذْهَبَ عَنَّا الْحَزَنَ ۖ إِنَّ رَبَّنَا لَغَفُورٌ شَكُورٌ
“E ata do të thonë: Lavdia dhe falenderimet i takojnë Allahut, i Cili na i largoi brengat. Pa dyshim që Zoti ynë është Falës i Madh, Shpërblyes i madh.” [Fatir, 34]
Thotë gjithashtu i Lartësuari:
وَمَن يَقْتَرِفْ حَسَنَةً نَّزِدْ لَهُ فِيهَا حُسْنًا ۚ إِنَّ اللَّهَ غَفُورٌ شَكُورٌ
“Ndërsa ai që bënë një vepër të mirë, Ne do t'ia shtojmë të mirat atij për atë vepër. Me të vërtetë që Allahu është Falës i Madh, Shpërblyes i madh.” [Esh-Shuuraa, 23]
Thotë gjithashtu i Lartësuari:
إِن تُقْرِضُوا اللَّهَ قَرْضًا حَسَنًا يُضَاعِفْهُ لَكُمْ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ۚ وَاللَّهُ شَكُورٌ حَلِيمٌ
“E nëse ju jepni hua sinqerisht për Allahun, Ai do t'ua kthejë shumëfish dhe do t'ju falë juve. Allahu është Shpërblyes i madh, i Vetëpërmbajtur.” [Et-Tegabun, 17]
Ndërsa emri “esh-Shaakir” është përmendur në dy vende: ka thënë i Lartësuari
وَمَن تَطَوَّعَ خَيْرًا فَإِنَّ اللَّهَ شَاكِرٌ عَلِيمٌ
“E kush bënë vepra të mira vullnetare, le ta dijë se Allahu është Shpërblyes, i Gjithëdijshëm.” [El-Bekareh, 158]
Thotë gjithashtu i Lartësuari:
مَّا يَفْعَلُ اللَّهُ بِعَذَابِكُمْ إِن شَكَرْتُمْ وَآمَنتُمْ ۚ وَكَانَ اللَّهُ شَاكِرًا عَلِيمًا
“E përse duhet t'ju ndëshkojë Allahu kur ju jeni falenderues dhe keni besuar?! Me të vërtetë që Allahu është Shpërblyes, i Gjithëdijshëm.” [En-Nisa, 147]
Të gjitha këto gjashtë vende ku janë përmendur këta dy emra, tregojnë që Allahu i Plotfuqishëm e i Madhërishëm, ka mirënjohje se Ai i vlerëson të devotshmit, u jep shpërblimet atyre, ua shton mirësitë dhe ua shumëfishon sevapet. Pra, kjo na e sqaron neve kuptimin e këtyre dy emrave. Kështu që “esh-Shekuur” dhe “esh-Shaakir” është Ai, tek i Cili nuk humbet vepra e vepruesit, përkundrazi, Ai ia shumëfishon shpërblimin pa hesap; është Ai që i pranon edhe veprat e vogla dhe i shpërblen ato me shpërblime të mëdha, të shumta, e të gjera; është Ai i Cili ua shumëfishon veprat të sinqertëve pa hesap, i falënderon falënderuesit, si dhe i përmend ata që e përmendin Atë. Kush i afrohet Atij sa një pëllëmbë, Ai i afrohet atij sa një krah, e kush i afrohet Atij sa një krah, Ai i afrohet atij sa një pash. E kush vjen tek Ai me një vepër të mirë, Ai ia shton të mirat për të dhe i jep shpërblime të shumta.
Ajetet e mësipërme i kanë përmendur bashkë njëri pas tjetrit emrin “el-Gafuur” (Falësi i Madh) dhe “esh-Shekuur” (Shpërblyesi i Madh). Kështu që Ai, i Pastri prej të metave, është Falës i të gjitha gjunaheve, sado të mëdha të jenë ato, sepse asnjë gjunah nuk është më i madh se falja e Tij. Ai është Shpërblyesi i çdo vepre, qoftë ajo e vogël, edhe sikur të jetë sa një grimcë.
Prandaj, nuk i lejohet Muslimanit që t'i humbë shpresat nga Falja e Allahut, sado të mëdha të jenë gjunahet e tij, ashtu siç nuk i lejohet t'i nënçmojë veprat e mira që bën, sado të vogla të jenë ato, sepse Zoti, i Pastër prej të metave, është Falës i Madh, Shpërblyes.
Përktheu: Servet Mata