Bismilah...

Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 40

 

Emri:

es-Selaam (السَّلَامُ) – i Përsosuri nga të gjitha të metat dhe mangësitë

Ky emër është përmendur në Kur`an një herë të vetme, në Fjalën e Allahut të Lartësuar:

هُوَ ٱللَّهُ ٱلَّذِي لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ٱلۡمَلِكُ ٱلۡقُدُّوسُ ٱلسَّلَٰمُ ٱلۡمُؤۡمِنُ ٱلۡمُهَيۡمِنُ ٱلۡعَزِيزُ ٱلۡجَبَّارُ ٱلۡمُتَكَبِّرُۚ سُبۡحَٰنَ ٱللَّهِ عَمَّا يُشۡرِكُونَ٢٣

“Ai është Allahu, është Ai, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë. Ai është Mbreti, i Pastri nga çdo mangësi, i Përsosuri që nuk i ngjitet asnjë e metë, Dhënësi i sigurisë, Dëshmuesi, i Plotfuqishmi, i Lartmadhërishmi, Krenari. I pastër është Allahu nga ato gjëra që ia shoqërojnë ata!” [el-Hashr, 23]

Kuptimi i këtij emri fisnik është: Ai që është i Përsosur nga të gjitha të metat dhe mangësitë, ngase Ai është i Përsosur në Veten e Tij, në cilësitë e Tij dhe në veprat e Tij. Pra, Allahu i Madhërishmi dhe i Lartësuari, është i Përsosuri i Vërtetë në çdo aspekt. Ai është i Përsosur në Cilësitë e Tij nga çdo e metë dhe mangësi që arrin imagjinata; Ai është i Përsosur në veprat e Tij nga çdo e metë, mangësi, sherr, padrejtësi dhe nga çdo vepër që bëhet pa urtësi; Ai, i Pastri nga çdo e metë, është i Përsosuri që nuk ka nevojë për bashkëshorte dhe fëmijë; Ai është i Përsosuri nga të paturit e ndonjë të ngjashmi, të barabarti, të njëllojti dhe të njëjti me Të; Ai është i Përsosuri nga të patur shokë dhe ortakë.

Ky emër i përmban të gjitha cilësitë e Allahut të Lartësuar, sepse çdo cilësi nga cilësitë e Tij, të Madhëruarit e të Lartësuarit, është e pastër nga çdo e metë dhe mangësi. Këtë çështje e ka sqaruar në hollësi dhe e ka pohuar Ibën Kajimi - Allahu i Lartësuar pastë mëshirë për të -, duke e shtjelluar atë me fjalë të qarta dhe të forta, e pastaj e përmbylli me fjalën e tij:

“Andaj, medito se si emri i Tij “es-Selaam” përmban pastrimin e Tij nga çdo gjë që mund t’i mvishet Atij - i Madhëruar dhe i Lartësuar është Ai! –. Sa e sa njerëz ka që e kanë mësuar përmendësh këtë emër, mirëpo nuk e dinë se çfarë sekretesh dhe kuptimesh përmban ky emër.”

 

Përktheu: Alban Malaj