Bismilah...

Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 44

 

Emri:

El-Mexhiid (المَجِيدُ) – Ai që meriton çdo madhërim dhe lavdërim

 

Ky është një emër madhështor që është përmendur në dy vende në Librin e Allahut. Fjala e Tij, të Lartësuarit:

﴿ رَحْمَتُ اللَّهِ وَبَرَكَاتُهُ عَلَيْكُمْ أَهْلَ الْبَيْتِ  إِنَّهُ حَمِيدٌ مَجِيدٌ

“...mëshira e Allahut dhe begatia e Tij qoftë mbi ju – familjen e të Dërguarit (Ehli Bejtin). Me të vërtetë, Ai është i Lavdishmi dhe i Madhërishmi.” Hud, 73

Po ashtu, fjala e Tij të Lartësuarit:

﴿وَهُوَ الْغَفُورُ الْوَدُودُ ذُو الْعَرْشِ الْمَجِيدُ

E Ai është Falësi i madh, Dashamiri, Zotëruesi i Arshit të madhërishëm.” El-Buruxh, 14-15

Fjala “el-Mexhid” në Kuran është përmendur si cilësi për Allahun e Plotfuqishëm dhe të Madhëruar dhe është përmendur edhe si përshkrim për Arshin.

Emri “el-Mexhiid” është një nga emrat e bukur që tregon se përmban një numër cilësish e nuk përmban një domethënie të vetme.

Kuptimi i këtij emri është: Ai që posedon cilësitë me domethëniet më të gjera dhe që është i Madhështori i këtyre cilësive; Ai që posedon cilësi të shumta dhe është Bujari absolut i këtyre cilësive. Pra, emri “el-Mexhid” i referohet madhështisë së cilësive të Tij, të cilat cilësi janë të shumta dhe kanë kuptimet më të gjëra;  i referohet madhështisë së zotërimit dhe pushtetit të Tij; i referohet veçimit të Tij me përsosmëri absolute, madhëri absolute dhe bukuri absolute, të cilat robërit nuk mund t’i përfshijnë me dijen e tyre.

Allahu, i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar, e madhëron Veten e Tij në Librin e Tij në disa ajete të ndryshme, madje krejt Kurani Fisnik është Libër i madhështisë dhe lavdërimit për Allahun e Plotfuqishëm e të Madhërishëm. Nuk ka ajet në Kuran që nuk e përmend një emër të bukur të Allahut, një cilësi të Tij të lartë dhe një vepër të Tij të urtë; shumica e ajeteve të Kuranit i përmbajnë këto. Ajetul-Kursij është ajeti më madhështor i Kuranit Fisnik në të cilin përmenden pesë emra të bukur të Allahut dhe mbi njëzet cilësi të Allahut; Sureja el-Ikhlas e cila është e barabartë me një të tretën e Kuranit, i dedikohet sqarimit të emrave të bukur të Allahut dhe cilësive të Tij madhështore; Sureja el-Fatiha e cila është sureja më madhështore në Kuranin Finsik, gjysma e saj përmban lavdërim dhe madhërim për Allahun.

Muslimi transmeton ne Sahihun e Tij nga hadithi i Ebu Hurejras, radijAllahu anha, se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, duke thënë:

“Allahu i Lartësuar thotë: “E kam ndarë namazin midis meje dhe robit Tim në dy pjesë dhe robit Tim i takon ajo që kërkon. Kur robi thotë “el-Hamdulil-lahi Rabbil-‘Alemin (Të gjitha lavdërimet i takojnë Zotit të botëve)” Allahu i Lartësuar thotë “Robi Im më falënderoi!” e kur të thotë “er-Rahmani er-Rahiim (i Gjithëmëshirshmi, Mëshiruesi)” Allahu i Lartësuar thotë: “Robi Im më lavdëroi!” e kur të thotë: “Maliki jeumi Din (Sunduesi i Ditës së Gjykimit),” Allahu i Lartësuar thotë “Robi Im më madhëroi!”

Kur falësi i namazit është në teshehud, e lavdëron dhe e madhëron Allahun, pastaj e përfundon teshehudin me fjalët e tij “Inneke Hamidun Mexhiiid (Pa dyshim se Ti je i Lavdishmi, i Madhëruari).” Pra, namazi fillon me hamd (falënderim) dhe madhërim dhe gjithashtu përfundon me hamd dhe madhërim, madje namazi fund e krye përbehet nga hamd-i dhe madhërimi për të Lavdishmin dhe të Madhëruarin, të Pastrin nga çdo mangësi; Ai që meriton lavdërimin dhe madhërimin.

 

Përktheu: Jeton Shasivari