Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër
Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 54-55
Emri: El-Ueduud (الوَدُودُ ) - [Ai që ka dashuri të madhe për krijesat e Tij]
Ky emër është përmendur dy herë në Kuran:
E para: në fjalën e Tij, të Lartësuarit:
﴿وَٱسۡتَغۡفِرُواْ رَبَّكُمۡ ثُمَّ تُوبُوٓاْ إِلَيۡهِۚ إِنَّ رَبِّي رَحِيمٞ وَدُودٞ٩٠﴾
“Dhe kërkoni falje Zotit tuaj, pastaj pendohuni tek Ai. Vërtet që Zoti im është i Mëshirëplotë, Ai ka shumë dashuri.” [Hud, 90]
E dyta: në fjalën e Tij, të Lartësuarit:
﴿إِنَّهُۥ هُوَ يُبۡدِئُ وَيُعِيدُ١٣ وَهُوَ ٱلۡغَفُورُ ٱلۡوَدُودُ١٤﴾
“Me të vërtetë, Ai krijon prej hiçit dhe përsëri e kthen atë (e ringjallë) dhe Ai është Falësi i madh, Ai që ka shumë dashuri.” [el-Buruxh, 13-14]
Kuptimi i emrit “el-Ueduud” është: Ai që i do Pejgamberët e Tij, të Dërguarit e Tij dhe ndjekësit e Tij, si dhe ata e duan Atë. Pra, Ai është më i dashur tek ata se çdo gjë tjetër. Zemrat e tyre janë të mbushura me dashuri për Të.
Shejkh Abdur-Rahman es-Sa’dij, Allahu e mëshiroftë, në një ese madhështore që ka bërë për sqarimin e këtij emri dhe domethëniet e tij, ka thënë:
“Emri ‘el-Ueduud’ do të thotë: Ai, të Cilin krijesat e Tij e duan absolutisht shumë për shkak të cilësive të Tij të bukura, për mirësitë e Tij të bollshme, për butësinë e Tij të fshehtë, si dhe për begatitë e Tij të dukshme e të padukshme. Pra, Ai është i Dashuri, që do të thotë se Ai shfaq dashuri të madhe dhe po ashtu të tjerët shfaqin dashuri të madhe për Të. Ai i do të dashurit e Tij dhe njerëzit e Tij të dëlirë, e po ashtu ata e duan Atë. Pra, është Ai i Cili i do ata dhe ka vendosur dashuri në zemrat e tyre. Kur ata ta duan Atë, edhe Ai do t’i dojë ata me një dashuri tjetër, si shpërblim për dashurinë e tyre. Kështu që, çdo e mirë është falë Atij. Ai ka bërë çdo shkak përmes të cilave Ai bëhet i dashur për ta; Ai i fiton zemrat e tyre dhe i bën ato që të priren për ta dashur Atë. Ai ua bëri të dashur përmendjen e cilësive të Tij që kanë kuptimet më të gjera, më madhështore dhe më të bukura, të cilat i fitojnë zemrat e shëndosha dhe të drejta, ngaqë zemrat e shëndosha dhe shpirtrat e mirë janë të prirë që ta duan përsosmërinë.”
Kur robi të mësojë se Zoti i tij, i Pastri nga çdo mangësi, është Ai që ka dashuri të madhe, që i do të dashurit e Tij, i do ata që i binden Atij, i do besimtarët e devotshëm, i do durimtarët që mbështeten tek Ai, i do ata që pendohen dhe që pastrohen, i do ata që thonë të vërtetën dhe bëjnë vepra të mira, i do të gjithë ata që i binden Atij dhe nga ana tjetër, nuk i do zullumqarët, qafirat, nuk i do tradhtarët dhe ata që e teprojnë, nuk i do arrogantët mendjemëdhenj, atëherë robi e ka detyrë që t’i bindet urdhrit të Tij, të bëjë atë që do Ai dhe është i kënaqur me të, e që janë fjalët e vërteta dhe veprat e mira; robi duhet t’i afrohet Atij duke i kryer urdhrat e Tij dhe duke iu shmangur ndalesave të Tij, të dojë atë që do Ai qofshin fjalë apo vepra; t’i dojë fjalët e Tij, të Pastrit nga çdo mangësi; ta dojë të Dërguarin e Tij, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, dhe Sunnetin e tij, si dhe të përpiqet që ta pasojë të Dërguarin. Me të gjitha këto arrihet dashuria e Allahut.
I Lartësuari ka thënë:
﴿قُلۡ إِن كُنتُمۡ تُحِبُّونَ ٱللَّهَ فَٱتَّبِعُونِي يُحۡبِبۡكُمُ ٱللَّهُ وَيَغۡفِرۡ لَكُمۡ ذُنُوبَكُمۡۚ وَٱللَّهُ غَفُورٞ رَّحِيمٞ٣١﴾
“Thuaj: Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që t’ju dojë Allahu juve dhe t’ua falë mëkatet tuaja. E me të vërtetë që Allahu është Falës i madh, Mëshirplotë.” [Ali-Imran, 31]
Po ashtu është transmetuar një lutje nga Profeti - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:
أسألُك حُبَّكَ، وحُبَّ من يُحبَّك، وحُبَّ عملٍ يُقرِّبُنِي إلي حُبِّكَ
“Unë të kërkoj Ty që të më dhurosh dashurinë Tënde, dashurinë e atij që të do Ty dhe që unë ta dua veprën që më afron dashurinë Tënde.” E ka transmetuar Imam Ahmedi dhe Tirmidhiu.
Përktheu: Jeton Shasivari