Bismilah...

Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 57-58

 

Emrat:

El-Hasiib (الحَسِيبُ) – Ai që do t’i marrë në llogari robërit e Tij për veprat e tyre

El-Kaafij (الكافي ) – Ai që ju mjafton robërve të Tij për punët e dunjasë dhe ahiretit

 

Allahu i Lartësuar thotë:

وَكَفَى بِاللَّهِ حَسِيبًا

“Mjafton Allahu për Llogaritës.” en-Nisa, 6

 

Allahu i Lartësuar thotë:

أَلَيْسَ اللَّهُ بِكَافٍ عَبْدَهُ  وَيُخَوِّفُونَكَ بِالَّذِينَ مِنْ دُونِهِ  وَمَنْ يُضْلِلِ اللَّهُ فَمَا لَهُ مِنْ هَادٍ

“A nuk është Allahu Ai që ju mjafton robërve të vet?! Ata të frikësojnë ty me ata (zotra) të tjerë përveç Tij. E atë që e devijon Allahu, nuk ka për të patur udhëzues.” ez-Zumer, 36

“El-Hasiib” është “el-Kaafij” që ju mjafton robërve të Tij për të gjitha gjërat e fesë dhe të dunjasë që ju interesojnë atyre. Ai që ua lehtëson atyre çdo gjë që kanë nevojë ata; Ai që e largon prej tyre çdo gjë që ata e urrejnë.

Nga kuptimet e emrit “el-Hasiib” është se Ai është Ruajtësi absolut i çdo gjëje që kanë punuar ata; Allahu e ka llogaritur atë, kurse ata e kanë harruar. I Lartësuari ka dije të përpiktë për atë gjë. Kështu, Allahu e ka dalluar veprën e mirë nga e keqja, veprën e dëlirë nga e fëlliqura. Ai e di se çfarë shpërblimi meritojnë ata dhe sasinë e sevapeve apo ndëshkimeve që u takon atyre.

“El-Kaafij” është Ai që u mjafton krijesave për çdo gjë që ata i brengos dhe çdo gjë është në Dorën e Tij.

Mjaftueshmëria e Tij për ta është dy llojesh: e përgjithshme dhe e veçantë.

E përgjithshmja është: se Ai i Lartësuari, u mjafton të gjitha krijesave; Ai është që i ka sjellë në ekzistencë ata, i furnizon dhe ua përgatit çdo gjë për të cilën ata janë krijuar; ua ofron robërve të gjitha shkaqet që kanë ata për të qenë të panevojshëm dhe të jenë të pasur, si dhe i ushqen ata dhe u jep të pinë.

E veçanta është: Mjaftueshmëria e Tij për ata që mbështeten tek Ai; Ai e merr përsipër për ta rregulluar gjendjen e robërve të Tij të devotshëm.

وَمَنْ يَتَوَكَّلْ عَلَى اللَّهِ فَهُوَ حَسْبُهُ

“Ai që mbështetet në Allahun, Ai i mjafton atij.” et-Talak, 3

Do të thotë: Ai është që i mjafton atij për të gjitha çështjet e fesë dhe të dunjasë. E kur robi të mbështetet në Zotin e tij ashtu siç duhet, duke patur mbështetje të fortë e të plotë me zemër te Zoti i tij në arritjen e dobive dhe largimin e dëmeve nga vetja e tij; të ketë besim të thellë dhe të ketë mendim të mirë për Zotin e tij dhe me këtë ai arrin majftueshmërinë e plotë; po ashtu Allahu e përmirëson gjendjen e tij dhe e bën atë të qëndrueshëm në fjalët dhe veprat e tij; Ai do t’i mjaftojë atij për brengat që ka dhe do ta çlirojë nga hallet e tij.

Njëri nga Selefët ka thënë: “Allahu i Lartësuar, shpërblimin e çdo vepre e ka bërë në bazë të llojit të vetë veprës dhe shpërblimin e mbështetjes në Të e ka bërë të njëjtë me majftueshmërinë e Tij ndaj robit të Tij. Prandaj ka thënë:

وَمَنْ يَتَوَكَّلْ عَلَى اللَّهِ فَهُوَ حَسْبُهُ

“Ai që mbështetet në Allahun, Ai i mjafton atij.” et-Talak, 3

E nuk ka thënë Allahu “atij do t’i japim kaq e kaq shpërblime”, siç ka thënë për veprat, por përkundrazi Ai e bëri Veten e Tij të Mjaftueshëm dhe Kujdestar për robin që i mbështetet Atij. Pra, nëse robi i mbështetet Allahut të Lartësuar ashtu siç duhet dhe sikur të ngrenë kurthe kundër robit qiejt, toka dhe çdo gjë që gjendet në to, Allahu do t’i japë rrugëzgjidhje atij, do t’i mjaftojë dhe do ta ndihmojë atë.

Lidhja e mjaftueshmërisë me mbështetjen është prej lidhjes së shkaqeve me pasojat e tyre. Allahu, i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar, i mjafton atij që mbështetet në Të dhe di se si duhet të mbështetet në Të; robi e realizon strehimin tek Ai gjatë fatkeqësive dhe nevojave të tij. Sa më shumë që robi e shton mendimin e mirë për Allahun, ka shpresa të mëdha në atë që gjendet tek Ai dhe është i sinqertë në mbështetjen e tij në Allahun, atëherë shpresa e tij nuk ka për të vajtur huq kurrën e kurrës.

 

Përktheu: Jeton Shasivari