Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër
Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 62
Emri: el-Aziz (العَزِيزُ) i Plotfuqishmi absolut; Ngadhënjyesi absolut.
Emri el-Aziz është përmendur në Kuranin Fisnik në njëqind vende përafërsisht.
Kuptimi i emrit “el-Aziz” është: Ai që posedon të gjitha kuptimet e fuqisë absolute (el-Izzeh). Siç ka thënë i Pastri nga çdo mangësi:
إِنَّ الْعِزَّةَ لِلَّهِ جَمِيعًا
“E gjithë fuqia absolute (el-Izzeh) i takon vetëm Allahut.” Junus, 65
Ai që posedon të gjitha kuptimet e el-Izze-së. Fjala “Izzeh” ka tre kuptime të cilat të gjitha qëndrojnë për Allahun, e Plotfuqishëm dhe të Madhëruar, të cilat tregojnë për plotësi dhe përkryerje, dhe ato janë:
Kuptimi i parë: Izze-ja e fuqisë. Ky është një përshkrim madhështor për Allahun dhe fuqia e krijesave as që mund të barazohet me fuqinë e Tij, sado e madhe të jetë ajo. Allahu i Lartësuar ka thënë:
إِنَّ اللَّهَ هُوَ الرَّزَّاقُ ذُو الْقُوَّةِ الْمَتِينُ
“Vërtet Allahu është Furnizuesi, që posedon fuqi të madhe.” edh-Dharijat, 58
Kuptimi i dytë: Izze-ja e vetmjaftueshmërisë . Ai është i Pasuri absolut në Qenien e Tij dhe nuk ka nevojë për asnjë. Robërit nuk mund të arrijnë që t’i bëjnë dëm Atij me diçka dhe nuk mund të arrijnë që t’i bëjnë dobi me diçka, por përkundrazi Ai është që e sjell dëmin dhe dobinë; Ai është që jep dhe privon; Atë, të Pastrin nga çdo mangësi, nuk mund ta mposhtë askush dhe nuk mund t’i kundërvihet dikush me fuqinë që posedon; Ai është i Pastër nga mangësitë dhe dobësitë që nuk i takojnë Madhështisë dhe Madhërisë së Tij dhe Ai është i Pastër nga çdo gjë që bie ndesh me përsosmërinë e Tij; Ai nuk ka ortakë dhe shokë.
Allahu i Lartësuar ka thënë:
سُبْحَانَ رَبِّكَ رَبِّ الْعِزَّةِ عَمَّا يَصِفُونَ ﴿١٨٠﴾ وَسَلَامٌ عَلَى الْمُرْسَلِينَ ﴿١٨١﴾ وَالْحَمْدُ لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ ﴿١٨٢﴾
“I Pastër është Zoti yt, Zoti i Izze-së, nga ajo që ia përshkruajnë ata! Selami qoftë për të Dërguarit. I gjithë lavdërimi dhe falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.” Es-Saffat, 180
Kuptimi i tretë: Izze-ja e ngadhënjimit dhe triumfit mbi të gjitha krijesat që ekzistojnë. Të gjitha këto krijesa janë të mposhtura para Allahut, janë të nënshtruara përpara madhështisë së Tij dhe të bindura ndaj vullnetit të Tij. Fatet e të gjitha krijesave janë në Dorën e Tij. Çdo gjë që lëviz dhe që vepron, lëviz dhe vepron me ndihmën, fuqinë dhe lejen e Tij; Atë që do Allahu, ndodh dhe bëhet; atë që nuk e do Allahu, nuk ndodh dhe nuk bëhet. Nuk ka ndryshim dhe fuqi vetëm se me lejen e Allahut.
Përktheu: Jeton Shasivari