Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër
Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 71
Emri: el-Mutekebbir ( المُتَكَبِّرُ) - i Pastri nga cilësitë e krijesave
Ky emër është përmendur vetëm në një vend në Kuran, e ajo është fjala e Allahut të Lartësuar:
هُوَ اللَّهُ الَّذِي لَا إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ الْمَلِكُ الْقُدُّوسُ السَّلَامُ الْمُؤْمِنُ الْمُهَيْمِنُ الْعَزِيزُ الْجَبَّارُ الْمُتَكَبِّرُ ۚ سُبْحَانَ اللَّهِ عَمَّا يُشْرِكُونَ
“Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër; Ai është Sunduesi, i Pastri (nga mangësitë), Dhënësi i sigurisë, Mbikëqyrësi i të gjitha krijesave, i Plotëfuqishmi, Nënshtruesi, el-Mutekebbir; i Pastër është Allahu nga ajo që ata i shoqërojnë.” el-Hashr, 23
Emri “el-Mutekebbir” tregon se Ai, i Pastri nga çdo mangësi, përshkruhet me pastërti dhe me madhështi.
El-kibrija (madhështia dhe pastërtia) është cilësi e Allahut e cila nuk i takon askujt tjetër përveç se Atij.
Katadeja ka thënë: “Emri ‘el-Mutekebbir’ do të thotë ai që është i pastër dhe larg çdo të keqeje.”
Po ashtu ka thënë: “Ai që është larg veprave të këqija.”
Po ashtu ka thënë: “Ai që është i pastër dhe larg çdo sherri.”
Mukatili ka thënë: “Ai që është i Madhëruar nga çdo e keqe.”
Ebu Is’hak es-Subei’i ka thënë: “Ai që i Pastër nga padrejtësia ndaj krijesave të Tij.”
Mejmun bin Mihran ka thënë: “Ai që është i Pastër dhe larg çdo të keqeje dhe çdo vepre te keqe; prej Tij vijnë vetëm të mira.”
Të gjitha këto në tërësi do të thonë se ky emër “el-Mutekebbir” tregon se Allahu është larg çdo cilësie që kanë krijesat; Ai është i Madhëruar dhe i Pastër nga përngjasimet me krijesat apo krijesat t’i përngjajnë atij; Ai është i Lartësuar nga çdo mangësi dhe e metë. Pra, Ai është “el-Mutekebbir” nga çdo sherr, e keqe, padrejtësi dhe çdo lloj mangësie. Ky emër garanton duke pohuar plotësinë dhe përsosmërinë e Tij në emrat, cilësitë dhe veprat e Tij.
Kurse robi që është i krijuar, pozita e tij është të qenit rob i Allahut, nënshtrimi, varësia, përgjërimi, përulja dhe përkulja ndaj të Madhit, të Lartësuarit, të Madhërishmit që posedon madhështinë. Ndoshta te ky emër qëndron njëra nga fshehtësitë e përmendjes së Allahut me tekbir (fjala “Allahu Ekber” - Allahu është më i Madhi), kur përulemi në ruku dhe sexhde dhe kur e përmendim Lartmadhërinë (el-kibrijaa) dhe madhështinë e Tij kur jemi në ruku dhe sexhde.
Por, nëse robi e ngre veten lart dhe tregohet mendjemadh kundrejt qëllimit për të cilin është sjellë në ekzistencë dhe është krijuar për ta realizuar këtë qëllim, e që është adhurimi i Allahut duke iu nënshtruar, përulur dhe përgjëruar vetëm Atij, atëherë Allahu do ta ndëshkojë atë me ndëshkimin më të madh dhe do ta poshtërojë atë në dunja dhe ahiret.
Allahu, i Pastri nga çdo mangësi, ka përmendur në disa vende të ndryshme në Librin e Tij të fuqishëm, shembuj të personave dhe popujve që u treguan mendjemëdhenj dhe e mbajtën veten lart; gjithashtu tregoi ndëshkimin që i kapi ata në dunja si dhe ndëshkimin që do t’i gjejë ata në botën tjetër, me qëllim që të bëhet e qartë rruga e kriminelëve dhe keqbërësve dhe gjithashtu të shërbejë si mësim për ata që duan të marrin mësim dhe këshillë për ata që duan të marrin këshilla.
E lusim Allahun, të Pastrin nga çdo mangësi, që të na bëjë të nënshtruar karshi Tij dhe të na ruajë nga rruga e mendjemëdhenjve. Ai është i vetmi, i Madhërishmi dhe i Larëtsuari që i sjell begatitë dhe Ai është Ndihmuesi.
Përktheu: Jeton Shasivari