Bismilah...

Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 83-84

 

Emri: El-Mukaddim ( المُقَدِّمُ) [Ai që iu jep përparësi disa gjëra me Urtësinë e Tij]

Emri: El-Muakh-khir (المُؤَخِّر) [Ai që i vonon disa gjëra me Urtësinë e Tij]

 

Këta dy emra janë transmetuar në disa hadithe të sakta të Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem -, prej tyre është se ai - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - lutej me këto fjalë:

اَللَّهُمَّ اغْفِرْ لِي خَطِيئَتِي, وَجَهْلِي, وَإِسْرَافِي فِي أَمْرِي, وَمَا أَنْتَ أَعْلَمُ بِهِ مِنِّي, اَللَّهُمَّ اِغْفِرْ لِي جِدِّي, وَهَزْلِي, وَخَطَئِي, وَعَمْدِي, وَكُلُّ ذَلِكَ عِنْدِي, اَللَّهُمَّ اِغْفِرْ لِي مَا قَدَّمْتُ, وَمَا أَخَّرْتُ, وَمَا أَسْرَرْتُ, وَمَا أَعْلَنْتُ, وَمَا أَنْتَ أَعْلَمُ بِهِ مِنِّي, أَنْتَ اَلْمُقَدِّمُ وَالْمُؤَخِّرُ, وَأَنْتَ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ

“O Allah! M'i fal të gjitha gjynahet e mia dhe ato që i kam bërë nga padija ime. Më fal për çdo tejkalim të kufijve dhe për çdo gjë që kam vepruar, që vetëm Ti e di më mirë se unë! O Allah, mi fal gabimet e mia që i kam bërë pa shaka ose me shaka, mëkatet që i kam bërë nga pakujdesia ose qëllimisht! Unë me të vërtetë bie në të gjitha këto gabime. O Allah, m'i fal mëkatet e kaluara dhe të mëvonshmet, të fshehtat dhe të hapurat, dhe ato që Ti i di më mirë se unë. Ti je Ai që u jep përparësi dhe i vonon gjërat me Urtësinë Tënde, dhe Ti je i Plotfuqishëm për çdo gjë." [Transmeton el-Bukharij dhe Muslim]

Këta dy emra shkojnë çift duke qëndruar përkah njëri-tjetrit dhe sa herë që përmendet njëri prej tyre për Allahun i vjen përkrah edhe tjetri, sepse përsosmëria arrihet me bashkimin e këtyre dy emrave.

Përparësia dhe vonimi i gjërave janë dy Cilësi me të cilat përshkruhet Allahu i Plotfuqishëm e i Lartmadhëruar, të cilat tregojnë për fuqinë e plotë të Tij, sundimin e Vullnetit të Tij dhe Urtësinë e përsosur të Tij. Ato të dyja janë prej Cilësive Vetore sepse janë të pandashme prej Allahut dhe Ai është përshkruar me to; gjithashtu ato janë prej Cilësive Vepruese sepse përparësia dhe vonimi i gjërave lidhet me krijesat si dhe me vetet, veprat dhe cilësitë e tyre.

Gjithashtu, përparësia dhe vonimi janë të paracaktuar me Kader, si për shembull krijimi i disa krijesave përpara të tjerave, apo vonimi i disa krijesave prej disa të tjerave, apo dhënia përpaprësi disa shkaqeve përpara shkaktuesve të tyre, apo dhënia përparësi ndaj kushteve përpara kushtëzuesve, si dhe shumë lloje të tjera të përparësisë dhe vonimit që ka të bëjë me krijimin dhe caktimin.

Po ashtu përparësia dhe vonimi janë edhe pas krijimit të krijesave , siç i ka ngritur Allahu Pejgamberët mbi krijesat tjera dhe disa krijesa i ka ngritur mbi disa të tjerë; apo disa robër të Tij i ka ngritur mbi disa të tjerë me dije, iman, vepra, moral dhe cilësi të tjera, ndërsa disa të tjerëve i ka lënë më mbrapa në ndonjë gjë prej këtyre gjërave. Të gjitha këto janë në përputhje me Urtësinë e Tij, të Pastrit prej të metave. Ai i jep përparësi kujt të dëshirojë prej krijesave të Tij, me Mëshirën, Suksesin dhe Mirësinë e Tij dhe lë mbrapa kë të dëshirojë me Drejtësinë e Tij.

Këta dy emra janë përmendur në kontekstin e kërkimit të faljes së mëkateve në tërësi, qofshin ato të mëparshmet dhe të mëvonshmet, të fshehtat dhe të dukshmet, ato që bëhen me dashje apo pa dashje. E gjithë kjo tregon se mëkatet bëhen pengesë për robin dhe e vonojnë atë, ndërsa falja e Allahut ndaj robit të Tij dhe Mëshira e Tij, e ngrejnë dhe e lartësojnë atë.

Kështu që, e gjithë çështja i takon Allahut dhe është në Dorën e Tij; Ai e ul dikë ose e ngre, e nderon ose e poshtëron, i jep ose e privon. Atij që Allahu ia ka shkruar lavdinë dhe ngadhënjimin, ngritjen dhe pozitën, askush nuk mund t'ia ndalojë ato, ndërsa kujt Allahu ia ka shkruar poshtërimin, uljen dhe vonimin, askush nuk mund ta ndihmojë atë që të shpëtojë prej tyre.

Prej fryteve të besimit në këtë emër është që të tregohesh i zellshëm për t'i dhënë përparësi asaj që i ka dhënë Allahu përparësi dhe për ta bërë më vonë atë që Allahu e ka udhëruar të bëhet më vonë. Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - ishte shumë i zellshëm në dhënien përparësi asaj që Allahu i ka dhënë përparësi dhe në fillimin me atë gjë. Prandaj, filloi me Safan në Sa'j (ecjen midis kodrës së Safas dhe Mer'uas) dhe tha: "Fillojmë me atë që filloi Allahu." Gjithashtu në abdes filloi me fytyrën, më pas duart, e më pas kokën dhe nuk e ka lënë këtë gjë as edhe njëherë të vetme.

Kështu veprohet edhe në të gjitha çështjet e Fesë. Andaj, është obligim që t'i japësh përparësi asaj që i ka dhënë Allahu dhe ta vonosh atë që Ai e ka vonuar; ta duash atë që Ai e ka dashur dhe ta urresh atë që Ai e ka urryer, e kjo është lidhja më e fortë e imanit

 

Përktheu: Servet Mata