Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër
Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 81-82
Emri: ed-Dejjan (الدَّيَّان) – Shpërblyesi, Llogaritësi
Ky emër është vërtetuar për Allahun e Madhëruar dhe të Lartësuar në Sunetin e Pejgamberit, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem.
Transmeton Imam Ahmedi në “el-Musned”, Bukhariu në “el-Edeb el-Mufred”, Ibën Ebi Asim në “es-Sunneh”, Hakimi në “el-Mustedrak” si dhe të tjerë, të cilët transmetojnë nga Xhabir bin Abdullah, radijAllahu anhu, se ka thënë: “Më ka mbërritur një hadith nga një person i cili e kishte dëgjuar atë nga i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Kështu, unë bleva një deve dhe u nisa për rrugë. Rruga zgjati një muaj derisa mbërrita në Sham. Aty takova Abdullah bin Unejsin, radijAllahu anhu, e ai i tha portierit: “Thuaj atij se Xhabiri është te porta!” Portieri tha: “Djali i Abdullahut?!” Ai i tha: “Po!” Ai doli duke e veshur teshën e tij dhe më përqafoi dhe unë e përqafova gjithashtu. E i thashë: “Më ka mbërritur një hadith prej teje se e ke dëgjuar të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, gjatë kohës kur u krye një ndëshkim sheriatik. Unë pata frikë se mos vdes ti apo unë, përpara se unë ta dëgjoja këtë hadith prej teje.”
Ai tha: “E kam dëgjuar të Dërguarin duke thënë: ‘Ditën e Gjykimit, njerëzit do të ringjallen dhe do të jenë lakuriq, të pa bërë synet dhe të huaj.’ Dikush i tha: ‘E çfarë do të thotë ‘të huaj’? Ai tha: “Do të thotë: nuk kanë asgjë me vete. Pastaj (Allahu) do t’i thërrasë ata me zë që do ta dëgjojnë Atë ata që janë larg ashtu siç e dëgjojnë ata që janë afër, duke u thënë: ‘Unë jam Mbreti’! Unë jam ed-Dejjan! Asnjë nga banorët e Zjarrit që ka për të hyrë në Zjarr dhe ndonjë nga banorët e Xhenetit i ka hyrë në hak atij, nuk ka për të hyrë në Zjarr derisa ta marrë në llogari hollësisht për atë hak dhe asnjë nga banorët e Xhenetit që ka për të hyrë në Xhenet dhe ndonjë nga banorët e Zjarrit i ka hyrë në hak atij, nuk ka për të hyrë në Xhenet derisa ta marr në llogari hollësisht për atë hak, saqë do të merret hak edhe për goditjen me shuplakë.” Ne thamë: “Si do të ndodhë kjo përderisa ne do të vijmë tek Allahu lakuriq, të pa bërë synet dhe të huajë?” Ai tha: “Kjo hakmarrje do të jetë përmes shkëmbimit të punëve të mira (sevapeve) dhe të këqija (gjynaheve).” Hakimi shtoi në këtë transmetim: “Pastaj i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, lexoi:
الْيَوْمَ تُجْزَى كُلُّ نَفْسٍ بِمَا كَسَبَتْ لا ظُلْمَ الْيَوْمَ
“Sot çdo shpirt do të shpërblehet për atë që ka punuar; sot nuk ka aspak padrejtësi.” Gafir, 17
Emri “ed-Dejjan” do të thotë: Shpërblyesi dhe Llogaritësi. Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar do t’i mbledhë të parët dhe të fundit Ditën e Kijametit dhe ata do të jenë lakuriq pa rroba, këmbëzbathur, të pa bërë synet dhe nuk kanë asnjë plaçkë të dunjasë me vete, pastaj Allahu do t’i shpërblejë dhe do t’i marrë në llogari sipas veprave që kanë bërë në jetën e dunjasë. Nëse kanë bërë mirë, do të shpërblehen me të mira, e nëse kanë bërë keq, do të shpërblehen me të këqija.
Njeriu që ka logjikë, kur të mësojë dhe të dijë se Zoti, i Pastri nga çdo mangësi, është ed-Dejjan, se Dita e Gjykimit është dita e shpërblimit dhe llogaridhënies, se ai do ta takojë patjetër Allahun atë Ditë dhe se atë Ditë ka për t’i gjetur para vetes të gjitha veprat e tij, qoftë vepër e mirë apo vepër e keqe, atëherë ai do t’i bëjë llogaritë për atë Ditë dhe do të përgatitet mirë.
I zgjuar është ai që e nënshtron vetveten dhe e merr në llogari atë përderisa është në këtë botë ku bëhen vepra dhe ka një afat të caktuar, kurse i paaftë është ai që e lë pasdore veten e tij, e cila është zhytur në devijim dhe e pason epshin deri në kohën kur i vjen papritmas keqardhja dhe pendimi (vdekja). Një poet në vargjet e tij thotë diçka të ngjashme:
Pasha Allahun, padrejtësia është poshtërsi
Keqbërësi vazhdon të bëjë padrejtësi
Derisa të kthehemi te Shpërblyesi në Ditën e Gjykimit
Atëherë Allahu ka për t’i zgjidhur krejt hasmëritë
Halifeja i drejtë Umer bin el-Khattabi, radijAllahu anhu, ka thënë: “Merreni në llogari vetveten përpara se të merreni në llogari! Peshoni veprat tuaja përpara se t’u peshohen, sepse gjëja më e lehtë e llogarisë për të nesërmen është që ta llogarisni atë sot. Zbukurohuni për në shfaqjen më të madhe. Atë Ditë do të shfaqet çdo gjë dhe nuk do të fshihet nga ju asgjë.”
Përktheu: Jeton Shasivari