Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër
Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 85-86
Emri: et-Tajjib (الطَّيِّب) – i Miri, i Pastri.
Ky emër ka ardhur në hadithin e Ebu Hurejras, radijAllahu anhu, i cili ka thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem: ‘O ju njerëz, Allahu është i Mirë dhe e pranon vetëm të mirën. Allahu i ka urdhëruar besimtarët me atë që i ka urdhëruar të dërguarit. Pastaj tha:
يَا أَيُّهَا الرُّسُلُ كُلُوا مِنْ الطَّيِّبَاتِ وَاعْمَلُوا صَالِحاً إِنِّي بِمَا تَعْمَلُونَ عَلِيمٌ
“O ju të dërguar, hani nga gjërat e mira dhe bëni punë të mira. Vërtet Unë jam i Gjithdijshmi për atë që punoni.” El-Muminun, 51
Po ashtu tha:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُلُوا مِنْ طَيِّبَاتِ مَا رَزَقْنَاكُمْ
“O ju që besoni, hani nga gjërat e mira me të cilat ju kemi furnizuar.” El-Bekarah, 172
Pastaj e përmendi atë personin i cili e zgjat udhëtimin, është i pakrehur dhe i pluhurosur, i ngre duart drejt qiellit duke thënë: “O Zot, o Zot! Kurse ushqimi i tij është haram, pijen e ka haram, veshjen e ka haram dhe ushqehet me haram. Si t’i përgjigjet lutjes së këtij?!” Transmeton Muslimi (1015).
Emri et-Tajjib do të thotë se Ai, i Lartësuari, është i Pastër dhe i Lartësuar nga të gjitha mangësitë dhe veset, ngaqë origjina e fjalës “et-Tajjib” është pastërtia dhe paprekshmëria nga çdo gjë e fëlliqur dhe e ligë. Allahu ka qenë përjetësisht dhe do të jetë përjetësisht i Përsosur në Veten dhe veprat e Tij; veprat dhe fjalët e Tij dalin nga përsosmëria e Tij. Ai është perfekt dhe i plotë, prandaj Ai bën një vepër që i ka hije përsosmërisë së Tij.
Duke u bazuar në këtë, themi: emrat më të bukur dhe cilësitë më të larta të Allahut tregojnë për atë që Ai bën dhe thotë dhe për atë që Ai nuk e bën dhe nuk e thotë. Ai, i Pastri nga çdo mangësi, bën dhe thotë atë që vjen si shkak i përsosmërisë dhe madhështisë së Tij; Ai nuk e bën dhe nuk e thotë atë që e kundërshton këtë përsosmëri dhe madhështi. Pra, Ai është i Mirë dhe i Pastër, dhe fjalët e Tij janë të mira, kurse cilësitë e Tij janë gjëja më e mirë dhe emrat e Tij janë emrat më të mirë. Emri i Tij është i Miri dhe nuk vjen prej Tij vetëm se mirë dhe nuk ngjitet tek Ai vetëm se e mira; nuk afrohet tek Ai vetëm se e mira; fjalët e Tij janë të mira dhe tek Ai ngjitet fjala e mirë; vepra e Tij është e mirë dhe vepra e mirë ngrihet tek Ai.
Pra, të gjitha të mirat janë të Tijat, që i atribuohen Atij, vijnë prej Tij dhe mbarojnë tek Ai.
Fjala e tij, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, në hadith:
"إن الله طيب لا يقبل إلا طيباً"
“Allahu është i Mirë dhe nuk pranon gjë tjetër përveç se të mirës.”
Kjo tregon se Allahu, i Pastri nga çdo mangësi, i pranon vetëm fjalët dhe veprat e mira, dhe kjo i përfshin të gjitha veprat dhe fjalët. Kështu që, njeriu besimtar bën vetëm vepra të mira, thotë vetëm fjalë të mira, fiton vetëm atë që është e mirë dhe e jep vetëm se atë që është e mirë, sepse me të mirën janë përshkruar veprat, fjalët dhe besimi.
Vepra, fjalët dhe besimi ndahen në të mira dhe të këqija, siç ka thënë i Lartësuari:
قُلْ لا يَسْتَوِي الْخَبِيثُ وَالطَّيِّبُ وَلَوْ أَعْجَبَكَ كَثْرَةُ الْخَبِيثِ
“Thuaj: “E keqja dhe e mira nuk janë të barabarta, edhe nëse ty të çudit e keqja e shumtë.” el-Maideh, 100.
Feja e pastër Islame është e gjitha fe e mirë në besimin, dispozitat dhe normat morale të saj. Besimi i kësaj feje i ka rrënjët në besimin në Allahun, melaiket e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Fundit, Kaderin e Tij, qoftë i mirë apo i keq. Ky është besimi i vërtetë me të cilin qetësohen zemrat dhe rehatohen shpirtrat. Ai që ka këtë besim dhe i përmbahet këtij besimi, do ta shpie atë drejt synimit më me vlerë dhe kërkesës më të mirë. Dispozitat e tij janë më të mirat dhe normat morale janë më të mirat. Në këtë fe qëndron rregullimi dhe përmirësimi i dunjasë dhe ahiretit, kurse me lënien e kësaj feje ndodh shkatërrimi dhe humbja e çdo gjëje.
Kur besimtari e pastron vetveten në këtë botë në besimin, veprat dhe fjalët e tij, Allahu do ta nderojë atë në botën e përhershme duke e futur atë në Shtëpinë e të Mirëve (në Xhenet) dhe askush tjetër nuk do të futet në Xhenet vetëm se i miri. Ka thënë i Pastri nga çdo mangësi:
وَسِيقَ الَّذِينَ اتَّقَوْا رَبَّهُمْ إِلَى الْجَنَّةِ زُمَراً حَتَّى إِذَا جَاءُوهَا وَفُتِحَتْ أَبْوَابُهَا وَقَالَ لَهُمْ خَزَنَتُهَا سَلامٌ عَلَيْكُمْ طِبْتُمْ فَادْخُلُوهَا خَالِدِينَ)
“Ata që ishin të devotshëm ndaj Zotit të tyre, do të sillen në grupe për në Xhenet, dhe kur do të afrohen për të hyrë në Xhenet, dyert e tij do të jenë të hapura dhe rojet e tij do t’u thonë: “Selam alejkum” Ju keni bërë mirë (në dunja), andaj hyni në të për të jetuar përjetësisht.” Ez-Zumer, 73
Pra, Allahu në fund përmendi se për shkak të mirës që keni bërë, do t’ju thuhet “Hyni në të.”
O Allah, na bëj prej robërve Tu të mirë, të cilëve do t’u thuhet në Ditën e Kijametit:
ادْخُلُوا الْجَنَّةَ لا خَوْفٌ عَلَيْكُمْ وَلا أَنْتُمْ تَحْزَنُونَ
“Hyni në Xhenet! Nuk do të ekzistojë më frikë për ju dhe kurrë nuk do të dëshpëroheni më.” El-Araf, 49
Përktheu: Jeton Shasivari