Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër
Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 105-106
Emri: el-Muëtij, el-Xheu-uad (المُعطي، الجَواد) – Dhënësi, Bujari i Madh.
Një nga emrat e Tij, të Madhërishmit dhe të Lartësuarit, është edhe el-Muëtij, që është vërtetuar në Sahihun e Bukharijut nga hadithi i Muauijes, radijAllahu anhu, se ka thënë: i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, ka thënë:
مَنْ يُرِدِ اللَّهُ بِهِ خَيْرًا يُفَقِّهْهُ فِي الدِّينِ، وَاللَّهُ الْمُعْطِي وَأَنَا الْقَاسِمُ، وَلاَ تَزَالُ هَذِهِ الأُمَّةُ ظَاهِرِينَ عَلَى مَنْ خَالَفَهُمْ حَتَّى يَأْتِيَ أَمْرُ اللَّهِ وَهُمْ ظَاهِرُونَ
“Atij që Allahu ia do të mirën, ia mundëson që ta kuptojë fenë (ashtu siç duhet). Allahu është Dhënësi, kurse unë jam shpërndarësi (i sadakave, zekatit, dhuratave). Ky umet do të vazhdojë të jetë fitimtar kundër armiqve të tyre derisa të vijë urdhri i Allahut (Kijameti) dhe ata vazhdojnë të mbeten fitimtarë deri atëherë.”
Emri tjetër i të Madhëruarit dhe të Lartësuarit “el-Xheu-uad” është përmendur në një hadith Kudsij të cilin e transmeton Ebu Dherri, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu, alejhi ue sel-lem, ka thënë:
يقول الله تعالى: يا عبادي كلكم ضالٌ إلا من هديته
“Allahu i Lartësuar thotë: O robërit e Mi, të gjithë ju jeni të humbur, përveç atij që e kam udhëzuar...” siç vazhdon hadithi. Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe.
Në fund ky hadith thotë:
ذَلِكَ بِأَنِّي جَوَادٌ مَاجِدٌ أَفْعَلُ مَا أُرِيدُ عَطَائِي كَلَامٌ وَعَذَابِي كَلَامٌ إِنَّمَا أَمْرِي لِشَيْءٍ إِذَا أَرَدْتُ أَنْ أَقُولَ لَهُ كُنْ فَيَكُونُ
“...për arsye se Unë jam Bujari i Madh dhe i Madhërishëm, bëj atë që dua Unë. Dhënia Ime është fjalë dhe dënimi Im është fjalë dhe kur Unë e dua një gjë, vetëm them “bëhu” dhe ajo bëhet.”
Emri “el-Muëtij” do të thotë i Vetmi që jep në mënyrë të veçantë duke e bërë atë realisht; Atë që do ta japë Ai, nuk ka kush ta pengojë, dhe atë që do ta ndalojë Ai, nuk ka kush që ta japë; ajo që jep Ai, është fjalë dhe atë që ndalon Ai, është fjalë; urdhri i Tij është që nëse dëshiron, thotë vetëm “bëhu” dhe ajo gjë bëhet. Çdo begati që kanë robërit, është nga begatia e Tij dhe dhënia e Tij, të Pastrit nga çdo mangësi. Me dhënien dhe dhurimin e Tij, i ka përfshirë të gjithë robërit, qoftë ai besimtar, apo pabesimtar, qoftë i devotshëm apo i shthurur dhe kjo gjë vlen vetëm për në dunja, kurse në Ditën e Kijametit do t’i veçojë vetëm të dashurit e Tij besimtarë.
I Lartësuari ka thënë:
قُلْ مَنْ حَرَّمَ زِينَةَ اللَّهِ الَّتِي أَخْرَجَ لِعِبَادِهِ وَالطَّيِّبَاتِ مِنْ الرِّزْقِ قُلْ هِيَ لِلَّذِينَ آمَنُوا فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا خَالِصَةً يَوْمَ الْقِيَامَةِ كَذَلِكَ نُفَصِّلُ الآيَاتِ لِقَوْمٍ يَعْلَمُونَ
“Thuaj: ‘Kush i ka ndaluar bukuritë e Allahut (veshmbathjet) të cilat i ka dhënë për robërit e Tij dhe furnizimin me të mira (ushqime).’ Thuaj: ‘Ato janë për ata që kanë besuar në jetën e kësaj bote dhe do të jenë të veçanta (besimtarët) në Ditën e Kijametit.’ Kështu ne i sqarojmë ajetet tona për një popull që e kuptojnë (atë që po ju sqarohet).” El-Araf, 32
Emri “el-Xheuad” do të thotë: Ai që jep shumë; Ai i Cili i ka përfshirë të gjitha krijesat me bujarinë e Tij, i Cili i ka furnizuar ato nga bujaria, fisnikëria dhe bereqeti i Tij i llojllojshëm. Nuk ka krijesë që të mos jetë e varur nga Bujaria e Tij as sa një përpëlitje e syrit.
Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Allahu do që robërit e Tij të presin nga Ai, të shpresojnë tek Ai dhe të kërkojnë nga të mirat e Tij, sepse Ai është Mbreti i vërtetë Bujar; Ai është më Bujari prej të cilit mund t’i kërkohet dhe Ai është Dhuruesi më i Madh i Cili jep. Gjëja më e dashur për Bujarin është që të shpresohet prej Tij, të pritet dhe t’i kërkohet. Një hadith thotë:
من لم يسأل الله يغضب عليه
“Ai që nuk i kërkon Allahut dhe nuk i lutet Atij, Allahu zemërohet me të.” Medarixhu Salikin (1/211-212).
Ne shpresojmë nga Bujari Fisnik, i Pastri nga çdo mangësi, që të na begatojë neve të gjithve duke i bërë shkaqet me të cilat e fitojmë Bujarinë dhe Fisnikërinë e Tij; të na ruajë neve nga shkaqet me të cilat e fitojmë dënimin dhe hakmarrjen e Tij. E gjithë bujaria vjen prej Tij dhe e gjithë begatia vjen prej Tij. Urdhrat e të kaluarës dhe të ardhmes janë në dorën e Tij. Ai nuk ka ortak. Caktimi i gjërave më përpara dhe më vonë, është çështje që i takon vetëm Allahut dhe Ai nuk ka asnjë ortak.
Përktheu: Jeton Shasivari