Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër
Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 105-106
Emri: Dhul-Xhelali uel-Ikram ( ذُو الْجَلاَلِ وَالإِكْرَامِ ) [Poseduesi i Madhështisë dhe Lavdisë]
Ky Emër është përmendur në Suren “er-Rahman" në fjalën e të Lartësuarit:
تَبَٰرَكَ ٱسْمُ رَبِّكَ ذِى ٱلْجَلَٰلِ وَٱلْإِكْرَامِ
"I Madhëruar është Emri i Zotit tënd, Poseduesi i Madhështisë dhe Lavdisë." [er-Rahman, 78]
Gjithashtu është transmetuar në Sunetin Profetik mirësia e lutjes me këtë emër. Është transmetuar në "el-Musned" nga Rabij'ah Ibn 'Amir, radijAllahu anhu, se e ka dëgjuar Pejgamberin - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - të thotë: "Thoni: ‘O Posedues i Madhështisë dhe i Lavdisë." Pra, kapuni fort pas këtij emri, përqendrohuni te ky emër, thuajeni atë shpesh dhe vazhdimisht në lutjet tuaja.
Gjithashtu është transmetuar në "Sahihun e Muslimit" nga Theubani, radijAllahu anhu, i cili thotë: “I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, pasi mbaronte namazin (pas Selamit) thoshte tre herë “Estagfirull-Llah”, më pas thoshte:
اللّهُـمَّ أَنْـتَ السَّلامُ وَمِـنْكَ السَّلام تَبارَكْتَ يا ذا الجَـلالِ وَالإِكْـرام
"O Allah, Ti je i Përsosuri prej çdo mangësie dhe prej Teje vjen shpëtimi, i Lartësuar dhe i Madhëruar je Ti që posedon Madhështinë dhe Lavdinë."
Ky emër është një nga emrat e përbërë dhe janë një sasi e caktuar e këtyre emrave sipas një grupi të dijetarëve të cilët i llogarisin si Emra të bukur të Allahut.
Shejkhul-Islam Ibën Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: "Gjithashtu prej emrave të Tij janë emrat e përbërë, të tillë si:
Më i Mëshirshmi i të gjithë mëshiruesëve - أرحم الراحمين
Falësi më i mirë - خير الغافرين
Zoti i botëve - رب العالمين
Sunduesi i Ditës së Gjykimit - مالك يوم الدين
Krijuesi më i mirë - أحسن الخالقين
Grumbulluesi i njerëzve në Ditën që s’ka dyshim në të- جامع الناس ليوم لا ريب فيه
Rrotulluesi i zemrave –مقلب القلوب
Si dhe emra të tjerë të ngjashëm që janë vërtetuar në Kur'an dhe Sunet. Gjithashtu është vërtetuar lejimi i lutjes me këto emra sipas unanimitetit të Muslimanëve."
Në emrin e Allahut të Lartësuar "Dhul-Xhelali uel-Ikram" bashkohen dy cilësi: "El-Xhelal" përmban madhështinë, ndërsa "el-Ikram" përmban lavdinë dhe dashurinë.
Ka thënë shejkhul-Islam Ibën Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë: "Përderisa Ai është që e meriton Madhështinë dhe Lavdinë, atëherë duhet patjetër që të përshkruhet për Veten e Tij me atë që domosdoshmërisht kuptohet prej tyre, siç thua: i Adhuruari është Ai që e meriton të adhurohet. Prandaj, Ai e meriton që të adhurohet gjë që e kërkon ky emër (i Adhuruari i vetëm).” Pra, që të madhërohet dhe lavdërohet nga të tjerët. Vazhdon Ibën Tejmijeh duke thënë: “ ...ndërsa njerëzit nuk mund ta madhërojnë Atë ashtu siç duhet, por Ai është ashtu siç e ka madhëruar Veten e Tij. Gjithashtu Ai meriton plotësisht të Madhërohet e të Lavdërohet, e Ai, i Pastëri prej të metave, e Madhëron dhe e Lavdëron Veten e Tij, ndërsa krijesat nuk mund ta madhërojnë dhe lavdërojnë Atë ashtu siç duhet. Pra "el-Ixhlal" është nga lloji i madhërimit, ndërsa "el-Ikram" është nga lloji i dashurisë dhe lavdërimit dhe është e ngjashme me Fjalën e Tij:
لَهُ ٱلْمُلْكُ وَلَهُ ٱلْحَمْدُ ۖ
"Atij i përket Sundimi dhe Lavdërimi." [Et-Tegabun, 1]
Pra, Atij i përket madhështia dhe sundimi, i përket lavdia dhe lavdërimi.”
Allahut i takojnë falënderimet e shumta, të sinqerta dhe të begata që ka sjellë lehtësime dhe begati, ndërsa unë nuk e lavdëroj dhe falenderoj Atë ashtu siç duhet. Thotë i Lartësuari:
رَبِّ أَوْزِعْنِىٓ أَنْ أَشْكُرَ نِعْمَتَكَ ٱلَّتِىٓ أَنْعَمْتَ عَلَىَّ وَعَلَىٰ وَٰلِدَىَّ وَأَنْ أَعْمَلَ صَٰلِحًا تَرْضَىٰهُ وَأَدْخِلْنِى بِرَحْمَتِكَ فِى عِبَادِكَ ٱلصَّلِحِينَ
"O Zoti im, ma mundëso mua të të falenderoj për begatinë Tënde me të cilën më ke begatuar mua dhe prindërit e mi dhe që të bëj vepra që të kënaqin Ty; dhe me Mëshirën Tënde më fut mua në radhët e robërve të Tu të devotshëm." [En-Neml, 19]
Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhammedin, familjen dhe shokët e tij.
Përktheu: Servet Mata