Bismilah...

Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 93-94

 

Emri: (ُالمَنَّان) [Dhuruesi i Madh, Bamirësi Absolut]

 

Ky emër është vërtetuar në Sunetin e Pejgamberit fisnik, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, siç ka transmetuar Imam Ahmed dhe të tjerë përveç tij nga Enes Ibn Malik, radijAllahu anhu, se Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e ka dëgjuar një burrë duke thënë:

اللَّهُمَّ إِنِّي أَسْأَلُكَ بِأَنَّ لَكَ الْحَمْدَ لاَ إِلَهَ إِلاَّ أَنْتَ وَحْدَكَ لاَ شَرِيكَ لَكَ الْمَنَّانُ بَدِيعُ السَّمَوَاتِ وَالأَرْضِ ذُو الْجَلاَلِ وَالإِكْرَامِ

"O Allah, të kërkoj Ty duke dëshmuar se me të vërtetë Ty të takon e gjithë lavdia dhe falënderimet. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje; Ti je i Vetmi e i Pashoq; Ti je Dhuruesi i çdo mirësie, Shpikësi i qiejve dhe i tokës, Poseduesi i Madhështisë dhe i Lavdisë."

Ndërsa Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – i tha:

لقد سألتَ اللهَ باسمِه الأعظمِ الَّذي إذا دُعي به أجاب وإذا سُئل به أعطى

"Me të vërtetë që i ke kërkuar Allahut me emrin e Tij më të madh, të Cilit nëse i lutesh me këtë emër, të përgjigjet; e nëse i kërkon diçka me Të, ta jep atë."

Emri "el-Mennan", do të thotë: Ai që jep shumë, që dhuron shumë, bën shumë të mira; Ai i Cili ua shton furnizimin robërve të Tij dhe që u jep vazhdimisht begati nga mirësia dhe bujaria e Tij.

Askush nuk mund të jetë Dhurues absolut përveç Allahut të Vetëm, i Cili fillon të dhurojë përpara se të lutesh. Vetëm Atij i takon merita e falënderimit për begatitë që u jep krijesave të Tij, kurse asnjë nga krijesat nuk ka ndonjë meritë që Ai t’i falënderojë ata. I Lartësuar është Allahu, më i Larti sipër çdo gjëje, të Cilin të gjitha krijesat, qofshin të mirë apo të këqij, dëshmojnë për dhuratat e Tij të panumërta, dhënien e Tij të bollshme, bujarinë e Tij të pashtershme, krijimin e Tij të bukur, mëshirën e Tij të gjerë, bamirësinë dhe butësinë e Tij, përgjigjen e Tij ndaj lutjeve të nevojtarëve, largimin e fatkeqësive të atyre që i kanë zënë fatkeqësitë, ndihmën ndaj të pikëlluarve, largimin e sprovave dhe belave pasi që janë bërë shkaqet që të ndodhin ato dhe largimin e tyre pasi që ato i kanë kapluar krijesat, butësinë dhe mëshirën e Tij për këto fatkeqësi deri në atë pikë kur njerëzit i humbasin shpresat se do të largohen fatkeqësitë.

Prej begative më të mëdha të Tij, të Pastrit prej të metave, është udhëzimi i veçantë që u ka dhënë robërve të Tij për në rrugën e Vendit të Paqes, mbrojtja e Tij ndaj tyre në mënyrën më të mirë dhe ruajtja e tyre për të mos rënë në gjynahe. Ai ua bëri të dashur imanin dhe ua zbukuroi atë në zemrat e tyre dhe ua bëri të urryer mosbesimin, shthurjen dhe mëkatin, e i bëri ata prej të udhëzuarve, si dhe shumë mirësi dhe begati të llojeve të ndryshme. Ai, i Pastri prej të metave, është Thënësi i fjalës:

وَإِن تَعُدُّوا نِعْمَةَ اللَّهِ لَا تُحْصُوهَا

"Edhe po të përpiqeshit t'i numëronit mirësitë e Allahut, nuk do të arrinit dot t'i numëronit ato." [En-Nahl, 18]

Dhe Ai, i Lartmadhëruari, është Thënësi i fjalës:

وَمَا بِكُم مِّن نِّعْمَةٍ فَمِنَ اللَّهِ

"E çdo mirësi e begati që ju keni, është prej Allahut." [En-Nahl, 55]

Andaj, kush dëshiron t'i vështrojë bazat e bamirësisë le ta hedhë shikimin në kopshtet e Kur'anit Fisnik, në mënyrë që të meditojë në mirësitë e mëdha që i ka përmendur Allahu në të, në dhuratat e Tij të çmuara dhe bamirësitë e Tij të shumta.

Kush e njeh Zotin e tij, të Pastrin prej të metave, me këtë Emër madhështor, dhe se vetëm Ai është Poseduesi i bamirësisë dhe dhurimit, Ai që jep dhe dhuron shumë, i obligohet prej kësaj që ta lavdërojë Zotin e tij për dhuratat e Tij dhe ta falënderojë Atë për mirësinë dhe atë që i ka dhënë. Thotë i Lartësuari:

وَقَالَ رَبِّ أَوْزِعْنِي أَنْ أَشْكُرَ نِعْمَتَكَ الَّتِي أَنْعَمْتَ عَلَيَّ وَعَلَىٰ وَالِدَيَّ

"Ai (Sulejmani) tha: O Zoti im, ma mundëso mua që të jem falënderues ndaj mirësive të Tua, të cilat m'i dhurove mua dhe prindërve të mi." [En-Neml, 19]

O Allah, Ty të takon lavdia dhe falënderimet për të gjitha këto. Lavdërime dhe falënderime të shumta, të sinqerta dhe të pafundme. O Allah, Ty të takon lavdia dhe falënderimet derisa të jesh i Kënaqur prej nesh, dhe Ty të takon lavdia dhe falënderimet edhe pasi të jesh i Kënaqur me ne.

 

Përktheu: Servet Mata