Bismilah...

Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 87-88

 

Emri: Esh-Shaafij (الشَّافِيُّ) [Shëruesi]

 

Ky emër është një prej shumë emrave që janë transmetuar në Sunetin Pejgamberik. Është transmetuar në Dy Sahihët nga Aisheh, radijAllahu anha, se Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - i kërkonte mbrojtje Allahut për njërin nga anëtarët e familjes së tij duke e prekur atë me dorën e tij të majtë dhe thoshte:

‏ اللَّهُمَّ رَبَّ النَّاسِ أَذْهِبِ الْبَاسَ، اشْفِهِ وَأَنْتَ الشَّافِي، لاَ شِفَاءَ إِلاَّ شِفَاؤُكَ، شِفَاءً لاَ يُغَادِرُ سَقَمًا

"O Allah, o Zoti i njerëzve! Largoja të keqen, shëroje atë sepse Ti je Shëruesi! Nuk ka shërim tjetër përveç shërimit Tënd, shërim i cili të pastron prej çdo sëmundjeje!" [Transmetojnë Bukharij (5743), Muslim (2191)]

Kuptimi i emrit "Esh-Shafij" është: prej Atij që vjen shërimi; shërimi nga dyshimet, mëdyshjet, zilia, mllefi dhe sëmundje të tjera të zemrës. Gjithashtu edhe shërimi i trupave prej sëmundjeve dhe lëngimeve. Askush nuk ka mundësi për shërim përveçse se Ai. Nuk ka shërim tjetër vetëm se me shërimin e Tij dhe nuk ka Shërues tjetër përveç Tij, siç ka thënë i dashuri i Tij, Ibrahimi - alejhis-selam:

وَإِذَا مَرِضْتُ فَهُوَ يَشْفِينِ

"E kur të sëmurem Ai më shëron." [esh-Shu'ara, 80]

Që do të thotë: Ai është i Vetmi që mund të sjellë shërimin dhe nuk ka ortak. Prandaj, është obligim për çdo njeri të ngarkuar me detyrat e Sheriatit që të besojë duke qenë fort i bindur se nuk ka shërues tjetër përveç Allahut.

Kështu që, mënyra më e mirë për t'u afruar tek Allahu, i Madhëruar e i Lartësuar, për të kërkuar shërim prej lëngimeve dhe sëmundjeve, është afrimi tek Ai duke e veçuar Atë të Vetmin me Rububijen e Tij, dhe se shërimi është vetëm në Dorën e Tij dhe askush nuk mund të shërojë përveçse me lejen e Tij. Kështu, të gjitha çështjet i përkasin Atij, të gjitha krijesat janë të Tij dhe çdo gjë Ai e drejton dhe orienton. Ajo që do Ai, bëhet, kurse ajo që nuk do, nuk bëhet. Nuk ka lëvizje për njeriun e as forcë për të, vetëm se me lejen e Allahut.

Ndërsa besimi dhe imani i robit se Shëruesi është vetëm Allahu dhe se shërimi është në Dorën e Tij, kjo nuk do të thotë që ai të mos i marrë shkaqet efektive për kurim dhe kërkimin e shërimit duke përdorur ilaçet e duhura. Janë transmetuar nga Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - hadithe të shumta në çështjen e shërimit dhe janë përmendur lloje të ndryshme të ilaçeve të dobishme e të vlefshme. Kjo gjë nuk bie ndesh me mbështetjen tek Allahu se shërimi është në Dorën e Tij.

Ka transmetuar el-Bukharij në Sahihun e tij nga Ebu Hurejrah, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - ka thënë:

مَا أَنْزَلَ اللَّهُ دَاءً إِلاَّ أَنْزَلَ لَهُ شِفَاءً ‏

"Për çdo sëmundje që Allahu ka zbritur, ka zbritur edhe shërim për të." [Transmeton el-Bukharij, 5678]

Gjithashtu transmeton Imam Ahmed në el-Musned nga Usameh Ibën Sherijk, radijAllahu anhu, se i Dërguari i Allahut - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - ka thënë:

إنَّ اللهَ عزَّ وجلَّ لم يُنزِلْ داءً إلّا وأنْزَلَ له شِفاءً، عَلِمَه مَن عَلِمَه، وجَهِلَه مَن جَهِلَه

"Me të vërtetë që Allahu nuk ka zbritur ndonjë sëmundje veçse ka zbritur dhe ilaçin për të; ai që e diti, e diti dhe ai që nuk e diti, nuk e diti.’[Transmeton Imam Ahmed, 18456]

E lus Allahun e Madhështor, Zotin e njerëzve, Larguesin e të këqijave, Shëruesin përveç shërimit të të Cilit nuk ka shërim, që t'i shërojë të sëmurët tanë dhe të sëmurët e të gjithë Muslimanëve!

Përktheu: Servet Mata