Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër
Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq 60-61
Emrat:
El-Gaalib (الغَالِبُ) - Triumfuesi
En-Nesiir (النَّصِير) - Ndihmuesi
Emri i Allahut "El-Gaalib" është përmendur në një vend të vetëm në Kur'an, e ajo është Fjala e Allahut të Lartësuar:
وَاللَّهُ غَالِبٌ عَلَى أَمْرِهِ وَلَكِنَّ أَكْثَرَ النَّاسِ لا يَعْلَمُونَ
"Allahu është Triumfuesi i çështjeve të Tij (që ai i do), por shumica e njerëzve nuk e dinë." [Jusuf, 21]
Ndërsa emri i Tij "En-Nesiir" është përmendur në katër vende, e ato janë:
Fjala e të Lartësuarit:
فَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ مَوْلاكُمْ نِعْمَ الْمَوْلَى وَنِعْمَ النَّصِيرُ
"Dijeni se me të vërtetë që Allahu është Mbrojtësi juaj, e sa Mbrojtës i Mirë e sa Ndihmues i Mirë që është Ai." [El-Enfal, 40]
Fjala e të Lartësuarit:
وَكَفَى بِاللَّهِ نَصِيراً
"Të mjafton Allahu si Ndihmës." [En-Nisa, 45]
Fjala e Tij:
وَاعْتَصِمُوا بِاللَّهِ هُوَ مَوْلاكُمْ فَنِعْمَ الْمَوْلَى وَنِعْمَ النَّصِيرُ
"Mbështetuni tek Allahu se Ai është Mbrojtësi juaj. Sa Mbrojtës i Mirë e sa Ndihmues i Mirë që është Ai!" [El-Haxh, 78]
Fjala e Tij:
وَكَفَى بِرَبِّكَ هَادِياً وَنَصِيراً
"Të mjafton ty Zoti yt si Udhëzues dhe Ndihmues." El-Furkan, 31]
Emri “El-Gaalib” do të thotë: Ai që bënë ç'të dojë; asgjë nuk mund ta mposhtë Atë; askush nuk mund ta kthejë gjykimin e Tij, askush nuk mund ta kthejë atë që Ai ka caktuar apo ta pengojë atë që Ai e ka vendosur.
Ka thënë el-Kurtubij, Allahu e mëshiroftë: “Çdonjëri që është i ngarkuar me udhërat e Sheriatit, e ka obligim që ta dijë se Allahu, i Pastëri prej të metave e i Lartësuari, është Mbizotëruesi mbi çdo gjë. Kështu, kush i mbështet Atij, ka triumfuar edhe sikur të gjithë krijesat e tokës ta kërkojnë. Thotë i Lartësuari:
كَتَبَ اللَّهُ لأَغْلِبَنَّ أَنَا وَرُسُلِي
"Allahu ka shkruar (në Leuhi Mahfudh): Unë dhe të Dërguarit e Mi do të triumfojmë patjetër." [El-Muxhadileh, 21]
Ai që i kthen shpinën Allahut të Lartësuar dhe i mbështetet dikujt tjetër përveç Tij, do të jetë i mposhtur dhe do të bjerë pre e kurtheve të shejtanit.”
Ndërsa emri "En-Nesiir" do të thotë: Ai që ka marrë përsipër ndihmën e robërve të Tij dhe që ka ndërmarrë ndihmën dhe mbrojtjen e të dashurve të Tij. Ndihma nuk mund të vijë vetëm se prej Tij dhe as nuk realizohet përveçse prej Tij. Kështu që, i ndihmuar është ai që Allahu e ka ndihmuar. Pra, nuk ka Ndihmues për njerëzit përveç Tij dhe as Mbrojtës tjetër përveç Tij. Thotë i Lartësuari:
وَمَا النَّصْرُ إِلاَّ مِنْ عِنْدِ اللَّهِ الْعَزِيزِ الْحَكِيمِ
"E ndihma nuk vjen nga askush tjetër përpos Allahut, të Plotëfuqishmit, të Urtit." [Al-'Imran, 126]
Thotë i Lartësuari:
إِنْ يَنْصُرْكُمْ اللَّهُ فَلا غَالِبَ لَكُمْ وَإِنْ يَخْذُلْكُمْ فَمَنْ ذَا الَّذِي يَنْصُرُكُمْ مِنْ بَعْدِهِ
"Nëse Allahu ju ndihmon, nuk ka kush që ju mposht, e nëse Ai ju braktis, kush do të mund t'ju ndihmojë përveç Tij?!" [Al-'Imran, 160]
Allahu, i Pastër prej të metave, në shumë vende në Kur'an ka përmendur begatinë e Tij ndaj Pejgamberëve dhe të dashurve të Tij duke i ndihmuar dhe mbështetur ata. Thotë i Lartësuari:
إِنَّا لَنَنصُرُ رُسُلَنَا وَالَّذِينَ آمَنُوا فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَيَوْمَ يَقُومُ الأَشْهَادُ
"Me të vërtetë që Ne do t'i ndihmojmë të Dërguarit tanë dhe ata që kanë besuar në jetën e kësaj bote dhe në Ditën kur do të prezantojnë dëshmitarët." [Gafir, 51]
Kjo e folur u drejtohet besimtarëve, të cilët e kanë realizuar imanin si nga ana e jashtme ashtu edhe nga ana e brendshme, se ata do të jenë të ndihmuarit dhe se përfundimi i mirë u takon atyre në dunja dhe në ahiret.
Prandaj, nëse besimtarët nuk përpiqen për realizimin e imanit dhe nuk i bëjnë shkaqet e triumfit kundër armiqëve, atëherë ky triumf nuk do të realizohet, por përkundrazi armiqtë do t'i mposhtin ata për shkak të gjynaheve dhe lëshimeve të tyre.
Gjithashtu, duhet patjetër që të kthehemi tek Allahu në Dorën e të Cilit është ndihma, ndërsa Allahu i Plotfuqishëm e i Madhëruar është Ruajtësi i atij që kthehet tek Ai dhe i mjafton atij që i mbështetet Atij. Sa Mbrojtës i Mirë e sa Ndihmues i Mirë që është Ai!
Përktheu: Servet Mata